Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH-së merr pjesë në seminarin: “Mbi Auditimin e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit

Nga data 22 deri 24 tetor 2014, u zhvillua në Çeki, Pragë, Seminari me temë “Mbi auditimin e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, shkëmbim ekperiencash, problematikash dhe praktikat më të mira”, organizuar nga EUROSAI dhe Zyra Supreme e Auditimit të Çekisë (NKU), me pjesëmarrjen e 21 shteteve anëtare të EUROSAI si dhe me prezencën e përfaqësuesve të Gjykatës Europiane të Llogarive. Nga KLSH morën pjesë Albana Agolli, drejtore e Departamentit të Auditimit të të Ardhurave Publike, Ermal Yzeiraj, drejtor i Drejtorisë Juridike, Sigurimit të Cilësisë dhe Analizës së Riskut dhe audituesit Agron Opari dhe Yrjada Jahja.

cekia

Çështjet në të cilat u fokusua seminari:
- Auditimi i luftës kundër evazionit dhe mashtrimit me taksat
- Auditimi i përputhshmërisë së të ardhurave dhe auditimi i pasqyrave përmbyllëse të shtetit
- Praktikat më të mira nga auditimet e kryera
- Fushat më problematike me të cilat SAI-t janë përballur gjatë auditimeve.

Në fjalën përshëndetëse z. Miloslav Kala, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë, shpjegoi rëndësinë e zhvillimit të këtij seminari. Ndër të tjera z. Kala u shpreh: “Çështja e efiçencës dhe efektivitetit të administrimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, radhitet ndër çështjet më të rëndësishme, jo vetëm në Republikën Çeke por edhe në shtetet e tjera. NKU ka eksperienca të dobishme nga bashkëpunimi ndërkombëtar, më së shumti në fushën e tatimiit mbi vlerën e shtuar. Ne kemi iniciuar auditime paralele të ndryshme me SAI-t Gjerman dhe Sllovak, dhe në bazë të rekomandimeve të këtyre auditimeve, midis të tjerash, është përshtatur dhe legjislacioni i BE. NKU ka qenë anëtare  e hershme e Grupit të Punës të SAI-ve të Bashkimit Europian mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Në lidhje me përmirësimet e mëtejshme të auditimeve në fushën e të ardhurave publike, lindi një ide, për organizimin e një seminari ndërkombëtar i fokusuar jo vetëm në shkëmbimin e informacionit dhe përfitimit të njohurive të reja mbi fushën e auditimit të të ardhurave nga taksat, por edhe në problemet që hasen gjatë auditimit të të ardhurave që nuk rrjedhin nga taksat.”

Më tej seminari vijoi me prezantimin e përgjigjeve të pyetësorit që të gjithë SAI-t pjesëmarrës kishin plotësuar, nga i cili dolën statistika dhe problematika të ndryshme. Seminari vazhdoi me prezantimin e disa SAI-ve, të eksperiencave dhe problematikave që ata hasin në auditimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit:
- Republika e Çekisë- NKU vuri në dukje si praktikë të mirë të saj, auditimet paralele me SAI të tjerë, mbi auditimin e TVSH-së, nga të cilat evidentoi përfitimet e shumta gjatë auditimit.
- Italia- Corte dei Conti prezantoi auditimin e efekteve mbi sjelljen e taksapaguesve të shkaktuara nga kontrolli i taksave, dhe theksoi nevojën për një strategji të re, për të kontrolluar më së miri realizimin e mbledhjes së taksave, strategji e cila do të bazohet në teknologji informacioni të përparuara.
- Spanja- Tribunal de Cuentas prezantoi masat e ndërmarra kundër mashtrimit të taksave, masa të cilat u ndikuan nga rekomandimet e lëna nga auditimi mbi Zyrën e Administrimit të Taksave.
- Polonia- NIK prezantoi zhvillimin e auditimeve mbi mashtrimet e TVSH, gjetjet kryesore, si dhe mekanizmin e kompensimit të TVSH-së, dhe problemet që ai ka paraqitur.
- Moldavia- Gjykata e Llogorive Moldave e vuri theksin në ekzistencën e “Kompanive Fantazma”, të cilat operojnë për shkak të defiçencave në ligj, dhe për shkak të mos aplikimit të praktikave më të mira të shteteve të tjera mbi këtë fenomen.
- Sllovakia- Zyra e Audimit të Sllovakisë prezantoi auditimin e efektivitetit të luftës kundër evazionit fiskal, nga ku është konkluduar se vetëm një pjesë e vogël e TVSH-së (6%), mund të auditohet nga Administrata Financiare, nuk ekzisojnë mekanizmat e duhur për të verifikuar nëse informacioni i raportuar mbi taksat është i saktë. Në bazë të këtyre konkluzioneve janë lënë dhe rekomandimet, të cilat më së shumti theksojnë rritjen e efektivitetit të mekanizmave kontrollues.
- Norvegjia- OAGN përshkruan strukturën e auditimit të të ardhurave të buxhetit të shtetit, duke përfshirë edhe auditimin e mashtrimit me taksat.
- Finlanda- Zyra Kombëtare e Auditimit paraqiti Auditimin e Performancës në defiçitin e taksave dhe Ekonominë Gri, ku theksoi se ky auditim kryhet duke u përqëndruar në ndikimet ekonomike mbi modifikimet në taksa, në cilësinë e legjislacionit, në efektivitetin e funksioneve inspektuese, të kryera këto edhe me auditime paralele me SAI të tjerë.
- Lituania-NAOL evidentoi se auditimet e të ardhruave të buxhetit të shtetit kryhen në të njëjtn mënyrë si auditimet e tjera, duke përfshirë edhe elementë të auditimit të performancës, e konkretisht nëse parashikimi i buxhetit të shtetit ka marrë parasysh faktorët që ndikojnë në madhësinë e të ardhurave të buxhetit.
- Belgjika-Gjykata e Llogarive përshkroi fillimisht institucionin e vet, duke u ndalur në mënyrën e trajtimit të auditimeve, nga ku Gjykata aplikon auditimin e bazuar në sistem. Gjykata paraqiti gjithashtu edhe mënyrën e bashkëpunimit më subjektin e audituar, si dhe vlerësimin e buxhetit draft të shtetit, të cilit nuk i kryhet një auditim formal, por jepen këshillime.
- Gjeorgjia-Zyra e Auditimit prezantoi fillimisht reformat që janë kryer në këtë institucion, të cilat kanë ardhur më së shumti si pasojë e bashkëpunimit më SAI të tjerë, si dhe theksoi se është e detyruar me ligj që draftit të buxhetit të shtetit ti kryhet auditim, për të parë arsyeshmërinë dhe ligjshmërinë e të ardhurave dhe shpenzimeve.
- Gjykata Europiane e Llogarive-prezantoi rolin e saj në interesat financiare të qytetarëve të Bashkimit Europian, të Ardhurat e Buxhetit të BE, Auditimin e Performancës në të ardhurat e buxhetit, si dhe praktika dhe problematika të hasura gjatë këtyre auditiveve.

Në fund të seminarit u bë një përmbledhje e konkluzioneve të nxjerra gjatë këtij aktiviteti, ku u ndërtua dhe një “pemë” me të gjitha fazat e auditimit, në të cilën çdo SAI pjesëmarrës vendosi problemet që ai has në auditimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Nga ana e përfaqësuesve të KLSH, në diskutimet e bëra me homologët e vendeve të tjera përfaqësuese në lidhje me problematikën e deritanishme të SAI-t Shqiptar në auditimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit u ngritën disa nga cështjet problematike me të cilat KLSH është përballur gjatë këtyre viteve, përsa i përket mos dhënies së informacionit të kërkuar nga ana e organeve të administratës tatimore, tendenca për ta reflektuar këtë qëndrim kufizues edhe në Projekt Ligjin e ri të KLSH si dhe puna e vazhdueshme mediatike si dhe me faktorin ndërkombëtar që KLSH ka zhvilluar në lidhje me sensibilizimin sidomos të opinionit publik në lidhje me këto çështje.