Njoftime

Kryetari i KLSH takoi Përfaqësuesen e Përhershme te Bankës Botërore në Shqipëri.

08.03.2012

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Bujar Leskaj takoi Përfaqësuesen e Përhershme të Bankës Botërore në Shqipëri, Znj. Kseniya Lvovsky dhe z.Rajeev K. Swami, Specialist i Lartë i Menaxhimit Financiar për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore  të BB . 
Z. Leskaj vlerësoi kontributin e Bankës Botërore për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të ndryshme qeveritare dhe institucioneve të tjera shtetërore të vendit dhe u shpreh optimist në ndihmën konkrete në nivel të ekspertizës që ky institucion prestigjoz ndërkombëtar mund t’i ofrojë KLSH-së.
 
Ai i prezantoi zj. Lvovsky përparësitë strategjike të KLSH-së, sikurse janë intensifikimi i punës për zbatimin e standardeve të përditësuara të INTOSAI dhe rritja e performancës së stafit të institucionit në auditimin e performancës dhe në atë financiar, krahas thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe parandalimin e tij.  
 

Nga ana e saj, Zj. Lvovsky e uroi Kryetarin Leskaj për detyrën dhe për këndvështrimin e ri strategjik të institucionit, duke cilësuar se KLSH ka një pozicion shumë jetik për t’u dhënë jo vetëm donatorëve, por edhe taksapaguesve shqiptarë sigurinë se paratë e tyre shpenzohen si duhet.
 
Ajo premtoi se Banka Botërore do t’i shikonte shumë shpejt mundësitë konkrete të saj për dhënien e asistencës teknike për KLSH.
Z. Swami vlerësoi Projekt-Idenë e z.Leskaj për KLSH, paraqitur në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat në dhjetor 2011 dhe materialin e tanishëm të paraqitur nga KLSH me ide konkrete për bashkëpunim. Ai tha se BB disponon shumë mënyra dhe instrumenta për ta ndihmuar realisht KLSH-në në rritjen e kapaciteteve institucionale.