Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Spitalin Rajonal Vlorë
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI), sipas Programit të Auditimit nr.148/1, datë 28.01.2021, për periudhën nga 01.04.2017 deri më 31.01.2021 ushtroi auditim përputhshmërie në Spitalin Rajonal Vlorë.
Në përfundim, grupi i auditimit konkludoi në një “opinion të kualifikuar të përputhshmërisë me theksim të çështjes”, si për aspektin financiar ashtu për aspektin e përputhshmërisë.
Institucioni për periudhën nën auditim paraqet të meta dhe mangësi në disa prej drejtimeve të veprimtarisë, të cilat lidhen kryesisht me veprimet dhe mosveprimet e administratës së Spitalit, nga të cilat janë konstatuar dëme ekonomike në vlerën prej 990,722 lekë dhe efekt financiar negativ në vlerën 198,853,808 lekë. Efektet e mësipërme konstatohen kryesisht në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, mos ndërmarrja e veprimeve për të shmangur çështjet gjyqësore dhe mos likuidimi në kohë i tyre, mos ndjekja me rigorozitet e zbatimit të kontratave, mungesat e raportimeve periodike, etj. Ndërkohë, mangësi të karakterit organizativ vihen re në përcaktimin e kritereve të kualifikimit jashtë objektit të prokurimit, mos kualifikimi i duhur i operatorëve ekonomik fitues referuar kritereve të përcaktuara, mos përdorimi dhe dokumentimi me rigorozitet i lëvizjeve brenda farmacisë dhe mos rakordimi mes përgjegjësve për këtë çështje. Shpesh proceset dhe dokumentimi i ngjarjeve bëhet në mënyrë formale, pa i kushtuar rëndësinë e duhur një detyrimi të tillë, i cili pasohet me efekte organizative apo financiare. Gjithashtu konstatohet se ka paqartësi në funksionet dhe kompetencat e strukturave drejtuese.
Me Vendimin nr.152, datë 11.10.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar, ku janë rekomanduar: 1 propozim për ndryshime apo përmirësime të kuadrit ligjor në fuqi; 47 masa organizative; 2 masa për shpërblim dëmi dhe 4 masa për eliminimin e efekteve negative financiare.
Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm: