Te tjera

Raporti i të Ardhurave për vitet 2012 dhe 2013 sipas Nenit 1, Seksioni 8 i Ligjit për Kufizimin e Shpërblimeve ndaj Poseduesve të Posteve Publike

 

Çdo vit të dytë, në bazë të nenit 1, seksioni 8, paragrafi 4 i Ligjit për Kufizimin e Shpërblimeve të Poseduesve të Posteve Publike, Gjykata Austriake e Auditimit siguron një raport mbi të ardhurat mesatare për Këshillin Kombëtar, Këshillin Federal dhe Dietat Provinciale, duke përfshirë përfitimet sociale dhe përfitime në natyrë të popullsisë në tërësi, të cilat janë krijuar për arsye biznesi, profesioni dhe funksioni.

Raporti i të Ardhurave të Përgjithshme për vitin 2014 jep një informacion të plotë mbi të ardhurat e popullsisë në Austri për periudhën 2012 - 2013. Ky raport merr parasysh të ardhurat e fituara nga aktivitetet e vetë-punësimit, punësimit dhe nga pensionet, të mbledhura nga të dhënat administrative. Në vijim do të gjeni një përzgjedhje të informacioneve më të rëndësishme:

Personat e Punësuar:

Sipas të dhënave nga tatimi mbi të ardhurat, numri i personave të punësuar (përjashtuar praktikantët) arriti në 4.126.172 në vitin 2013. Krahasuar me vitin e mëparshëm ( 4.076.912 persona), kjo shifër përfaqëson një rritje prej 1,21%.

Midis të punësuarve, punëdhënësit llogariten si grupi më i madh me 47%, të ndjekur nga punëtorët (40%). Rrjedhimisht, më shumë se 1/5 e të punësuarve ishin në marrëdhënie private punësimi. Numri i stafit të kontraktuar (8%) ka tejkaluar numrin e nëpunësve civilë (5%). Përqindja e grave mes të punësuarve arriti në rreth 47% në 2013.

Personat e punësuar (përjashtuar praktikantët) kanë krijuar një mesatare bruto vjetore të ardhurash në shumën 25.767 EURO në vitin 2013. Punëtorët që kanë marrë të ardhurat më të ulta, kanë fituar të ardhura mesatare bruto vjetore prej 18.662 EURO në vitin 2013. Punëtorët në përgjithësi kanë patur të ardhura mesatare bruto vjetore prej 29.323 EURO, stafi me kontratë ka marrë 31.041 EURO. Nëpunësit civilë kanë gjeneruar të ardhura mesatare më të larta në shumën 51.408 EURO. Për të ilustruar më mirë këtë të dhënë, duhet të përmenden disa fakte, të cilat kanë të bëjnë me grupin e nëpunësve civilë dhe me ndikimin pozitiv në të ardhurat e tyre: në krahasim me grupet e tjera, nëpunësit civilë nuk janë vetëm të diplomuar, por edhe mesatarisht kanë një moshë më të madhe se personat e grupeve të tjera të punësimit. Ata punojnë më pak me kohë të pjesshme dhe përqindja e nëpunësve civilë të papunë gjatë tërë vitit është shumë e ulët sepse nëpunësit civilë normalisht nuk mbeten të papunë.

Të dhënat për të gjitha grupet e punësimit kanë treguar në mënyrë të qartë se gratë ende fitojnë më pak se burrat: në vitin 2013, të ardhurat mesatare të grave u llogariten të jenë 61% e të ardhurave mesatare të burrave. Megjithatë, ky disavantazh ndryshon sipas pozitës shoqërore dhe është më i theksuar në sektorin privat sesa në sektorin publik. Midis nëpunësve civil, gratë fitojnë 95% të të ardhurave mesatare të burrave, në grupin e stafit të kontraktuar ato fitojnë 77%. Në mënyrë të ngjashme, punëdhënëset femra fitojnë 51% të të ardhurave mesatare të burrave dhe punëtorët femra marrin vetëm 43%.

Këto dallime gjinore në të ardhura ndodhin pjesërisht për shkak të punës me kohë të pjesshme, por edhe në qoftë se krahasimet bëhen vetëm midis personave që janë të punësuar me kohë të plotë gjatë gjithë vitit, të ardhurat mesatare bruto vjetore për femrat arrijnë vetëm 82% të të ardhurave mesatare të burrave. Për sa i përket të punësuarve me kohë të plotë, sektori privat ka dallime më të mëdha në të ardhura: midis punëtorëve, gratë krijojnë 69% të të ardhurave të burrave dhe midis punonjësve ato marrin 66% të tyre. Në sektorin publik, të punësuarat me kontratë fitojnë të ardhura mesatare në vlerën 94% të të ardhurave mesatare të burrave dhe nëpunëset civile femra që punojnë me kohë të plotë gjatë vitit marrin diçka më shumë se kolegët e tyre meshkuj.

Një analizë e zhvillimit të përkohshëm të të ardhurave tregon se të ardhurat mesatare (të përshtatura me inflacionin) e të punësuarve kanë rënë paksa që nga viti 1998. Ndërkohë që të ardhurat e punëtorëve në vitin 2013 përbënin vetëm për 86% të të ardhurave në 1998, nëpunësit civilë panë një rritje të të ardhurave të tyre mesatare me 23%. Meshkujt me të ardhura të ulëta (tremujori 1) janë përballur me humbje më të mëdha: të ardhurat e tyre (të përshtatura me inflacionin) në 2013 përbënin vetëm 76% të shumës së vitit 1998.

Për sa i përket viteve të referencës të këtij raporti (2012 dhe 2013), këto shifra tregojnë qartë se normat nominale të rritjes së të ardhurave mesatare prej 1,69% dhe 1,14% janë tejkaluar nga rritja e çmimeve (inflacioni i çmimeve të konsumit: 2,4% dhe 2,0%). Edhe në vitet e mëparshme, rritja e të ardhurave ka mbetur prapa rritjes së normës së përgjithshme të inflacionit. Prandaj të ardhurat, të përshtatura me inflacionin, janë ulur që nga viti 2009.

Personat e vetëpunësuar:

Ndryshe nga personat e punësuar dhe në pension, disa faktorë të veçantë duhet të merren në konsideratë kur bëhet fjalë për të ardhurat e të vetëpunësuarve. Për shkak të skemave fiskale, të ardhurat që përfshihen aty shpesh nuk përputhet me të ardhurat e vërteta, pasi Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat u jep atyre hapësirë për të manovruar. Si pasojë, të ardhurat e tyre shpesh kanë tendencën të nënvlerësohen. Megjithatë është e mundur të përshkruhet struktura e të ardhurave në mënyrë të saktë, edhe pse të dhënat e të ardhurave për të vetë-punësuarit paraqiten me vonesa të gjata.Të dhënat e fundit të vërteta flasin me shifra të vitit 2011.

Rezultatet për vitet 2012 dhe 2013 janë bazuar në informatat më të reja dhe për këtë arsye është vlerësuar vetëm vlera.

Grupi i personave të vetëpunësuar përfshin lloje shumë të ndryshme të situatave të punës, duke filluar nga punëtorët atipikë, si persona të vetë-punësuar që punojnë me bazë kontrate, persona që fitojnë të ardhurat e tyre nga marrëveshjet e qirasë dhe personat e vetëpunësuar që ndjekin aktivitete sipërmarrëse. Në vitin 2011, numri i personave që ndërmarrin aktivitete vetëpunësimi arriti në 775.610 në Austri, nga të cilët 324.655 persona ishin ekskluzivisht të vetë-punësuar dhe 450.955 personat e tjerë merrnin të ardhura shtesë nga aktivitete që kanë lidhje me punësimin ose nga pensionet (raste të përziera).

Të ardhurat mesatare vjetore (para taksave dhe pas zbritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore) të personave ekskluzivisht të vetë-punësuar arriti në 10.944 EURO në vitin 2011 (gratë: 7797 EURO, meshkujt: 14.027 EURO), ndonëse sektorët ekonomik ndryshonin në mënyrë të konsiderueshme.Të ardhurat më të larta u gjeneruan nga personat ekskluzivisht të vetëpunësuar që kryejnë shërbime shkencore dhe teknike të pavarura: të ardhurat e tyre mesatare llogariten në shumën 19.530 EURO në vitin 2011. Personat e vetëpunësuar në sektorin e informacionit dhe komunikimit fitojnë mesataren e dytë më të lartë të të ardhurave, e cila shkon në shumën 16.597 EURO. Personat e vetëpunësuar që merren me art, shërbime argëtuese dhe performuese ishin në fund të shkallës së të ardhurave me të ardhura mesatare prej 7861 EURO.

Diferenca thelbësore gjinore ka edhe midis të vetë-punësuarve. Në këtë drejtim, duhet theksuar se ato linja të biznesit që vijnë me një nivel të lartë të ardhurash kanë një disavantazh mjaft të lartë të të ardhurave për gratë. Të ardhurat e grave dhe burrave devijonë veçanërisht në sektorin shëndetësor dhe social, ku gratë fitojnë vetëm 12% të të ardhurave mesatare të burrave. Kjo ndodh veçanërisht për shkak të strukturës specifike gjinore brenda këtij sektori: ndërkohë që më shumë se dy e treta e burrave të cilët janë ekskluzivisht të vetë-punësuar në sektorin shoqëror dhe shëndetësor janë të pozicionuar në nënklasë të ardhurash të larta, femrat shpesh e gjejnë veten në nënklasë me një nivel shumë të ulët të ardhurash. Gratë gjithashtu përballen me një disavantazh të madh në të ardhura për sa i përket sektorit të prodhimit, pasurive të patundshme dhe sektorit të strehimit, si dhe në shërbimet shkencore dhe teknike të pavaruara, ku të ardhurat e tyre mesatare janë midis 39% dhe 52% të të ardhurave mesatare të burrave. Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit, si dhe arti, argëtimi dhe aktivitetet rekreative kanë dallime me të vogla gjinore të të ardhurave. Në këto linja biznesi, të ardhurat mesatare të femrave llogaritet në 76% të të ardhurave të kolegëve të tyre meshkuj.

Personat të cilët marrin të ardhura shtesë nga aktivitete që lidhen me punësimin apo pensionet (rastet e përziera) marrin të ardhura mesatare që arrijnë në 28.397 EURO (gratë: 21.684 EURO, meshkuj: 34.358 EUR) në vitin 2011