Bashkëpunime me Institucionet të Tjerë

KLSH nënshkruan me Ministrinë e Financave një marrëveshje bashkëpunimi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ministria e Financave nënshkruan më dt. 08.05.2012 një Marrëveshje Bashkëpunimi, në bazë të legjislacionit vendas në fuqi dhe të standardeve ndërkombëtare të auditimit të jashtëm suprem të organizatës INTOSAI.

 
Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit janë institucione kyçe në mirëmenaxhimin e financave të shtetit. E para i menaxhon këto financa, e dyta e auditon këtë menaxhim, mbi bazën e parimeve të ekonomicitetit, efektivitetit dhe efiçiencës së përdorimit të burimeve. Interesi i përbashkët është mirëmenaxhimi i parave të taksapaguesve shqiptarë.
Marrëveshja lidhet mbi bazën e Nenit 26 të Ligjit për Auditimin e Brendshëm, i cili kërkon që strukturat e përgjithshme të këtij auditimi të bashkëpunojnë me Kontrollin Lartë të Shtetit në shkëmbimin e çdo informacioni të vlefshëm, që lidhet me sistemin e auditimit, në dërgimin e programeve vjetore të punës, për të shmangur mbivendosjet në procesin e auditimit, etj., mbi bazën e nenit 70 të Ligjit për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor, si dhe bazuar në Standardin 9150 të INTOSAI:“Koordinimi dhe Bashkëpunimi mes Institucioneve të Auditimit Suprem dhe Audituesve të Brendshëm në Sektorin Publik”.
Ministri i Financave Bode theksoi gjatë nënshkrimit se me këtë bashkëpunim mund të ulet kosto e auditimeve dhe të rritet efiçienca e tyre. Kryetari i KLSH Leskaj nënvizoi kërkesat e standardeve ndërkombëtare të fushës për këtë bashkëpunim mes auditimit të jashtëm dhe të brendshëm dhe u shpreh se pavarësia e institucionit të tij kushtetues me këtë ndërveprim nuk cënohet, përkundrazi, rritet, pse rritet edhe presioni i përbashkët kundër akteve të mashtrimit financiar dhe korrupsionit.
Kjo marrëvëshje bashkëpunimi parashikon komunikimin e ndërsjelltë të planeve dhe strategjive të auditimit të të dyja institucioneve, dokumentimin e proceseve operacionale dhe sistemeve të enteve të audituara, zhvillimin dhe kryerjen e procedurave të koordinuara të auditimit; si dhe investigimin e përbashkët të rasteve të dyshuara si mashtrim financiar apo korrupsion.
Për KLSH ajo vjen pas atyre të nënshkruara me ILDKP, me Autoritetin e Konkurrencës dhe me gjashtë OJF aktive në luftën kundër korrupsionit dhe për më shumë transparencë në administrimin publik.