Bashkëpunime me Institucionet Homologe

KLSH merr pjesë në takimin vjetor të Komitetit për Ngritjen e Kapaciteteve të INTOSAI-t

Në datën 3-6 Shtator 2018, në Kuvajt City u mbajt takimi vjetor i Komitetit për Ngritjen e Kapaciteteve të INTOSAI-t. Ky takim u realizua me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Inisiativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI) dhe Sekretariatin e Donatorëve të këtij Komuniteti Global të Auditimit.
Në ditën e saj të parë, konferenca u zhvillua nën moton “Të frymëzojmë dhe inkurajojmë njëri-tjetrin”. Fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i SAI-t Kuvajtian dhe moderatorët të përfaqësuar nga Zv/Kryetari i SAI-t Suedez dhe Presidenti i SAI-t Afrikano-Jugor. Një diskutim mbresëlënës i kësaj dite, ishte ai i përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, z. Jens Wandel, mbi mundësitë dhe nevojat për rritjen e kapaciteteve.

kuvait1_copy_1

Foto e realizuar gjatë takimit me Princin e Kurorës së shtetit të Kuvajtit, z. Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, në të cilin morën pjesë Drejtues të disa SAI-ve dhe përfaqësues të Komunitetit të donatorëve : Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s, z. Gene L. Dodaro; Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kuvajtit, z. Adel Al-Sarawi; Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, Presidenti i SAI-t të Hungarisë, z.Laszlo Domokos; Drejtoresha e Përgjithshme e Gjykatës Austriake të Auditimit, zj.Monika Gonzalez-Kross, etj.

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në këtë aktivitet, të përfaqësuar nga z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së dhe z. Rinald Muça, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës, u shtri në tri drejtime kryesore, të cilat u realizuan përgjatë ditës së dytë dhe të tretë të konferencës nën motot respektive “Njerëzit të parët” dhe “Përpara sëbashku”. Konkretisht:

Në takimin e realizuar nga CBC dhe IDI, ku ishin të pranishëm SAI nga vende të ndryshme, të zhvilluara dhe në zhvillim të botës, pjesëmarrja e delegacionit shqiptar ishte rrjedhojë e ftesës së NIK-ut polak. Kjo ftesë erdhi në kuadrin e përfundimit me sukses të projektit IPA dhe qëllimi ishte ndarja e eksperiencës së përbashkët me komunitetin e donatorëve dhe SAI-t e tjera mbi shkëmbimin e dijeve dhe ekspertizës përmes proceseve IPA. Sëbashku me 4 grupe të tjera, grupi Poloni-Shqipëri prezantoi historikun, rezultatet, sfidat dhe leksionet e nxëna nga bashkëpunimi 2-vjeçar IPA. Prezantimi mori formën e një panairi idesh, ku, në tryeza të rrumbullakëta, të pranishmit shëtisnin midis prezantuesve për të kuptuar, bërë pyetje dhe filtruar ide se cila mund të ishte forma më efektive dhe eficiente për të bashkëpunuar me kolegë të huaj në rritjen e kapaciteteve të institucioneve respektive. Në prezantimin Poloni-Shqipëri, z. Jacek Jezierski, ish-President i NIK-ut polak, e vuri theksin tek rëndësia e përkushtimit të lidershipit në ngritjen e kulturës së ndryshimit të vazhdueshëm brenda institucionit, duke vlerësuar lart rolin e Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj, si promotor dhe mbështetës i pakompromis drejt kësaj kulture. Zoti Jezierski u shpreh se: “Lidershipi i KLSH-së e kishte të qartë se cilat ishin nevojat institucionale, si duhej adresuar ndryshimi dhe ku duhej shtrirë bashkëpunimi me kolegët polakë. Një vizion i tillë nga lidershipi është premisa parësore dhe guri i themelit në rritjen e kapaciteteve dhe suksesin institucional, drejt një bote që ndryshon vazhdimisht.”

kuvait2_copy_1

Në fjalën e tij, z. Leskaj theksoi se roli i SAI-eve kudo në botë është në rritje dhe SAI-t e vogla duhet të bëjnë çdo përpjekje që ta rrisin edhe më tej këtë rol, duke mësuar nga eksperienca e më të mirëve. “Ne, – nënvizoi z. Leskaj, - jetojmë në realiete dhe të vërteta kontekstuale. Por në fakt, përgjigjet për sfidat që ndeshim në këto realitete janë globale dhe të testuara në masë të madhe nga vendet e zhvilluara. Një nga rrugët më të mira për të kursyer kohë, përmirësuar performancën tonë dhe globalizuar kapacitetet, është bashkëpunimi dhe shkëmbimi i eksperiencës”. Prezantimi i grupit Poloni-Shqipëri, i realizuar nga z. Rinald Muça, u prit me mjaft interes dhe pyetje të shumta nga të pranishmit, duke u cituar edhe si “best practice” nga moderatori i panelit, z. Magnus Lindell, Zv/Kryetar i SAI-t suedez.

kuvait3_copy_1

Së dyti, në frymën e bashkëpunimit të ngushtë dhe miqësor me SAI-n kuvajtian, me të cilin KLSH zhvilloi edhe një konferencë shkencore në Prill të këtij viti, delegacioni shqiptar u prit në mënyrë të posaçme nga Presidenti i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kuvajtit, z. Adel Al-Sarawi. Në këtë takim, u diskutuan dhe u dakordësuan modalitetet mbi konferencën e ardhshme midis dy institucioneve tona, që do të mbahet në Shqipëri, në Pranverën e vitit 2019. Tema e konferencës do të jetë “Pavarësia e auditimit dhe sfidat e qeverisjes së mirë”. Pala kuvajtiane bëri një prezantim të hollësishëm të manualit mbi qeverisjen e mirë, manual të cilin e kishin përgatitur dhe promovuar edhe në komunitetin ndërkombëtar, specifikisht me Bankën Botërore dhe Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Nga ana tjetër, pala shqiptare bëri një prezantim mbi sfidat e pavarësisë në auditim, si në mjedisin e jashtëm, e fokusuar kjo pavarësi kryesisht në aspektin financiar, ashtu edhe në mjedisin e brendshëm, e përkufizuar më së shumti si sfidë e etikës dhe integritetit në auditim. Ky takim u përmbyll në një atmosferë të ngrohtë e shumë miqësore, ashtu sikurse edhe nisi.

kuvait4_copy_1

Së fundmi, gjatë kësaj vizite, delgacioni shqiptar u takua dhe forcoi fijet e bashkëpunimit me një sërë delegacionesh të tjera ku vlen të veçohet takimi me Audituesin e Përgjithshëm të GAO-s amerikane z. Gene L. Dodaro dhe stafin e tij, të cilët pritet të zhvillojnë një vizitë në KLSH në fundin e këtij muaji. Po ashtu, nën kujdesin e z. Al-Sarawi dhe z. Dodaro, një grup i vogël personalitetesh, të përbërë nga Presidentët dhe Kryetarët e SAI-eve të pranishme në këtë vizitë, u pritën nga Princi i Kurorës së shtetit të Kuvajtit, z. Nawaf Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah dhe Kryeministri, z. Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah.