Njoftime

KLSH kallëzon në Prokurori dy ish-kontrollorë të tij për shkelje të kryera në vitet 2009, 2010

11.01.2013

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të drejtimit të tij për një qeverisje të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe parandalimit të tij, si dhe duke u nisur nga denoncime dhe indicie të qytetarëve dhe shoqërisë civile ardhur në adresë të tij; ka ndërmarrë verifikimin e një pjese të materialeve të mëparshme të kontrollit të ushtruara nga ky institucion, në respekt dhe të ankesave të qytetarëve, nga ku kanë rezultuar shkelje ligjore të kryera nga disa prej ish-punonjësve të KLSH.
Me konstatimin e këtyre shkeljeve të kryera në vitet 2009 dhe 2010, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dy kallëzime penale për dy prej ish-kontrollorëve të këtij institucioni, dhe konkretisht ndaj personave F.D dhe J.P, me akuzën e “Fallsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga nenin 186 dhe 248 i Kodit Penal.

Në lidhje me kallëzimin penal ndaj ish-kontrollorit F.D, KLSH sqaron se ky person në kundërshtim të plotë me Rregulloren dhe Kodin Etik të KLSH-së, ka mbajtur më datë 16.6.2009 aktverifikimin në ish-Zyrën Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave - Qarku Durrës, në mënyrë të parregullt, duke nënshkruar e firmosur në emrin e njërit prej kolegëve të tij i cili nuk ka qenë në grupin e punës dhe nuk ka marrë pjesë në kontrollin e mësipërm.

Si rrjedhojë e këtij falsifikimi, janë nxjerrë tre shkresa me objekt: “Për kompetencë e veprim” drejtuar AKKP-së, Bashkisë Durrës dhe ZRPP - Durrës, në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, veprime këto që kanë sjellë si pasojë bllokimin në mënyrë të kundërligjshme të së drejtës së posedimit të pronës së një subjekti privat, për një periudhë disa vjeçare.

Në lidhje me kallëzimin penal të bërë ndaj ish-kontrollorit me inicialet J.P, KLSH sqaron se nga shqyrtimi i këtyre dosjeve të mëparshme të kontrollit të vitit 2009 të ushtruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore, Tiranë (Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj), janë evidentuar shkelje të procedurave të kontrollit që konsistojnë në trajtimin e ndryshëm të të njëjtit fenomen nga një subjekt tatimpagues tek tjetri dhe mospasqyrimin e detyrimeve të konstatuara në procesverbalet e kontrollit në Projekt Raportin dhe Raportin Përfundimtar të kontrollit.

Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në subjektet tatimpaguese me aktivitet në ndërtim objektesh banimi (pallate), nga grupi i kontrollit të KLSH-së, është shmangur evidentimi në Raportin Përfundimtar të kontrollit të detyrimeve që disa prej këtyre subjekteve private duhej të paguanin në favor të shtetit, veprime këto që kanë shkaktuar një dëm ekonomik të përllogaritur në vlerën 13,231,358 lekë.