Njoftime

KLSH promovon botimet për standardet INTOSAI dhe aktivitetet e tij

22.04.2013

Me rastin e Ditës Botërore të Librit, KLSH, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare organizoi më 20 prill 2013 në Sallën Amerikane të kësaj Biblioteke promovimin e 10 librave të tij për standardet e fushës INTOSAI, për historikun e institucionit, marrëdhëniet e KLSH me Kuvendin, analizat e rezultateve të tij dhe tre numrat e vitit 2012 të revistës shkencore periodike “Auditimi Publik”.

photo

Në përshëndetjen e tij, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari theksoi rëndësinë e mesazheve dhe të informacionit që lexuesi shqiptar dhe mbarë shoqëria shqiptare marrin nëpërmjet botimeve të KLSH. Ai u shpreh se “gjykimet dhe opinionet e një institucioni si KLSH na interesojnë të gjithëve, pasi të gjithë ne jemi përfitues nga shërbimet që sigurohen me paranë publike dhe duhet ta dimë se si harxhohet ajo”. Z. Plasari siguroi mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson në aktivitete të tjera të ngjashme që mund të zhvillohen në të ardhmen nga KLSH.
Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj nënvizoi se “Këto botime u vijnë në ndihmë jo vetëm audituesve në punën e tyre, por edhe qytetarit dhe vendim-marrësve publikë, për të kuptuar rolin thelbësor të auditimit suprem në përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të parasë publike, e cila buron pikërisht nga kontributet e qytetarëve tatimpagues. Ato përmbajnë një këshillim profesional, si dhe komunikim me publikun dhe Parlamentin dhe me palët e tjera të interesit, profesionistet apo qytetarët e angazhuar në shoqërinë civile”.

Të dhjetë botimet e prezantuara ishin “EUROSAI” (Institucionet Supreme Europiane të Auditimit), “Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit”, “Standartet e Auditimit INTOSAI” (ISSAI), Revista “Auditimi Publik” Nr. 1, 2 dhe 3, “Udhëzuesi i Auditimit të Performancës”, ”KLSH Analiza Vjetore 2011” , “KLSH në Kuvend 2011” dhe “KLSH Analiza Gjashtëmujore Janar-Qershor 2012” .

ph9oto

Të ftuar në këtë promovim ishin ekspertë të njohur të shkencave të kontabilitetit dhe auditimit, profesorë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucioneve të tjera shtetërore partnere me KLSH