Bashkëpunime me Institucionet të Tjerë

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi, të nisur nga interesi dhe ndjeshmëria e qytetarëve për efektshmëri dhe efiçiencë në luftën kundër korrupsionit.

Në bazë të kësaj marrëveshje, të dyja palët do të punojnë së bashku të evidentojnë saktë shkeljet që përbëjnë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike, administrimit të pronës publike dhe privatizimit të saj. Të dy institucionet do të marrin masa për plotësimin e rregullt të kallëzimeve penale, për kryerjen e hetimeve paraprake, ushtrimin e ndjekjes penale, si dhe ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës në afate sa më të shpejta, në zbatim të ligjit penal dhe të atij të procedurave penale.
Bashkëpunimi i institucionalizuar dhe konkret i audituesve të KLSH me prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Prokurorive rajonale do të mundësojë depozitimin e kallëzimeve penale më të bazuara në ligjin dhe kërkesat e Prokurorisë, si dhe një ndjekje me përparësi nga Prokuroria e rasteve të sjella nga KLSH. Sipas dy titullarëve, ky bashkëpunim do të konkretizohet brënda dy javëve në vijim, me një trajnim të audituesve të KLSH nga ana e prokurorëve dhe ekspertëve të çështjeve penale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Kjo marrëveshje për KLSH vjen pas nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me Autoritetin të Konkurrencës dhe me 6 OJF aktive në luftën kundër korrupsionit.