Njoftime

KLSH zhvillon javën e hapur për publikun

10.11.2016

Mbështetur në standardin ndërkombëtar të institucioneve supreme të auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit-të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, parimi 6 “Komunikimi efektiv me palët e interesit”, dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi Javën e Hapur për Qytetarët, nga datat 28 Tetor-04 Nëntor 2016.
Duke vlerësuar misionin e tij si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH synon forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë së tij, auditimeve dhe rezultateve të tyre, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për të përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë korrupsionin.
Gjatë kësaj jave, qytetarët vizituan mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe u njohën me historikun dhe arritjet e institucionit në 91 vitet e ekzistencës së tij nëpërmjet mini-muzeut në koridorin qendror të KLSH, dhe takimeve qe patën me drejtues, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, duke marrë të gjithë informacionin për të cilin ata ishin të interesuar duke përfshirë edhe auditimet në proces.
Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj njoftoi fillimin e javës së hapur në KLSH në datën 28 tetor 2016 në sallën e Akademisë së Shkencave, gjatë një leksioni të mbajtur nga profesori Sang M. Lee, nga Universiteti i Nebraskës, SHBA.

java1

Leksioni i Profesorit të shquar amerikan kishte në fokus disiplinën shkencore të Convergenomics-it dhe inovacionin. Dr. Lee solli në vëmendjen e pjesëmarrësve etapat e zhvillimit njerëzor: revolucionin bujqësor, atë industrial me automatizimin e punës së dorës, revolucionin informativ dhe së fundi revolucionin që ai e quajti të konvergjencës me optimizimin dhe shtimin e punës mendore dhe të dijeve. Në mënyrë analoge, shoqëria njerëzore ka kaluar nga një shoqëri agrare, në një shoqëri industriale, shoqëri informatike dhe tani sfida e saj është të kthehet në një shoqëri të dijeve.
Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, zj.Manjola Naço dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, z.Rinald Muca zhvilluan një takim me studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në datën 1 nëntor 2016.

java2

Zonja Naço dhe zoti Muça i njohën studentët me llojet e auditimeve që realizon KLSH dhe me menyrën e funksionimit të institucionit. Biseda u përqendrua kryesisht në Auditimet e Performancës të realizuara ne vitet e fundit në KLSH, si një fushë e re dhe me interes për studentët.
Pranë institucionit shfaqën interes për javën e hapur një grup prej 20 studentësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dega e Financë-Kontabilitet, viti i dytë, për t’u njohur me historikun, funksionimin dhe rezultatet e punës së KLSH. Grupi i studentëve u prit dhe u informua lidhur me pyetjet nga Z. Bajram Lamaj, auditues me përvojë të gjatë. Pas prezantimit dhe njohjes me ambientet e KLSH, studentët  u njohën me historikun e prezantuar në stendat e vendosura në këto ambiente. Me grupin e studentëve u bë një bashkëbisedim me pyetje përgjigje ku u prezantua performanca e treguesve të punës së këtij institucioni dhe metodologjitë e auditimit. Studentët morën përgjigje për të gjitha pyetjet e bëra dhe veçanërisht mbi pritshmëritë që ka nga ky institucion në luftën kundër korrupsionit dhe si organi më i lartë i auditimit publik në Shqipëri. Pyetjet mbi menaxhimin e burimeve njerëzore dhe rekrutimeve, për trajnimet dhe mundësitë e pjesëmarrjes, morën përgjigje profesionale nga stafi i KLSH-së.

java3

Leksion në Universitetin e Durrësit
Në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në datë 3 nëntor 2016, në kuadër të nismës "KLSH e hapur për publikun", znj. Luljeta Nano, Sekretar i përgjithshëm dhe Z. Edvin Stefani, Drejtor i Metodologjisë dhe Zhvillimit, në KLSH, zhvilluan një leksion me studentë të këtij fakulteti. Në takim mori pjesë edhe dekania e fakultetit Prof. Assoc. Dr. Azeta Tartaraj.
Zj. Nano mbajti një leksion ne lidhje me prezantimin e institucionit të KLSH-së, referuar zhvillimit metodologjik dhe profesional të orientuar drejt zbatimit të kërkesave të standardeve ndërkombëtare të auditimit ISSAI si dhe guidave dhe udhërrëfyesve të gjeneruara nga INTOSAI, si udhëzuesin e posaçëm për menaxhimin e burimeve njerëzore të IDI-t, indikatorët e Kornizës se Matjes së Performancës së INTOSAI-t, etj., kuadrin ligjor, rregullator dhe zhvillimin institucional.

java4

Z. Stefani mbajti një leksion në lidhje me standarded e auditimit ISSAI dhe implementimin e tyre ne KLSH, pjesë e Strategjisë për Zhvillim Institucional, 2013 - 2017, e rishikuar. Në funksion të zhvillimit metodologjik sipas llojeve të auditimit, KLSH ka orientuar planet vjetore të zhvillimit dhe trajnimit profesional që synojnë forcimin e kapaciteteve audituese te KLSH-së.

java5

Gjithashtu, në datën 4 Nëntor, në ambientet e KLSH, të gjithë studentët që po zhvillojnë praktikën mësimorë në institucion, u njohën me një prezantim të institucionit dhe punës së bërë në lidhje me aplikimin e standardeve të auditimit në metodologjinë audituese, prezantim i kryer nga z. Edvin Stefani, Drejtor i Metodologjisë dhe Zhvillimit. Takimi u zhvilluar në formën e prezantimit të historikut të institucionit duke iu referuar stendave të ekspozitës që ndodhen në ambientet e institucionit. Gjithashtu në sallën e leksioneve u mbajt një leksion në lidhje me kuadrin rregullator të institucionit dhe zhvillimin institucional që pasoi ligjin e ri organik te KLSH-se.

java6

Në këtë leksion u trajtua përmirësimi i Metodologjisë audituese në KLSH, përgatitja e studiuar e programit vjetor të veprimtarisë së KLSH-së që lidhet me përcaktimin e prioriteteve të mundshme, argumentimin dhe përfshirjen në programin e auditimit të subjekteve të auditimit mbi bazën e vlerësimit të riskut dhe përcaktimit të materialitetit, duke i kombinuar këto auditime edhe me detyrimet kushtetuese e ligjore që ka KLSH, për auditimin periodik të tyre.
Zoti Bujar Leskaj zhvilloi një takim me rektoren e Universitetit të Durrësit, Znj. Kseanela Sotirovski. Fillimisht zoti Leskaj e uroi znj.Sotirovski për marrjen e detyrës si rektore në një ndër universiteteve më të rëndësishme në vend.

java7

Biseda mes tyre u fokusua kryesisht tek zhvillimi i arsimit universitar. Duke qenë se zonja Sotirovski ka qenë anëtare e komisionit për Provimin e Shtetit në MASH, një rëndësi e madhe iu kushtua reformës në arsimin universitar. Palët ndanë mendime dhe qëndrime përsa i takon situatës së sotme në universitete dhe cilësisë e tyre. Zoti Leskaj e cilësoi arsimin e lartë në vend shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sepse aty formohen brezat e ardhshëm. Po ashtu vlerësoi dhe rolin e Universitetit të Durrësit, i cili ka në fokus të tij dhe një sërë degësh profesionale. Rektorja e Univeristetit ftoi zotin Leskaj për të mbajtur një leksion në këtë universitet.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Bujar Leskaj, zhvilloi takime të veçanta dhe me një grup gazetarësh të njohur në vend, z. Arur Çani, z. Engjëll Musai, z. Sami Neza, znj.Ornela Liperi z. Gëzim Saliu, z. Qamil Xhani, z. Kliti Topalli, drejtorin e gazetës “Sot” zotin Arjan Prodani dhe zotin Sofokli Duni , botues i gazetës “Standard”.
Zoti Leskaj, uroi fillimisht për rezultate të punës së tyre këmbëngulëse dhe vlerësoi rolin e tyre për përçimin e fjalës së lirë, duke lënë kështu gjurmë pozitive në punën e tyre.
Gjithashtu z. Leskaj theksoi se aksesi i lirë në informacion luan një rol kyç në promovimin e transparencës dhe në parandalimin e korrupsionit, dhe si i tillë institucionet shtetërore duhet ta ofrojnë atë në kohë dhe në mënyrë të plotë për qytetarët, me qëllim që të garantojnë një përdorim sa më efektiv të tij. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe një nga misionet kryesore të Kontrollit të Lartë të Shtetit që është informimi i publikut dhe sfida më e madhe në vazhdim është që KLSH të jetë një burim i rregullt informacioni për çështje me interes për shoqërinë.
Kryetari i KLSH, z. Bujar Leskaj, pati një takim dhe me një grup inxhinierësh, z.Faruk Kaba, President i Shoqatës Shqiptare të Inxhiniereve Konsulentë dhe z. Sokol Xhixha, anëtar bordi i kësaj shoqate,të cilët ndanë me z. Leskaj mendime dhe eksperiencë mes tyre. Në fokus të bisedës ishte ekonomia e vendit dhe performanca e institucioneve publike. Zoti Leksaj vlerësoi shumë figurën e ekspertëve dhe rolin tyre në ekonominë e vendit.

java8

Në datën 3 tetor, ora 09.00-12.00 u zhvillua një workshop në bashkëpunim me “Albanian Platform for Policy Advocacy (APPA)” dhe u trajtua tema “Prezantimi i gjetjeve nga monitorimi i qeverisë për vitin 2015 dhe 6 mujorin e parë të vitit 2016”. Përfaqësues të KLSH bënë një bilanc të të gjitha auditiveve të kryera si dhe numrin e kallëzimeve të dërguara në prokurori. Fusha ku ka pasur më shumë abuzime është ajo e prokurimit publik, ndërkohë një tjetër sektor i gjetur me shkelje kanë qenë Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në raportin përfundimtar të Auditimit në Autoritetin Portual Durrës, KLSH është bazuar edhe tek informacionet dhe gjetjet e Organizatës “Albanian Platform For Policy Advocacy” në lidhje me procesin e shkarkimit, depozitimit dhe evadimit të tubacioneve, materialeve të nevojshme dhe makinerive të projektit TAP.

java9

Prezantimi i raportit të Gjykatës Austriake të Auditimit
Në datën 4 tetor, ora 10.00-12.00 u zhvillu prezantimi i Raportit final të Peer Review (rishikim mes kolegesh) lidhur me “Pavarësinë e SAI-t”, realizuar nga Gjykata Austriake e Auditimit. Drejtori i Përgjithshëm i Gjykatës Austriake të Auditimit, z. Robert Sattlrer, në prani të përfaqësuesve të profesoratit, të shoqërisë civile, medias dhe audituesve të KLSH, prezantoi Raportin “Peer Review (Rishikim mes Kolegëve)” për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

java11

Ai vlerësoi pavarësinë e lartë të institucionit, të fituar duke zbatuar me përpikmëri standardet ndërkombëtare të auditimit të jashtëm publik, ISSAI, si dhe ligjin e ri integral të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2014. Z. Sattler dha rekomandime për forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së KLSH, ndërsa Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj, pasi falënderoi kolegët austriakë për ndihmesën me raportin objektiv dhe të detajuar, theksoi se rekomandimet e Gjykatës së Auditimit të Austrisë do të jenë një plan konkret pune për zbatim nga KLSH, i përfshirë natyrshëm në objektivat dhe masat për realizimin e strategjisë 2013-2017 (të rishikuar për periudhën 2015-2017) të zhvillimit të institucionit.

Në kuadër të Javës së Hapur të organizuar, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me Qytetarët nga datat 28 Tetor - 4 Nëntor 2016, më datë 4 nëntor, u zhvillua aktiviteti i prezantimit të auditimit të Departamentit të Performancës “Rehabilitimi i ish-të Përndjekurve Politikë në Periudhën e Tranzicionit”, ku morën pjesë përfaqësues të të gjithë Shoqatave të ish të Përndjekurve Politikë të vendit tonë, drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë z. Bilal Kola dhe përfaqësues të tjerë të stafit të këtij Instituti, drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit z. Agron Tufa, ish të burgosur politikë, disa OJF, përfaqësues të medias, studjues, etj.
 
z. Bujar Leskaj, theksoi rëndësinë e auditimit të performancës me temë: “Rehabilitimi i ish- të Përndjekurve Politikë në periudhën e tranzicionit”, që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë, ku paraqiti një analizë të efektivitetit të dispozitave ligjore të miratuara për këtë problem dhe zbatimin e tyre në praktikë që nga viti 1991, gjendjen e kësaj shtrese të shoqërisë, rolin e strukturave shtetërore dhe mundësitë e pashfrytëzuara për një rehabilitim sa më të plotë të ish-të përndjekurve politikë. Kryetari i KLSh-së paraqiti rekomandimet më të rëndësishme të punës audituese, për përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e vetëdijës së strukturave shtetërore dhe publikut të gjerë për këtë problem thelbësor të shoqërisë sonë.
Takimi pati shumë i nteres dhe u ndoq me vemendje nga të pranishmit.

Në kudër të kësaj jave, Kryetari i KLSH-së realizoi takime me personalitetet të vendit të fushave të ndryshme
Në datën 1 nëntor 2016, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj, pati një takim me Prof. Dr. Niko Panon. Në takim u bisedua për probleme të ndryshme të shoqatës “Mbrojtja dhe Ruajtja e Ujërave të Shqipërisë”, ku z. Pano kryen detyrën e Kryetarit të kësaj Shoqate. Një rëndësi e madhe iu kushtua situatës ujore në vend, rezervave të vendi tonë, apo dhe rrezikut nga përmbytjet. Zoti Pano është një ndër ekspertët më të mirë në vend të kësaj fushe  dhe ka kryer me dhjetra studime mbi rezervat ujore të vendit tonë. Në takim u kërkua  të bëhet më tepër për të ruajtur pasurinë ujore të vendit tonë.
Një tjetër takim shumë të rëndësishëm, kreu i KLSH, Z. Bujar Leskaj, zhvilloi me Prof. Dr Skënder Osmanin dhe Prof. Dr. Jorgji Bollanon. Në bisedën që zoti Leskaj pati me zotin Osmani, u diskutua për zhvillimin e inxhinierisë dhe informatikës në vendin tonë. Z. Osmani është matematicien dhe gjeolog shumë i njohur. Ai njihet në vendin tonë si nismëtar i futjes së disa lëndëve në fakultetet inxhinierike të Shqipërisë si Informatikës, Metodave Numerike, Elementëve të Fundëm, Programim dhe Kërkim Operacional, Modelim, etj.
Ndërsa biseda me Prof. Dr. Jorgji Bollano u fokusua tek fusha e kontabilitetit. Zoti Bollano është anëtar i Komitetit Kombëtar të Drejtimit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit dhe anëtar i Autoritetit të Çertifikimit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar. Në vitet 1994-1996 ka qenë Drejtor Finance dhe Kontrolli në Ministrinë e Jashtme.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shteti, Z. Bujar Leskaj, pati një takim të ngrohtë dhe miqësor edhe me dy figura të njohura të aktualitetit shqiptar, z. Sazan Guri dhe z. Sherif Bundo. Situata ekonomike në vend, sistemi fiskal dhe korrupsioni ishin ndër temat ku u fokusua biseda mes zotit Leskaj dhe Zotit Bundo. Z. Bundo është një ndër financierët më të njohur në Shqipëri dhe hartues i shumë politikave fiskale. Duke qenë se fokusi i KLSH është pikërisht auditimi mbi shpenzimet buxhetore dhe lufta ndaj korrupsionit, Zoti Leksaj dhe Zoti Bundo shkëmbyen mendime dhe eksperiencat e tyre.

java12

Ndërsa takimi me Zotin Guri u fokusua më tepër në fushën e mjedisit. Duke qenë se Zoti Guri është një ambientalit shumë i njohur, pati biseda mbi politikat mjedisore dhe çfarë duhet përmirësuar më tepër për një vend të shëndetshëm dhe pa probleme për të ardhmen.