Trajnime nga institucionet nderkombetare

Paris, 15 - 19 shtator 2014, Auditues të rinj të KLSH-së trajnohen pranë Gjykatës Franceze të Llogarive

Nga data 15 deri më 19 shtator, 2014 u zhvillua në Gjykatën e Llogarive franceze trajnimi për auditues të rinj të gjykatës. Ky trajnim zhvillohet dy herë në vit dhe ka për qëllim të njohë të gjithë pjesëmarrësit me kuadrin e përgjithshëm organizativ dhe funksional të Gjyaktës së Llogarive, me fokus të veçantë diskutimin dhe shkëmbimin e eksperiencave, duke qenë se gjatë këtij kursi ftohen të marrin pjesë delegacione nga institucione supreme auditimi homologe, të rrjetit të vendeve frankofone e me gjerë. Për herë të parë në këtë sesion trajnimi mori pjesë edhe një grup nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përbërje të të cilit ishin zj. Dëshira Huqi, përgjegjëse sektori, dhe auditueset, zj. Erjola Meçaj dhe zj. Xhuljeta Çelaj. Në përfundim të aktivitetit ndërmjet përfaqësuesve të KLSH-së dhe të Gjykatës së Llogarive franceze, u zhvillua një takim ku u shkëmbyen mendime në lidhje me ecurinë e trajnimit dhe u diskutua gjerë në lidhje me pikat e përbashkëta dhe të ndryshme midis institucioneve tona, si dhe vijimin e bashkëpunimit nëpërmjet pjesëmarrjeve të tilla dhe jo vetëm. Në përfundim të takimit, përfaqësuesve të KLSH-së, iu dorëzuan çertifikatat e pjesëmarrjes në emër të Presidentit të Parë të Gjykatës së Llogarive franceze, z. Didier Migaud.

trajnim paris

Në ditën e parë të trajnimit u trajtuan juridiksionet financiare, organizimi, funksionet dhe çështje të tjera. Leksioni u fokusua kryesisht në paraqitjen e funksionimit të Gjykatë së Llogarive franceze dhe historikun e krijimit të saj në vitin 1807 si Gjykatë Llogarie, e cila e kishte origjinën e saj të hershme nga Curia Regis e Mesjetës. Ndër të tjera, u përshkruan Presidenti i Gjykatës, i cili emërohet nga Presidenti i Republikës, Parquet General në Gjykatë, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë procedurat dhe jurisprudencën dhe zbatimin e ligjit, t’i japë opinionet e veta gjykatës dhe ta ndihmojë atë të vendosë në zbatim vendimet e veta. Gjykata e Llogarive franceze ka 20 Dhoma Rajonale dhe Territoriale të llogarive dhe 4 organizma që përfshihen në veprimtarinë e saj, të cilët janë:

1.Gjykata e Disiplinës Buxhetore dhe Financiare
2.Këshilli i tërheqjeve (shpenzimeve) të detyrueshme
3.Këshilli i lartë i financave publike
4.Komisioni i Përhershëm i kontrollit të shoqërive të përfitimit dhe shpërndarjes së të drejtave

Gjykata e Llogarive përbëhet nga 7 dhoma të ndara sipas fushave në të cilat ato ushtrojnë kontrollet dhe këto janë: ekonomia dhe sektori financiar; mbrojtja, industria dhe tregtia; arsimi dhe kultura; regullimi dhe apelimi i vendimeve të Gjykatave Rajonale dhe Territoriale të llogarive; sektori social; siguria sociale; transporti, ekologjia dhe bujqësia.
U paraqitën gjithashtu 4 funksionet e Gjyaktës të cilat janë: kontrolli, çertifikimi, gjykimi vlerësimi.
Ndërsa 19 Dhomat Rajonale dhe Territoriale të Llogarive kanë tre funksione kryesore: kontrollin jurisdiksional, kontrollin buxhetor dhe kontrollin e menaxhimit.
Parimet mbi të cilat funksionon Gjykata e Llogarive franceze janë pavarësia nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, kolegjialiteti i vendimeve të marra nga gjykata dhe ekzistenca e kontradiktorit (përballja) midis kontrollorit dhe të kontrolluarit.
Në vitin 2013, Presidentit të Gjykatës së Llogarive iu dha e drejta të kontrollojë (si auditues i jashtëm) llogaritë e nëntë organizatave ndërkombëtare si UNESCO, Organizata e Aviacionit Civil, OECD, Gjykata Penale Ndërkombëtare, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, WTO, Këshilli i Evropës, Organizata Europiane për Shfrytëzimin e Satelitëve Meteorologjikë dhe CTBTO.

Gjatë viteve 2001 – 2014 Gjykata e Llogarive ka kaluar një periudhë reformash, të cilat janë fokusuar kryesisht në funksionin çertifikues të llogarive të shtetit, asistencën ndaj parlamentit dhe autonominë e menaxhimit. Shumë e rëndësishme në këtë kuadër reformash, ka qenë edhe reforma e viteve 2008 – 2009 me anë të së cilës, është vendosur me ligj përgjegjësia personale dhe patrimoniale e funksionarëve publikë të ngarkuar me detyrën e menaxhimit të parave publike.
Në pjesën e dytë të trajnimit, u trajtua auditimi nga Gjykata i organizatave ndërkombëtare si dhe marrëdhëniet e Gjykatës me organizatat ndërkombëtare dhe Institucionet Supreme të Auditimit.
Lidhur me auditimin e organizatave ndërkombëtare disa nga motivacionet janë: ekzistenca e  kontrollit nga gjykata për këto organizata ndërkombëtare, zgjatja në kohë e misionit të kontrollit të fondeve publike që i janë besuar gjykatës, forcimi i kapaciteteve të veprimit – krahasimet e metodave, pasurimi i njohurive, shpërndarja e një modeli, etj, si dhe menaxhimi i burimeve njerëzore. Shërbimi i auditimit të jashtëm përfshin:
- koordinimin e mandateve të ndryshme si homogjenizimi i menaxhimit të mandateve, procedurave, dokumenteve, harmonizimi i doktrinave kontabël me ato të auditimit si normat UNSAS, IPSAS, ISA, ISSAI dhe krijimi i sinergjive;
-ndjekja e auditimeve si dhe kontrolli i cilësisë së raporteve dhe dokumenteve të auditimit;
- vlefshmëria e strategjive të auditimit dhe planeve të misionit, përgatitja e ndërhyrjeve nga Presidenti tek organet qeverisëse;
- menaxhimi i kujdesshëm i mandateve, programacioni i misioneve, rekrutimi dhe formimi i personelit të audituesve, menaxhimi administrativ i mandateve.
Më pas, për të gjithë punonjësit e rinj, u prezantuan në mënyrë të përmbledhur anëtarësimi i gjykatës në INTOSAI dhe EUROSAI, prezenca e gjykatës në instancat ndërkombëtare si dhe Sekretariati i përgjithshëm për AISCCUF, Shoqata e institucioneve supreme të kontrollit frankofone. Në kuadrin e marrëdhënieve bilaterale u përmendën binjakëzimet me institucionet e Marokut dhe Tunizisë si dhe marrëveshjet me SAI-t e Kinës, Kilit, Brazilit, Senegalit, etj. Gjithashtu pjesëmarrja aktive në proceset peer review si ndaj ECA-s në 2013 dhe Hungarisë në 2014. Në kuadrin e marrëdhënieve multilaterale gjykata është gjerësisht e përfshirë në bashkëpunimet me FMN, Bankën Botërore, IDI-n, etj. Konsolidimi i pozitave në këto baza ka të bëjë me –influencën dhe modelin juridiksional si dhe me –profesionalizmin dhe kredibilitetin. E para ka të bëjë me pjesëmarrjen në auditime pilote, seminare, etj ndërsa e dyta me reflektimin mbi normat profesionale të INTOSAI-t, grupin e punës mbi vlerësimin e programeve, pjesëmarrjen në grupin e punës mbi IPSAS dhe EPSAS.
Në pjesën e fundit u prezantua roli i Prokurorit në Juridiksionet financiare, funksionet juridiksionale dhe jo juridiksionale, bashkëpunimi me prokurorët financiarë dhe misioni konsultativ i prokurorit.
Juridiksioni financiar perfshin: Gjykatën e Llogarive, Dhomat Rajonale dhe Territioriale të gjykatës, Gjykatën e disiplinës buxhetore dhe financiare, rregullat dhe kodet e juridiksionit financiar.
Prokurori Publik në Juridiksionet financiare është pjesë kryesore e instancave të ballafaqimit sepse ai ka të drejtën e veprimit dhe të drejtën e ankimit. Ndërsa në raste të tjera, në çështje civile, ai shpreh vetëm opinionin e tij në pavarësi të plotë, si mbrojtës i ligjit.
Në ditën e dytë të trajnimit, në pjesën e parë u trajtua tema e Shërbimeve të Raportit Publik dhe programeve trajtuar nga raportuesi i përgjithshëm. Raportuesi i Përgjithshëm i Komitetit të Raportimit Publik dhe Programeve, është një prej tetë presidentëve të dhomave të Gjykatës së Llogarive. Misioni i këtij organi është programacioni, publikimet, asistenca ndaj parlamentit dhe ndjekja e rekomandimeve. Përgjegjësia e tij është të përgatisë programet vjetore dhe shumë vjeçare të punës së Gjykatës, ashtu si edhe programacionin e përbashkët të gjykatës dhe dhomave rajonale dhe territoriale të llogarive, dhe më pas ushtrimin e:
-zhvillimit të vënies në përdorim të politikës editoriale të gjykatës (raporte publike, botime të tjera)
-koordinimit të marrëdhënieve me Parlamentin për programin e komunikimeve të Gjykatës si dhe seancat dëgjimore
-kontribuojë në vlerësimin e politikave publike, etj.
Programacioni zhvillohet në tre hapa: zgjedhja e prioriteteve strategjike, programacioni shumë vjeçar, tematikat kryesore të punës për tre vitet e ardhshme dhe programacioni vjetor që ka të bëjë me planifikimin e punëve. Programacioni përfshin fushat si llogaritë publike, financat publike, menaxhimin e organizmave publikë, politikat publike, organizmat përftuese të donacioneve, aktivitetet e komisariatit të llogarive ndërkombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Katër akset strategjikë për periudhën 2014-2016 janë:
-respektimi i trajektores së trajtimit të financave publike
-matrica e risqeve lidhur me përdorimin e fondeve publike
-kufijtë e eficiencës në politikat publike për këto çështje
-përmirësimet e qeverisjes dhe menaxhimit në performancën publike
Publikimet, përfshijnë format e komunikimeve të Gjykatës dhe atyre që u drejtohen. Për Gjykatën këto forma komunikimi përfshijnë raportet publike vjetore dhe tematike, 6 raportet mbi financat publike, raportet mbi cilësinë e llogarive të administratës publike, të donacioneve, raportet e veçantë, letrat e presidentëve të dhomave dhe komunikimet e prokurorit të përgjithshëm, si dhe raportet e kërkuara nga Parlamenti dhe ato nga Qeveria.
Asistenca ndaj Parlamentit. Burimet kryesore për këtë funksion janë neni 47-2 i Kushtetutës i tetorit të 1958 ku thuhet se Gjykata e asiston Parlamentin në kontrollin e veprimtarisë së Qeverisë. Gjithashtu asiston Parlamentin dhe Qeverinë në kontrollin e zbatimit të ligjeve të financave dhe të aplikimit të ligjeve mbi financimin e sigurimeve shoqërore, ashtu si edhe të vlerësimit të politikave publike. Nëpërmjet raporteve publike, Gjykata kontribuon edhe në informimin e publikut. Raportet publike aktuale janë: Raporti publik, Akti i çertifikimit të llogarive të shtetit, Akti i çertifikimit të llogarive të regjimit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore, Raporti mbi rezultatet e performancës buxhetore të shtetit, Raporti mbi situatën dhe perspektivën e financave publike si dhe raporti mbi aplikimin e ligjeve të financimit të sigurimeve shoqërore.
Ndjekja e rekomandimeve. Gjykata zbaton një ndjekje sistematike të efekteve të punës së saj dhe këtë e bën në dy nivele:
-nga njëra anë zbatimi i rekomandimeve dhe verifikimi i zbatimit nga kontrolle të mëtejshme;
-nga ana tjetër, pas tre viteve të dhënies së rekomandimeve, Gjykata bën një rivlerësim vjetor, më të lehtë, por sistematik ku pyeten të gjithë destinatarët e observacioneve mbi mbarëvajtjen e tyre dhe përgjigjet e tyre analizohen nga dhomat e Gjykatës dhe shkalla e vënies në zbatim vlerësohet  (totale, e pjesshme apo nul). Një tregues i raportit vjetor të performancës së Gjykatës që i drejtohet Parlamentit mundëson vlerësimin e shkallës së zbatimit të rekomandimeve më domethënëse që janë publikuar. Rishikimi vjetor krijon një bazë përgjigjesh të cilat janë tregues për ndjekjen e rekomandimeve.
Trajnimi vijoi me prezantimin e normave profesionale dhe kodit deontologjik të Gjykatës së Llogarive. Normat profesionale shpjegojnë praktikisht parimet e zbatueshme që sigurojnë një zhvillim eficient dhe efektiv të misioneve të ndryshme që i janë ngarkuar Gjykatës dhe Dhomave Territoriale të Llogarive nga ligji. Ato janë hartuar më qëllim përmbushjen e katër objektivave në vijim: përshkrimi i misioneve të Gjykatës dhe Dhomave të Llogarive, të ofrojnë zhvillimet e përshtatshme metodologjike të nevojshme dhe të mjaftueshme që të kuptohen nga ata që realizojnë misionet, nga ata që aktivizohen për këtë arsye dhe nga ata që janë të adresuarit e këtyre misioneve, respektimi i një organizimi identik dhe të njëtrajtshëm, formimi i një tërësie autonome dhe koherente me normat ISSAI të INTOSAI-t ku Gjykata e Llogarive është anëtare. Përsa i përket Kodit Deontologjik të Gjykatës së Llogarive, ai bazohet në disa parime të cilët janë pavarësia, paanshmëria, neutraliteti, integriteti, parandalimi i konflikteve të interesit, konfidencialiteti dhe sekreti. Me anë të ligjit nr. 2006 – 769 të datës 01.07.2006, është krijuar një Këshill i Lartë i Gjykatës, i cili shërben si organ konsultues për presidentin e Gjykatës përsa i përket aspekteve të ndryshme praktike që kanë të bëjnë me etikën dhe deontologjinë. I njëjti ligj parashikon edhe Këshillin e Lartë të Dhomave Rajonale dhe Territoriale të Llogarive, i cili ka të njëjtat kompetenca.
Në ditën e tretë, prezantimet u fokusuan në raportet që i paraqiten Parlamentit dhe çertifikimi i llogarive të shtetit. Raportet që paraqiten janë misionet e nenit 58, ato mbi gjendjen dhe perspektivën e financave publike, raportet buxhetore dhe çertifikimi i llogarive të shtetit. Raportet e nenit 58 përmbajnë një analizë të situatës së gjendjes së finanacave publike për vitin e kaluar, krahasime ndërkombëtare, një analizë të risqeve të paraqitura nga parashikimet e Qeverisë për vitin aktual si dhe një analizë të perspektivës në vijim të programit të stabilitetit apo të ligjit mbi programimin e financave publike. Gjithashtu Gjykata kur harton dhe publikon një nga raportet në lidhje me buxhetin e shtetit, ka detyrim të verifikojë zbatimin e kushteve formale dhe procedurale gjatë zbatimit të buxhetit të shtetit, zbatimin e kushteve themelore, si dhe duhet të kryejë një analizë të impaktit që shkakton ekzekutimi i buxhetit në zërat e ndryshëm të tij, nëse gjatë vitit financiar ka patur lëvizje të zërave buxhetore të miratuar me Dekret Shtesë. 

Gjykata e Llogarive është e ngarkuar me çertifikimin e llogarive të shtetit që prej vitit 2006 si dhe të gjendjes së përgjithshme dhe sigurimeve shoqërore. Në zbatim të nenit 47/2 të Kushtetutës Franceze, i cili parashikon që llogaritë e administratës duhet të jenë të rregulta dhë të sinqerta duke dhënë një pamje të besueshme të rezultatit të menaxhimit të tyre, të situatës së tyrë patrimoniale dhe të situatës së tyre financiare, Gjykata e Llogarive ka për detyrë të bëjë këtë verifikim rregullshmërie dhe besueshmërie. Përsa i përket këtij procesi çertifikimi të llogarive të shtetit, rregullat që zbatohen janë ato të kontabilitetit të përgjithshmëm të shtetit. Për këtë çertifikim Gjykata raporton në parlament nëpërmjet një raporti të kontabilitetit të përgjithshmëm të konsoliduar të shtetit. Në këtë raport llogaritë e shtetit paraqiten sipas disa ndarjeve që janë: bilanci i shtetit, llogaritë e rezultatit, tabela e flukseve të thesarit dhe anekset e ndryshme bashkëlidhur. 83% e subjekteve të audituara nga Shteti do të çertifikojnë llogaritë e tyre nëpërmjet një komisioneri të llogarive. Mënyra e auditimit e aplikuar nga Gjykata është një kombinim i së ashtuquajturës nëpërmjet risqeve dhe një metodologjie të miratuar për të formuluar në fund dhe motivuar, një pozicion të caktuar mbi llogaritë.
Prezantimet vijuan me një analizë specifike të financave publike vendore, si pjesë e financave publike. Kjo konsiderohet si një qasje kombëtare ashtu edhe territoriale sepse qasja globale përfshin donacionet kombëtare dhe qasja lokale përfshin ekzaminimin e menaxhimit të realizuar nga dhomat rajonale të llogarive. Kjo mbështetet në hetimet që bëhen në administratat qendrore dhe shkëmbimin me shoqatat lokale dhe mbi raportet e vëzhgimeve të bëra nga Gjykata. U vijua më tej me detajimin e strukturave që merren me realizimin e këtyre kontrolleve si dhe referencat ligjore.
Mbi organizimin ei kontrolleve dhe misioneve të Dhomave të llogarive rajonale, u sqarua se nga 1 shtatori 2014, janë në total 1018 agjentë ndër të cilët, 37 janë magjistratë në aktivitet dhe 681 janë personel kontrolli dhe administrativ. Ligji i dhjetorit 2011 e fiksoi numrin e dhomave të llogarive rajonale në 20 duke eliminuar 7 të tilla në metropole. Qëllimi i reformës ishte të favorizonte homogjenitetin e metodikave të kontrollit dhe forconte kredibilitetin në subjektet që do të auditoheshin. Misioni i përgjithshëm i tyre është i ndarë në tre fusha: kontrolli juridiksional, kontrolli buxhetor dhe ekzaminimi i performancës. Tre parimet themelore që drejtojnë aktivitetin e këtyre dhomave janë pavarësia institucionale e juridiksioneve financiare dhe statutore të anëtarëve që garantojnë lirinë e zhvillimit të kontrolleve dhe vlerësimin e lirë të konkluzioneve; kontradiksioni që përfshin që të gjitha konstatimet dhe vlerësimet e një kontrolli, ashtu si dhe rekomandimet dhe vëzhgimet e formuluara në vijim, vihen sistematikisht në dispozicion të përgjegjësve të organizmave të kontrolluar; dhe kolegjialitetit që aplikohet në secilin stad të procedurave të kontrollit dhe publikimit. Të gjitha fazat e një raporti miratohen nga dhoma ose nga një grup i përbërë nga të paktën tre magjistratë.
Magjistratët e dhomave të llogarive rajonale, mund të marrin pjesë në misionet ndërkombëtare që i përkasin mandatit të auditimit të jashtëm ndaj  nëntë organizatave ndërkombëtare.
Gjatë ditës së katërt dhe të pestë të trajnimit u vijua me temën Përgatitja dhe Hapja e një Kontrolli të Menaxhimit. Kontrolli i menaxhimit përdoret në rastet kur duhet kontrolluar performanca e një organizmi, performanca e një komuniteti (lokal apo rajonal), performanca e një politike publike ose e një subjekti publik dhe performanca e një shërbimi shtetëror. Kontrolli i menaxhimit në përgjithësi ka si synim verifikimin e qëndrueshmërisë së llogarive (kur subjekti ka një kontabilist publik) dhe verifikimin e llogarive (kur subjekti nuk ka një kontabilist publik). Ky lloj kontrolli vepron kryesisht në dy plane: në planin juridiskional (niveli i diligjencës), në planin e menaxhimit (kontrolli i normuar nga ligji).
Më tej trajnimi trajtoi problematikat e raportimit të instruksionit, i cili është një lloj raportimi që shërben si dokument mbi të cilin do të bazohen më vonë konsideratat e prokurorit të përgjithshëm në lidhje me shkeljet që mund të evidentohen në të. Ai ka një formë që përcaktohet sipas dispozitave të rregullave procedurale dhe profesionale, ndërsa përmbajtja e tij ndryshon në bazë të temës dhe subjektit për të cilin është hartuar. Kryesisht llojet e shkeljeve që evidentohen në këtë lloj raporti janë fakte që mund të ngarkojnë më përgjegjësi subjektin apo individin që menaxhon subjektin, ose fakte që mund të evidentojnë përgjegjësi penale për individët. Në të dyja rastet, vendimmarrja për ecurinë e mëtejshme të raportit i takon prokurorit, i cili në momentin e depozitimit të tij vazhdon praktika të tjera që i përkasin hapësirës hetimore dhe që nuk janë më pjesë e kontrollit të menaxhimit.
Me tej, u diskutua edhe për fazën e kontraditorit gjatë kontrollit të menaxhimit. Parimi i përgjithshëm i kontradiktorit është një rregull i përgjithshëm që zbatohet në Gjykatë gjatë juridiksionit financiar. Në zbatim të këtij parimi në rast shkeljesh të rënda, gjatë procedurës instruktore, mbahen marrëdhënie shkresore më subjektin apo me individët, për të cilët hipotizohet se kanë përgjegjësi të ndryshme në lidhje me ndonjë keq menaxhim të mundshëm. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë palët e interesuara dhe të prekura nga gjetjet e raportit të instruksionit mund të shprehin observacionet e tyre të shkruara në lidhje me çështje të ndryshme. Gjithashtu, në mënyrë të ngjashme me KLSH-në, zhvillimi i mëtejshëm i procedurës kontradiktore shkresore mund të përmbyllet më një takim ballafaqimi. Ky lloj takimi nuk është i detyrueshëm, por është sanksionuar si një e drejtë për të kërkuar një mbledhje që i takon juridiksionit apo personave që janë prekur nga kontrolli i menaxhimit.
Faza e hartimit të rekomandimeve është fundi i këtij lloj kontrolli. Qëllimi kryesor i rekomandimeve është përmirësimi i performancës së institucionit. Formulimi i rekomandimeve është një procedurë që ndiqet në të gjitha llojet e kontrolleve përveç kontrolleve të çertifikimit të llogarive të shtetit, të sigurisë sociale dhe të organizatave ndërkombëtare. Formalisht, rekomandimet janë formulime sintetike të cilat nuk i kalojnë tre rreshtat. Ato janë të shumta dhe të ndara sipas ndarjes së raportit dhe prezantohen në një aneks specifik brenda strukturës së raportit. Rekomandimet duhet të jenë specifike, të matshme, të realizueshme dhe të përcaktuara në kohë.