Kontrolli
i Lartë i Shtetit, ka ushtruar gjatë vitit 2022 auditimin e performancës me temë
“Mbrojtja dhe administrimi i Monumenteve
të Kulturës”.
Subjekt
i këtij auditimi ishte Ministria e Kulturës dhe disa prej institucioneve
të saj të varësisë si: Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër,
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Instituti Kombëtar i
Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).
Nga
auditimi i kryer në subjektet e sipërcituara, janë konstatuar shkelje lidhur me
procedurën e miratimit dhe zbatimit të projektit “Rikonstruksioni i fasadës dhe
Çatisë së objektit brenda Qendrës Historike Shkodër”, duke sjellë pasojën e rëndë
të tjetërsimit të karakteristikave të objektit, pjesë e ansamblit historik
rruga “Gjuhadol”, deklaruar si pasuri kulturore me VKM nr.771, datë 30.09.2020
“Për deklarimin pasuri kulturore të Qendrës Historike të Qytetit të Shkodrës, Përcaktimin
e Zonës Mbrojtëse të saj dhe miratimin e
planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre”.
Auditimi
i KLSH-së, ka evidentuar gjithashtu shkelje gjatë procesit të zbatimit të
punimeve për realizimin e projektit të restaurimit të objektit “Kafe e Madhe”,
të cilat kanë sjellë pasojën e parikuperueshme të shembjes së objektit monument
kulture i kategorisë I.
Për
sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë
Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër kallëzimin penal për veprën penale “Shkatërrim
i veprave kulturore”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 160 i Kodit
Penal.