Në kuadër të procesit të integrimit, u zhvillua në Bruksel më datë
9 dhjetor, 2022, takimi i parë bilateral mbi Kriterin Ekonomik dhe Kapitullin
32 “Kontrolli Financiar”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit si pjesë e delegacionit të Shqipërisë
u përfaqësua nga znj. Valbona Gaxha, Sekretar i Përgjithshëm dhe raportues
kryesor, si dhe znj. Dëshira Huqi, përgjegjës sektori.
Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqiti në këtë takim mbi nënkomponentin e Kapitullit 32, “Auditimi i Jashtëm”, një kuadër të plotë dhe të qartë të organizimit dhe funksionimit të një institucioni modern auditimi, prioritetet strategjike për të ardhmen, si dhe angazhimin institucional të vazhdueshëm në luftën kundër korrupsionit.
Si pjesë përbërëse e komponentit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion i pavarur i auditimit të jashtëm, i cili e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje të plotë me ISSAI’t në cilësinë e anëtarit të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe mbështet Kuvendin e Shqipërisë për një llogaridhënie dhe shqyrtim efektiv të përdorimit të fondeve publike.
Sa i përket në tërësi Kapitullit 32 “Kontrolli Financiar”, u
paraqitën prezantimet respektive mbi kontrollin e brendshëm financiar publik,
mbrojtjen e interesave financiare të BE-së kundër mashtrimit në menaxhimin e
fondeve të BE-së, si dhe sigurimi i kushteve bazë për mbrojtjen e euros nga
falsifikimi.