Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në seminarin e zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, nga Instituti Europian i Administratës Publike (EIPA).

Nga data 25 – 26 Prill 2017, u zhvillua në Dubrovnik të Kroacisë nga Instituti Europian i Administratës Publike (EIPA), seminari me temë mbi “Prokurimin publik europian, financimin e Partneritetit Privat Publik dhe koncensioneve”.

EIPA është krijuar në vitin 1981 me mbledhjen e parë të Këshillit të Europës të mbajtur në Maastricht, Hollandë dhe është mbështetur nga Shtetet Anëtare të BE si dhe Komisioni Evropian.

Misioni kryesor i EIPA – s, është ofrimi i kurseve cilësore të trajnimit për të zhvilluar kapacitetet e profesionistëve, administratave publike kombëtare dhe rajonale që merren me çështjet e BE-së, si dhe me institucionet evropiane. EIPA ofron ekspertizë të gjatë të kombinuar me module të mësimdhënies të bazuara në probleme dhe praktika.

EIPA është vlerësuar dhe miratuar nga DEKRA (organizatë e pavarur kërkimore) me normën e menaxhimit të cilësisë NEN-EN-ISO 9001: 2008. Gjithashtu është vlerësuar dhe pranuar nga Kompania e Kurseve të Trajnimit “Cedeo” dhe nga Instituti Holandez Mbretëror i Kontabilistëve, për të zhvilluar kurset e trajnimit.

Seminari u drejtua nga Rita Beuter, eksperte e lartë, në Njësinë e Politikave dhe Michael Burnett, Ekspert, i Menaxhimit Publik Europian, të EIPA, e cila ndodhet në Maastricht Hollandë.

Në këtë seminar morën pjesë 40 ekspertë të prokurimit publik nga shtete si Bullgaria, Çekia, Italia, Letonia, Sllovakia,  si dhe nga institute apo agjenci e organizata europiane. Nga Shqipëria morri pjesë audituese e KLSH Lolita Baholli.

Gjatë dy ditëve të këtij takimi u zhvilluan temat mbi: Prokurimi publik europian: rregullat dhe parimet, direktiva e prokurimit (direktiva 2014/24/BE): fushëveprimi, rregullat e përgjithshme, rregullat për kontratave publike, dialogu konkurrues dhe procedura konkurruese me negociata, partneriteti publik privat, financimet private për infrastrukturën, performanca e kontratës, regjimet e veçanta të prokurimit dhe aplikimi i direktivës 2014/24/BE si dhe direktiva 2014/23 / BE, “Direktiva për dhënien e kontratave të koncesionit”.

Seminari u zhvillua me sesione interaktive, me ushtrime të ndryshme për tipe kontratash dhe me diskutime mbi to.