Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori ish Drejtorin dhe 2 ish Përgjegjës Sektori të Aluizni Elbasan

16.06.2016

 

-Kanë kryer legalizime të jashtëligjshme për 17 objekte, në zona pranë liqenit të Belshit, pranë shtratit të lumit Shkumbin, në mbivendosje me pronat e tjera dhe në kushtet e konfliktit të interesit;
-I kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm ekonomik në vlerën 4,282,918 lekë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 130/1,  datë 02.02.2016,  ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) Elbasan, për periudhën 2012- 2015.

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

1.Të meta e mangësi në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe certifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit  për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, datë 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, VKM nr. 438, datë 28.6.2006, ndryshuar me VKM nr. 280, datë 01.04.2015 "Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje". 
2.Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në;
-7 raste, në Bashkinë Belsh janë kryer legalizime të objekteve informale në kufirin mbrojtës të liqenit në pronën me status juridik të pasurisë “liqen”, në kundërshtim me pikën 5 e nenit 2 dhe nenin 3, të ligjit nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, i ndryshuar dhe pika 2 e paragrafit 3/iii, të VKM nr. 438, datë 28.06.2006 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”, i ndryshuar;
- 10 raste, në Bashkinë Elbasan dhe Librazhd, objektet informale të legalizuara nuk kanë ruajtur distancat e lejuara me shtratin e lumit Shkumbin dhe parcelat e legalizuara kanë mbivendosje me prona të tjera, në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, me pikën 5 të nenit 2 dhe nenin 3 të Ligjit nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, i ndryshuar dhe VKM nr. 438, datë 28.06.2006, ndryshuar me VKM nr. 280, datë 01.04.2015 "Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje", pika 2/c, si dhe janë dhënë leje  legalizimi në kushtet e ekzistencës së konfliktit të interesit, pasi janë nënshkruar akt kualifikimet e objekteve informale nga ish-punonjësja V.H., e cila ka qenë njëkohësisht drejtues teknik i shoqërisë ndërtuese, në kundërshtim me ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, neni 3/ 1, pika 1/b e nenit 4 dhe neni 7/1.

3.Në 16 praktika, llogaritja e vlerës së parcelës ndërtimore është bërë në referencë të VKM nr. 187, datë 06.03.2013 “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të RSH”, duke përcaktuar çmim/m2 sipas zonave kadastrale, veprim në kundërshtim me VKM nr. 1620, datë 26.11.2006 “Për miratimin e çmimit të trojeve që ndodhen në të gjithë Bashkitë dhe disa Komuna”, si dhe janë evidentuar praktika ku vlera e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur, duke i shkaktuar një  dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në vlerën 4,282,918 lekë.

Për ish Drejtorin I.K., të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Elbasan dhe ish përgjegjësit e sektorëve V.H. e H.P., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.