Njoftime

KLSH Kallëzon në Prokurori 2 Hartues Projektesh, 1 Mbikëqyrës Punimesh, 1 Drejtues Teknik dhe 1 Administrator Shoqërie zbatuese, në Këshillin e Qarkut Gjirokastër.

06.01.2017

Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 1021/1 prot, datë 11.10.2016, ka përfunduar auditimin në Këshillin e Qarkut Gjirokastër, me objekt: “Auditimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare për periudhën 01.01.2013-30.06.2016”.

Me Vendimin nr. 164, datë 26.12.2016 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, me shkresë nr. 1021/8, datë 26.12.2016 i janë rekomanduar Këshillit të Qarkut Gjirokastër masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 5,2 milion lekë.

Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e projektimit dhe zbatimit të prokurimit publik, lidhur me hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve “Riparime në segmentin rrugor Progonat-Tepelenë, Fshati i Vjetër dhe Hosi Zallit”, dhe konkretisht:

Kanë preventivuar më shume në fondin limit vlerën 4,591,888 lekë pa t.v.sh; është përfituar tepër nga ana e zbatuesit të punimeve vlera 4,554,052 lekë pa t.v.sh me dëm ekonomik ndaj buxhetit; Projektet dhe preventivët nuk janë hartuar në bashkëpunim me inxhinierë gjeologë dhe janë kryer pa studim gjeologo-inxhinierik të rrëshqitjeve; Nuk kanë përcaktuar saktë volumet e nevojshme për tu gërmuar si dhe nuk kanë kryer sondazhe për saktësimin e planit të qëndrueshëm.

Mos kryerja e detyrimeve të mësipërme ka bërë që punimet të kryhen tre herë rishtazi, të mos japin garanci të mjaftueshme për qëndrueshmërinë e shpateve, shkarje të vazhdueshme dhe shembje të skarpateve, dhe investimi në vlerën prej 26,061,993 lekë, është përdorur pa efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet, në kundërshtim me nenet 4, 5, 7 dhe 12 të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” pikat 2, 3 dhe 9 të VKM nr. 514, datë 15.08.2007 “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, pikën 1 të UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”.

KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga F.J. dhe G.M. në cilësinë e Hartuesit të Projekt-Preventivit të punimeve dhe A.P. në cilësinë e Mbikëqyrësit të Punimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, neni 248 “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe veprimet e kryera nga E.H. në cilësinë e Drejtuesit Teknik të shoqërisë zbatuese dhe E.Q. në cilësinë e Administratorit të shoqërisë zbatuese, si veprime të dënueshme sipas nenit 186 “Falsifikimit të dokumenteve”, 143 “Mashtrimit”,  si dhe nenit 25 “Kuptimi i Bashkëpunimit”, të Kodit Penal, me shkresën nr. 2021/11 datë 30.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

V.O. Në web-in e KLSH gjendet i plotë Vendimi nr. 164, datë 26.12.2016 i Kryetarit të KLSH-së, në lidhje me këtë auditim.