Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori ish Regjistruesin, ish Hartografin dhe dy juristë të ZVRPP Kukës

09.09.2016

 

Kanë kryer veprime shpronësimi për  llogari të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), në regjistrimin e Pasurive Publike Shtetërore  të përfituara nga shpronësimi për interes publik për Aeroportin e Kukësit,  në administrim të AAC,  në 4 raste në sipërfaqen prej  23,778 m2, duke shpërblyer 4 subjekte private në vlerën rreth 14,3 milionë lekë ose  104,000 Euro, pa patur titullin e pronësisë (Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi-AMTP), duke i shkaktuar  dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit.
 
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 311/1, datë 15.03.2016, i ndryshuar, ka ushtruar auditim në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme  Kukës, për periudhën 01.01.2012 deri më 31.12.2015. Në përfundim të auditimit u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, për të cilat janë rekomanduar masat përkatëse për përmirësimin e gjendjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive, të miratuara me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së me nr. 71, datë 29.06.2016, të cilat janë përcjellë në subjekt me shkresën nr. 311/9, datë 30.06.2016.

Nga auditimi i dokumentacionit të vënë dispozicion në lidhje me regjistrimet e pasurive të paluajtshme në favor të Autoritetit Aviacionit Civil në zbatim të VKM nr. 95, datë 10.02.2004 “Për shpronësimin për interes Publik të Pasurive të Paluajtshme që preken nga ndërtimi i Aeroportit të Kukësit dhe rrugëve të reja të tij” dhe VKM nr. 892, datë 22.12.2004 “Për plotësimin e dokumentacionit të pronësisë mbi tokën që zihet nga Aeroporti i Kukësit të miratuar me Vendimin nr. 1, datë 07.01.2000 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës, u konstatua se pronarët që preken nga ndërtimi i Aeroportit të Kukësit, do të shpronësohen dhe kompensohen për sipërfaqen prej 512221 m2 “Tokë bujqësore”, 1821 m2 “Truall”, 771 m2 sipërfaqe objektesh, 617 copë drufrutorë dhe 8,294,936 lekë për kulturat bujqësore me një vlerë të përgjithshme 337,153,976 lekë dhe me afat përfundimi të shpronësimit 31.03.2004.

1. Nga verifikimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga ZVRPP, rezulton të jenë kryer 6 aplikime nga Autoriteti i Aviacionit Civil për regjistrimin e pasurive të shpronësuara, sipas referencave me nr. 0943, 0944, 0945, 0947, 0950 dhe 0951 gjatë periudhës korrik 2015- korrik 2016 për regjistrimin e 65 pasurive me sipërfaqe totale 181123 m2. Megjithëse kishin kaluar rreth 11 vjet nga dalja e Vendimit nr. 95, datë 20.02.2004, nuk është regjistruar e kaluar pronësi “Shtet” ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) sipërfaqja prej 331098 m2.
Nga krahasimi i regjistrimeve të kryera, sipas 6 referencave, evidentuar në listën e miratuar të shpronësimeve, rezulton se për 65 subjekte, janë regjistruar 12548 m2 më shumë se sipërfaqet e përcaktuara në listat e shpronësimit, të cilat me çmimin 600 lekë/ m2, vlerësohen në 7,528,800 lekë.

2. Nga auditimi rezultoi se është dhënë sipërfaqja prej 31433 m2 më tepër se sipërfaqet e përcaktuara në listat e subjekteve të shpronësuar, të cilat me çmimin 600 lekë/ m2 llogariten në një vlerë prej 18,859,800 lekë, si pasojë e mossaktësimit të gjendjes juridike të pronësisë.

3. Nga auditimi i dokumentacionit të AMTP për 65 subjekte, bazuar në 6 aplikimet e kryera nga AAC, rezultoi që në 4 raste është kryer veprimi i shpronësimit dhe i regjistrimit të pasurive duke kaluar në favor të AAC sipërfaqen prej 23778 m2, pa patur AMTP, duke shpërblyer si rrjedhojë 4 subjekte private në vlerën prej 14,266,800 lekë, gjë që përbën dëm ekonomik, në kundërshtim me Ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 “Për Regjistrimin e Pasurisë të Paluajtshme”, i ndryshuar dhe Rregulloren me nr. 184, datë 08.04.1999.

4. Nga auditimi është konstatuar mospërputhje ndërmjet emrave në listat e shpronësimit me emrat e regjistruar dhe nuk janë kërkuar dëshmi trashëgimie, apo akte të tjera që ligjërojnë veprimet e kryera. Për aplikimet e kryera nga AAC, sipas referencave të mësipërme, janë pranuar dhe janë kryer pagesa për shpronësim pa u paraqitur kopje të certifikatave të pronësisë.

5. Nga auditimi i Regjistrave të Kartelave të Pasurive të Paluajtshme  nr. 16, në 3 raste sipas referencave nr. 009, 008, dhe 004, rezultoi se është kaluar pronësia në favor të AAC pa përfituar më parë certifikatë pronësie.
Bazuar në listën e miratuar të shpronësimeve sipas VKM nr. 95, datë 20.02.2004, rezultoi se dokumentacioni i pronësisë i përfituar nga subjektet nëpërmjet komisioneve të ngritur nga komunat, është bërë pas përfundimit të afatit të përcaktuar në VKM nr. 95, datë 20.02.2004 dhe janë bërë kryesisht me AMTP shtesë, pa e krahasuar me AMTP-të e plotësuara në Mars 1994.

6. Nga auditimi rezultoi se pronësia e përfituar nga subjektet private është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 10.08.1991, rregulloren nr. 184, datë 08.04.1999 dhe me udhëzimin nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, pasi nuk janë verifikuar elementet e formës dhe të përmbajtjes të akteve administrativë, si dhe nuk janë plotësuar shtojca 1, 2, 3, veprim në papajtueshmëri me nenin 42, dhe pikën 5 neni 45, të ligjit nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për ish-Regjistruesin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kukës R.T., ish-specialistin hartograf H.K. dhe 2 specialistët juristë të  ZVRPP Kukës  B.D dhe S.T (apo dhe persona të tjerë që mund t’ju rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve), të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.