Njoftime

Ambasadori i BE-së Sequi takon kryetarin Leskaj: Për një rritje të përgjegjësisë menaxheriale të strukturave publike

21.11.2012

  sequi kryetari

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi priti në një takim pune Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Leskaj. Z. Leskaj i paraqiti Ambasadorit leximin e plotë dhe me përgjegjësi që stafi i KLSH i ka bërë rekomandimeve për auditimin e jashtëm, të përmbajtura në Progres Raportin 2012 të BE-së për Shqipërinë, si dhe punën që po bën institucioni i tij në zbatim të këtyre rekomandimeve.

Ai theksoi dy sfidat kryesore të KLSH, modernizimin e institucionit dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit. Leskaj përmendi që këtë vit numri i ditëve të trajnimit për auditues është gjashtëfishuar, në krahasim me vitin e kaluar, si dhe numri i kallëzimeve penale vetëm për periudhën janar-tetor 2012 është një herë e gjysmë me shumë se sa numri i tyre.Ambasadori Sequi vlerësoi përparimin e kryer nga KLSH dhe nënvizoi rëndësinë që ka dhe rolin që ky institucion mund të luajë në rritjen e përgjegjshmërisë së menaxhimit nga ana e strukturave publike dhe në luftën kundër korrupsionit. Në këtë këndvështrim, Delegacioni i Bashkimit Europian është duke planifikuar që të mbështesë forcimin e auditimit në Shqipëri nëpërmjet instrumentit të asistencës IPA. Kryetari Leskaj e garantoi Ambasadorin për vullnetin e tij dhe të institucionit për të përmbushur detyrimet kushtetuese, në përputhje me kërkesat e standardeve INTOSAI.

Ambasadori Sequi nga ana e tij sygjeroi që arritjet, gjetjet dhe rekomandimet e KLSH të bëhen të ditura sa më gjerë, jo vetem në publik, por edhe në të gjitha institucionet shqiptare që komunikojnë me strukturat e BE-së dhe influencojnë në procesin e integrimit.

Ambasadori Sequi në një të ardhme të afert do të vizitojë zyrat e KLSH, për t’u njohur me gjerësisht me punën dhe reformat e kryera nga ky institucion.