Manuali i Auditimit të Përputhshmërisë
Përputhshmëria me ligjet, aktet dhe normat është një
element thelbësor i qeverisjes.
Të gjitha njësitë e sektorit publik si administrues e përdorues të fondeve
publike, kanë detyrimin që veprimtaritë e tyre vendimmarrëse dhe zbatuese tí
zhvillojnë brenda një kuadri të caktuar ligjor e rregullator.
Koncepti i përputhshmërisë (pajtueshmërisë) merr një
rëndësi të veçantë në kushtet kur kërkesa për performancë në sektorin publik
është gjithnjë e në rritje, dhe marrja e sigurisë referuar përputhshmërisë me
ligjet dhe rregullat, konsiderohet si një dimension jetik i përgjegjshmërisë në
qeverisje.
Për vet rolin tejet të rëndësishëm në procesin e dhënies së sigurisë për
përputhshmërinë në qeverisjen e sektorit publik, Kontrolli i Lartë të Shtetit
(KLSH) vihet në pozicion kyç midis tre palëve të rëndësishme: Parlamentit,
Publikut dhe Njësive të Audituara.
KLSH, si institucioni më i lartë auditues publik në
Shqipëri siguron përmbushjen e misionit të tij kushtetues dhe ligjor lidhur me
përputhshmërinë nëpërmjet kryerjes së auditimeve të përputhshmërisë.
Sipas INTOSAI-t, konceptet e transparencës, llogaridhënies, administrimit dhe
mirëqeverisjes në sektorin publik janë parimet bazë të mirëqeverisjes. Ligjet,
aktet normative dhe ato nënligjor përcaktojnë “kufijtë” e aktiviteteve që duhet
të kryejnë institucionet publike për qytetarët, objektivat që synohen të
arrihen si dhe mbrojtjen e të drejtës së publikut duke siguruar drejtësi,
paanshmëri, ndershmëri dhe objektivitet në ushtrimin e funksioneve publike. Për
të realizuar objektivat dhe përmbushur misionin për të cilin janë krijuar,
njësive qeverisëse (të çdo niveli) ju besohen fonde publike, ndaj është
përgjegjësi e drejtuesve të njësive publike të përgjigjen dhe të jenë
transparentë për veprimtarinë e tyre si edhe të sigurojnë se i administrojnë
këto fonde në pajtim me kriteret ligjore e normuese. Nëpërmjet auditimit të
përputhshmërisë, KLSH luan një rol të rëndësishëm duke garantuar se parimet e
transparencës, përgjegjshmërisë dhe qeverisjes së mirë, aplikohen dhe
përmbushen.
Sipas përcaktimit të ISSAI 100 “Auditimi i përputhshmërisë përcakton se deri në
ç’masë subjekti i audituar ndjek rregullat, legjislacionin dhe aktet normative,
politikat, kodet e miratuara apo kushtet e përcaktuara si, kushtet e kontratës
apo klauzolat e një marrëveshjeje financimi.”
Auditimi i përputhshmërisë promovon transparencën
duke ofruar raporte të besueshme për fondet nëse janë administruar dhe të
drejtat e qytetarëve për një proces të rregullt janë respektuar siç kërkohet
nga kuadri ligjor, rregullator në fuqi.
Auditimi i përputhshmërisë promovon përgjegjshmëri
ndaj devijimeve të raportimit dhe ndaj shkeljeve të kuadrit ligjor rregullator,
në mënyrë që të mund të merren veprime korrigjuese dhe personat përgjegjës të
përgjigjen për veprimet e tyre.
Auditimi i përputhshmërisë promovon qeverisjen e
mirë duke identifikuar dobësitë dhe devijimet nga ligjet dhe rregulloret, si
dhe duke vlerësuar rregullshmërinë aty ku kuadri ligjor rregullator
rezulton i pamjaftueshëm dhe/ose i papërshtatshëm.
Mashtrimi dhe korrupsioni, për shkak të natyrës së
tyre, përmbajnë elementë që janë në kundërshtim me transparencën, përgjegjshmërinë
dhe administrimin e mirë. Prandaj auditimi i përputhshmërisë promovon
qeverisjen e mirë në sektorin publik duke marrë parasysh rrezikun (risku)
e mashtrimit në lidhje me përputhshmërinë.