Njoftime

KLSH merr pjesë në edicionin e 19 të Panairit të Librit

13.11.2016

Më 9-13 nëntor 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në edicionin e 19 të Panairit të Librit, duke shënuar kështu për të katërtin vit radhazi një pjesëmarrje serioze, me botime që reflektojnë menaxhimin, performancën dhe sfidat e KLSH-së. Stenda e KLSH-së në panair përfaqëson një moment ballafaqimi me qytetarët, ku libri është gjuha e komunikimit që institucioni ka përzgjedhur të ketë me qytetarët dhe palët e interesit. Biblioteka e KLSH-së është e aksesueshme online për cilindo të interesuar dhe librat mund të shkarkohen falas e të bëhen pjesë të bibliotekës personale për këdo të interesuar.

panairi 2016 promovimi panairi 2016 stenda

Në kuadër të këtij panairi, Kontrolli i Lartë i Shtetit promovoi botimet e reja për vitin 2016, ku morën pjesë drejtues e auditues të KLSH-së, Prof. Dr. Jorgji Bollano, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Akademike e Asociuar  dhe anëtarë të shoqërisë civile si z.Sazan Guri dhe z.Aulon Kalaja.

Në prezantimin e botimeve të reja të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami u shpreh se për herë të parë në vitin 2013, KLSH u paraqit në Panairin e Librit me 28 tituj të rinj dhe pas katër vitesh institucioni prezanton 67 tituj. “Çdo vit ne e kemi rritur numrin e botimeve, por nuk e kemi parë numrin e botimeve të ndarë nga cilësia, gjerësia e informacionit dhe profesionalizmi për çdo titull dhe përmbajtje libri”.

Znj.Islami vuri në dukje se një varg publikimesh me karakter profesional janë realizuar gjatë gjithë kësaj periudhe, me qëllim për ta përqasur veprimtarinë e këtij institucioni me thelbin e misionit të tij që konsiston në nxitjen e përgjegjshmërisë së qeverisë dhe të menaxherëve publikë për përdorimin me efektivitet, efiçiensë dhe ekonomicitet të kontributit të taksapaguesve. “Këtu mund të përmendim edhe botimin e Standardeve, ISSAI 1-400, i cili siguron vijimësinë dhe rolin e pazëvendësueshëm strategjik të ISSAI-ve, nga ISSAI 1 “Deklarata e Limës”, i konsideruar si Kushtetuta e SAI-ve, deri tek ISSAI 400 i parimeve themelore të auditimit të Përputhshmërisë”. Në plejadën e botimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, znj.Irena Islami veçoi botimin e projektit të binjakëzimit IPA 2013 “Forcimi i kapaciteteve të auditimit të jashtëm në Shqipëri. “Ky projekt u fitua nga dy SAI të BE-së, Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë dhe Zyra  Shtetërore e Auditimit të Kroacisë. NIK-u Polak dhe SAI Kroat do të punojnë për këtë projekt të përbashkët me Kontrollin e Lartë të Shtetit për një periudhë dy vjeçare”.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Islami theksoi se të gjitha botimet e KLSH-së i shërbejnë rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, duke bërë një hap të rëndësishëm sasior dhe cilësor në kontributin ndaj mirëqeverisjes, përmes bërjes publike dhe transparente të të gjithë veprimtarisë së tij dhe rritjes se kapaciteteve në fushën e auditimit publik.
Sekretarja e Përgjithshme, Znj. Luljeta Nano bëri një konspekt të botimit “Analiza vjetore e punës 2015”, botuar edhe në anglisht, duke e konsideruar botimin një përmbushje të detyrimit ligjor të KLSH-së. “Libri është i modeluar në shtylla, në menaxhimin e institucionit dhe në progresin e shënuar.

Raporti i performancës së KLSH-së, për vitin 2015, është kryer bazuar në Dokumentin Standard INTOSAI të Matjes së Performancës së SAI-ve i dhe në Analizën SWOT, e cila na lejon të identifikojmë pikat e forta dhe të dobëta të aktivitetit auditues dhe të menaxhimit institucional. Botimi në anglisht i këtij libri ka ardhur në funksion të kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë për t’u njohur me veprimtarinë dhe performancën e KLSH-së”. Znj. Nano prezantoi edhe librin “Konferenca e IV Shkencore e KLSH: Analiza e Riskut”, duke e konsideruar si një botim unik ku personalitete të spikatura të komunitetit INTOSAI dhe rreth 40 profesorët të shquar bëjnë një analizë të riskut në fusha të ndryshme.                   

Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, znj.Manjola Naço, bëri një prezantim të numrave 12 dhe 13 të Revistës Kërkimore-Shkencore “Auditimi Publik”. Znj.Naço theksoi se arritja deri tek nr 13 e revistës është një dëshmi e suksesit të shënuar nga KLSH në këtë zhanër që për nga vetë formati si Revistë Kërkimore Shkencore përbën një sfidë të vërtetë.“ Botim që ka ardhur duke u rritur në cilësi dhe duke përmbushur më së miri moton e organizatës sonë INTOSAI  “Eksperienca e përgjithshme i shërben të gjithëve. Shprehemi të kënaqur që iniciativa e Kryetarit të KLSH, e parë me skepticizëm si nga audituesit dhe nga qarqet akademike të cilat e quajnë kërkimin si fushë ku audituesi e ka të vështirë të përshtatet ka arritur në nivele të kënaqshme”. Znj.Naço nënvizoi se të shkruarit, të botuarit, të diskutuarit e më të përgjegjshëm rolin e rëndësishëm dhe misionin që KLSH duhet të përmbushë si shërbëtor të qytetarëve në mbrojtjen e fondeve publike nga shpërdorimi.

Departamenti i Auditimit të Performancës u prezantua në këtë panair me botimin “Auditimi i Performancës në KLSH: Eksperienca 2012-2015”, përgatitur nga Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe nga z.Rinald Muça, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës. Z.Muça u shpreh se ky botim pasqyron rrugëtimin 4-vjeçar të këtij auditimi risi në KLSH, që pikënisje ka vitin 2012, periudhë që përkon me krijimin e Departamentit të Auditimit të Performancës.  Ai nxori në pah edhe një aspekt tjetër të këtij botimi, se KLSH i mban premtimet që bën dhe vë në jetë sfidat që ndërmerr. “Në total libri pasqyron punën e shtrirë në 30 auditime dhe në mbi 130 institucione të audituara gjatë periudhës 2012-2013. Ai është maja e ajsbergut të mijëra e mijërave faqeve të lexuara e studiuara me kujdes nga kolegët e performancës dhe departamenteve të tjera, qindra pyetësorëve, intervistave, minutave të takimit me punonjës të administratës publike anembanë administratës së Shqipërisë”.

Sfidat që parashtron integrimi evropian janë pjesë e linjës së botimeve të KLSH-së, reflektuar kjo me botimin “Direktiva e BE-së mbi Porkurimin Publik dhe kontratat koncesionare”. Audituesja e Lartë, znj. Miranda Haxhia, njëkohësisht redaktorja e këtij botimi, u shpreh se ky libër nuk përbën në vetvete publikimin rutinë të një  ligji, por një studimi e analizimi të tyre në funksion të asaj sesi mund të maksimizohen kapacitetet e shoqërive tregtare të vogla e të mesme në Shqipëri. “Parë në këtë këndvështrim, botimi ndihmon për të kuptuar qartë risitë e këtyre direktivave të BE-së dhe përqasjen e tyre me legjislacionin shqiptar”, u shpreh znj.Haxhia.

Në funksion të transparencës me qytetarët, KLSH prej tre vitesh ka në kolonën e saj botimin “Audituesit e KLSH-së në Shtypin e Përditshëm”. cili përmban një përzgjedhje të shkrimeve më të mira të audituesve për periudhën janar-qershor 2015. Znj.Amantia Patozi, redaktore e librit, u shpreh se botimi vjen në kuadër të misionin kushtetues për të informuar qytetarin për menaxhimin me ekonomicitet, efektshmëri dhe efiçiencë të fondeve dhe pronës publike. “Prandaj, krahas njoftimeve për shtyp për rezultatet e auditimeve, krahas botimeve të raporteve tona të performancës, kemi zgjedhur një qasje të thjeshtë dhe të drejtpërdrejt me qytetarët”.

Në përfundim të ceremonisë së promovimit, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami, i ftoi të pranishmit për të vizituar stendën e KLSH-së, duke theksuar se fund të këtij viti numri i titujve të kolanës së botimeve do të jetë 67 ndërkohë që deri në fund të vitit 2018, KLSH do të ketë një kolanë prej 100 botime.

Kolana e vitit 2016 e Kontrollit të Lartë të Shtetit:

- Analiza vjetore e punës 2015;
- Raporti vjetor i Performancës, KLSH 2015 (shqip/anglisht);
- Revista kërkimore shkencore "Auditimi Publik" nr. 12 dhe 13(shqip/anglisht);
- Auditimit i Performancës në KLSH 2012-2015;
- Konferenca e Katërt Shkencore e KLSH-së: Analiza e Riskut (volumi I dhe Volumi II);
- Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm, Volumi V dhe volumi VI;
- Direktiva e BE-së mbi prokurimin publik dhe kontratat koncesionare;
- Përurimi i Projektit të Binjakëzimit;
- ISSAI 1-400;
- Revista “Auditimi Publik” nr. 14;
- Eksperienca e vendeve europiane në auditimin e jashtëm publik;
- Auditimi Publik 2012-2015.