KLSH

Bashkëpunime me Institucionet Homologe

Kryetari i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj, dhe , Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Sllovenisë Dr. Igor Šoltes nënshkruajnë një Marrëveshje Bashkëpunimi.

Më datë 25 prill 2012 në Ljubjanë të Sllovenisë, Dr. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Sllovenisë, Dr. Igor Šoltes. Marrëveshja u nënshkrua në prani të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Slloveni, z. Sandër Kovaçi.
Delegacioni shqiptar i KLSH-së, i kryesuar nga kryetari Dr. Bujar Leskaj, ndodhej në Ljubjanë me rastin e një vizite i ftuar nga presidenti i Gjykatës Sllovene të Auditimit, Dr. Igor Šoltes.

Marrëveshja ishte frut i një korrespondence tremujore. Ajo u përgatit  në bazë të parimeve të përbashkëta të respektit, besimit dhe bashkëpunimit dypalësh të  Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Auditimit Suprem (INTOSAI) si edhe të Organizatës Europiane të Institucioneve të Auditimit Suprem (EUROSAI).
Në Deklaratën e Limës (Neni 15)  theksohet se shkëmbimi ndërkombëtar i eksperiencës dhe i informacionit shërben si një mjet i mirë ndihmues për institucionet e kontrollit te lartë, për të përmbushur detyrën e tyre.

Kjo përfshin  shkëmbimin e mësimeve të nxjerra, sikundër trajnimin e audituesve dhe këshillimin mbi metodat e auditimit. Duke patur parasysh ndryshimet në kuadrin ligjor dhe ekonomik të secilit shtet, është e mundur të përdoret eksperienca e fituar nga të tjerët si bazë rritjen e efektivitetit dhe efiçiences së auditimit. 

Dokumenti i nënshkruar është shumë i rëndësishëm për KLSH-në. Institucioni Suprem i Auditimit në Slloveni është modern, një ndër institucionet më profesionale në Evropë.

Nëpërmjet mbështetjes së parashikuar në marrëveshje, KLSH dhe Gjykata e Llogarive e Sllovenise do të shkëmbejnë eksperiencë në auditimin financiar, atë të përputhshmërisë dhe të performancës, si dhe në çertifikimin e deklaratave financiare. Ata po ashtu do të eksplorojnë mundësitë për të përgatitur projekte të përbashkëta, për të forcuar kapacitetet e KLSH në planifikimin strategjik dhe përdorimin e teknikave të auditimit modern.