Trajnime nga institucionet nderkombetare

Trajnimi në Gjykatën Europiane të Audituesve “Politikat ekonomike 2: Politikat makroekonomike dhe financiare në kontekstin e krizës”,

Gjykatën e Europiane të Audituesve (ECA) në datat 9-10 Korrik 2015.

Trajnimi “Politikat ekonomike 2: Politikat makroekonomike dhe financiare në kontekstin e krizës”, në Gjykatën Europiane të Audituesve
Në datat 9-10 korrik 2015, në Gjykatën Europiane të Audituesve (ECA) u zhvillua trajnimi me temë “Politikat ekonomike 2: Politikat makroekonomike dhe financiare në kontekstin e krizës”.  Ky program u përgatit për anëtaret e stafit të ECA-s, që për qëllime të punës së tyre audituese e kanë të nevojshme të përditësohen me terminologjinë, mekanizmat, zhvillimet dhe problemet e lidhura me kushtet makroekonomike të ekonomisë botërore dhe veçanërisht asaj Evropiane. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga audituesit Marjola Lleshi dhe Enkelejda Tole. Trajnimi u zhvillua nën udhëheqjen e z. Philippe Scheuer, me një përvojë të pasur profesionale dhe akademike në fushën e shërbimeve financiare.

Objektivat e këtij trajnimi ishin:
1.Rishikimi i mekanizmave kryesorë të përfshirë në shpjegimin e krizës financiare dhe ekonomike
2.Përshkrimi dhe analizimi i gjendjes së ekonomisë Evropiane dhe tre krizat e ndërlidhura.
3.Përshkrimi dhe diskutimi i mekanizmave  të përfshira për çdo “zonë krize”.
4.Diskutimi i përgjigjeve të politikës ekonomike relevante ndaj secilës “krizë”.
5.Identifikimi, diskutimi dhe analizimi i përgjigjeve të integruara dhe propozimeve për zgjidhje.

Në ditën e parë të tij, fillimisht u trajtuan shkaqet e krizës financiare dhe ekonomike. Çekuilibrimet strukturore njihen si shkaqet kryesore makroekonomike, ndërsa dështimi në disiplinimin e tregjeve, menaxhimin e risqeve si dhe rregullimin dhe mbikëqyrjen financiare renditen si disa nga shkaqet mikroekonomike. Çfarë lindi si krizë bankare më vonë u shndërrua në krizë të borxheve kombëtare. Më tej, u prezantuan politikat e zbatuara ne përgjigje të krizës së vitit 2008, të tilla si politikat ekspansioniste fiskale dhe monetare si dhe politikat mbështetëse të sistemit financiar.

Gjithashtu vëmendja u përqendrua ne përshkrimin dhe analizën e tre krizave të ndërlidhura të zonës Euro:
1.Kriza e borxhit sovran - niveli i tejkaluar i borxhit publik
2.Bilancet e dobëta në sektorin bankar
3.Niveli i ulët i konkurueshmërise ndërkombëtare dhe rritjes ekonomike

Gjatë ditës së dytë të trajnimit, u diskutuan përgjigjet e mundshme të politikave ekonomike relevante ndaj secilës “krizë”. Sipas këtij programi problemi i buxhetit paraqitet si më i vështiri dhe zgjidhjet e tij konsistojnë në: reduktimin në balancat strukturore, ndikimet e rritjes në kontraktimin fiskal, elasticitetin e borxhit, solidaritetin dhe rrezikun moral. Ndërsa në lidhje me komponentin e dytë të krizës, atë bankar, si rrugë të mundshme shihen: kërkesat e përforcuara të kapitalit (Basle III), lëvizjet drejt një unioni bankar, përmirësimet në strukturën dhe qeverisjen e bankave.

Ndërkohë që politikat e konkurueshmërisë duhet te synojnë rivlerësime te brendshme që minimizojnë impaktin në deficitin e sektorit publik si dhe ndryshime nga ana e ofertës në tregun e punës dhe mallra-shërbimeve.
Pas identifikimit, diskutimit dhe analizimit të përgjigjeve të integruara, ato që rezultuan në fund të programit si propozime për zgjidhje ishin:
•Rindërtimi i qeverisjes së zonës Euro
•Përgjigja ndaj krizës sistematike në Evropë

Gjatë trajnimit, audituesit u pajisën me materialet e ofruara nga zhvilluesit e trajnimit, mbi të cilat diskutonin individualisht ose në grup. Kështu, një seksion i veçantë  u zhvillua ne lidhje me leximin dhe interpretimin e pasqyrave financiare të konsoliduara dhe raportit te risqeve të Deutsche Bank  2009. Pjesëmarrësit ne trajnim shkëmbyen përvojat e vendeve të tyre të origjinës për sa i takon tre krizave të ndërlidhura të trajtuara më sipër.
Audituesit e KLSH-se u bënë pjesë e këtyre diskutimeve, veçanërisht në çështjet që trajtonin treguesit e borxhit publik, rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve financiare si dhe dobësitë ne bilancet dhe menaxhimin e risqeve bankare.

*Deutsche Bank është  një kompani gjermane që  ofron shërbime globale financiare dhe bankare. Kjo bankë konsiderohet si një prej bankave më prestigjioze dhe influencuese në tregjet financiare botërore.