Njoftime

Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj merr pjesë në takimin e Komitetit të Kontaktit të SAI-ve të vendeve të BE-së

21.10.2016

Në datat 20-21 tetor u zhvillua në kryeqytetin  e Sllovakisë, Bratislavë takimi i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) të vendeve anëtare të BE. Në këtë takim morën pjesë si vëzhgues edhe SAI-t e vendeve kandidate dhe para-kandidate për në BE.  Morën pjesë gjithashtu përfaqësues të EUROSAI, SIGMA dhe IDI-t. Në këtë takim morën pjesë 34 SAI europiane dhe 104  pjesëmarrës. SAI mikpritës, SAI Sllovak mban edhe Presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Takimi u hap dhe u përshëndet nga Presidenti i SAI-t Sllovak, z.Karol Mitrik, i cili në fjalën e tij falenderoi presidentët dhe delegacionet e SAI-ve pjesëmarrëse  për prezencën në këtë takim të rëndësishëm. Zoti Mitrik bëri një panoramë të shkurtër të historikut të SAI-t Sllovak që nga krijimi i Dhomës së parë të Llogarive në vitin 1761 në kohën e perandorisë Austro-Hungareze deri në vitin 1993, kur u krijua Institucioni Suprem i Auditimit të Republikës Sllovake.

bratislav1

Takimi u vlerësua dhe u përshëndet dhe nga Kryetari i Parlamentit Sllovak, z. Andrej Danko, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të vendeve të BE-së, duke vecuar rëndësinë që ka thellimi i marrëdhënieve institucionale dhe njerëzore. Vëndet e BE-së duhet të bashkëpunojnë, duke ruajtur diversitetin e tyre.
Cështjet që trajtoi takimi i Komitetit të Kontaktit lidhen me problematikën aktuale të vendeve të BE-së dhe konkretisht me politikat e energjisë dhe ndryshimet klimatike në BE, me tregun europian të energjisë dhe parashikimin e auditimeve që do të kryhen në të ardhmen në këtë fushë, transformimin e sistemit të energjisë përmes transmetimit të qëndrueshëm, auditimi i implementimit të politikave të energjisë, etj.

Përfaqësues të Gjykatës Europiane të Audituesve u fokusuan në analizën e rezultateve të auditimeve të kryera nga ECA dhe SAI-t e vendeve anëtare të BE-së në fushën e energjisë dhe të ndryshimeve klimatike.
Cështje që pati interes ishte tregu i energjisë, integrimi i plotë i të cilit nuk është arritur ende (si psh tregu i cmimeve të energjisë dhe interkoneksioni), diskutim që u mbajt nga z. Xavier Lafon, Gjykata Franceze e Llogarive. Në këtë drejtim SAI-t duhet të diskutojnë sot për të ardhmen, në mënyrë që të projektohen auditime në shkallë kombëtare, të cilat do të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Për këtë SAI-t duhet të ndajnë eksperiencat e tyre, vecanërisht metodologjitë e auditimit, të ndajnë analizat e punës së tyre dhe të realizojnë auditime paralelle në këto fusha.

bratislav2

Në diskutime u përfshinë përfaqësues të ECA, SAI-ve të Francës, Suedisë, Polonisë, Danimarkës, Gjermanisë, Cekisë, Sllovakisë, Portugalisë, etj.
Gjatë zhvillimit të punimeve të takimit, Kryetari i KLSH-së takoi përfaqësues dhe drejtues të SAI-ve partnere si Presidentin e SAI-t të Polonisë z. Krzysztof Kwiatowski, Presidentin e Gjykatës Portugeze të Llogarive, z.Vitor Caldeira, Presidentin e SAI-t të Kroacisë, z. Ivan Klesic, Presidentin e SAI-t të Bullgarisë z. Tzvetan Tzvetkov, Presidentin e SAI-t Cek Miroslav Kala, Presidentin e Senatit të SAI-t të Malit të Zi, z.Milan Dabovic, zv/Presidentin e Gjykatës Turke të Llogarive, z.Fikri Ozkok, etj.

Takimi i Komitetit të Kontaktit i mbylli punimet me miratimin e konkluzioneve, nëpërmjet të cilave vuri në dukje se çështjet e energjisë dhe ato klimatike paraqesin sfidat kryesore strategjike të  shteteve anëtare të BE-së. Këto sfida kërkojnë qe të veprohet nga  nga autoritetet respektive të vendeve anëtare të BE-së, si edhe nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe Gjykata Evropiane e Audituesve.

Komiteti i Kontaktit  evidentoi se vetëm duke punuar së bashku, SAI-t mund të realizojnë detyrat e tyre të komplikuara. 
Ky takim evidentoi faktin që SAI-t e BE-së kane realizuar një numër të konsiderueshëm auditimesh mbi tema në lidhje me efikasitetin e energjisë, energjinë e rinovueshme dhe sigurinë e energjisë së përdorur. Përveç kësaj, ka ende potencial për më shumë punë në lidhje me risitë në fushën e energjisë, të integrimit të tregjeve të energjisë evropiane, duke u përshtatur me ndryshimet klimatike.

Komiteti i Kontaktit mirëpriti gatishmërinë e SAI-ve për të ndarë informacion dhe rezultatet e auditimeve në fushën e energjisë dhe të klimës, dhe sugjeroi që puna e grupeve përkatëse të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t të ketë në konsideratë këto rezultate.

Në këtë vizitë, Kryetari i KLSH-së shoqërohej nga zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe zj.Armanda Begaj, specialiste.