Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH përmbyll me sukses Projektin PPA II (Parallel Performance Audit), të fokusuar në prokurimet publike

Më datë 5-9 Qershor 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në “Workshop-in” nr. 6 të zhvilluar në Beograd të Serbisë. Ky “workshop” ishte takimi i fundit i Projektit PPA II, takim në të cilin vëmëndja kryesore ishte asistimi dhe përgatitja e raporteve finale të auditimit. Ai u organizua nga SNAO (Swedish National Audit Office – Zyra e Auditimit Kombëtar të Suedisë) me mbështetjen e ECA (European Court of Audits - Gjykata Europiane e Audituesve). Ashtu si edhe në takimet e tjera të mëparshme, në këtë “workshop” morën pjesë edhe Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina.

workshop serbi

Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në këtë “workshop” vinin për të prezantuar Draft-Raportet e tyre të auditimit me qëllim përmirësimin e tyre dhe përthithjen e sugjerimeve dhe rekomandimeve deri në hartimin e Raportit Final të Auditimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë workshop me Kryeaudituesit z. Aulent Guri dhe z. Gjovalin Preci të cilët prezantuan Draft-Raportin e auditimit të Menaxhimit të Prokurimit Publik. Ky auditim ashtu si dhe auditimet e SAI-ve të tjera ngjallën mjaft interes. Ai është fokusuar kryesisht në procedurën e prokurimit publik të negocimit pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Me anë të këtij auditimi, do të synojmë të vëmë në pah anët pozitive dhe negative të kryerjes së procedurave të prokurimit publik si një përpjekje e angazhim profesional, për të  garantuar dhe ndihmuar gjithë sistemin e prokurimit publik. Krahas prezantimit të gjetjeve, konkluzioneve dhe rekomandimeve, theksi u vu edhe në mesazhin kryesor të këtij auditimi, si dhe qëllimin dhe objektivat e tij. Aktualisht auditimi është në fazën finale të hartimit nga grupi i auditimit të KLSH-së.

Tematikat kryesore të këtij “workshopi” ishin mënyra e të shkruarit dhe vizualizimi i të dhënave. Në këtë aspekt, ekspertët ndërkombëtarë të ECA-s theksuan ndër të tjera se përdorimi i fjalive të gjata me 50-70 fjalë janë të vështira për t’u kuptuar nga lexuesit dhe ulin ndjeshëm nivelin e raportit. Rekomandimi dhe sugjerimi kryesor nga ekspertët ndërkombëtarë ishte që numri i fjalëve në një fjali mos t’i kalojë 20-30. Sa i përket vizualizimit të të dhënave diskutimet u përqëndruan në përdorimin e grafikëve dhe përcjelljen e mesazheve nëpërmjet tyre duke zëvendësuar tekste apo fjali të gjata me një grafik apo tabelë. Kjo e ndihmon lexuesin për të kuptuar më mirë mesazhin që audituesi dëshiron të përcjellë. Në këtë drejtim, të gjitha Draft-Raportet e vendeve pjesëmarrëse kaluan një “filtër” për të përmirësuar grafikët apo tabelat që ato kanë përdorur në auditimet e tyre. Raportet duhet të hartohen në mënyrë të tillë që lexues të interesuar por jo ekspertë të fushës të mund t’i kuptojnë lehtësisht. Një tjetër çështje që u diskutua ishte dhe përdorimi i fjalive pasive në raportet e auditimit. Eksperti ndërkombëtar i ECA-s z. Jussi Bright në prezantimin e tij theksoi se përqindja e fjalive pasive në një raport nuk duhet të jetë më e madhe se 20-30 %. Krahas këtyre rekomandimeve u diskutua edhe në grupe të vogla mbi eksperiencat e secilit vend gjatë auditimeve të tyre për të përfituar dhe për të shkëmbyer me njëri tjetrin praktikat më të mira. Kjo u cilësua si një “win-win case” ku qëllimi kryesor është që të gjithë të përfitojnë.

Pas miratimit të Raportit Final të Auditimit do të përgatitet “Synthesis Report”, i cili është një raport pëmbledhës me strukturë dhe përmbajtje të përcaktuar. Ky raport do të përgatitet nga SNAO dhe ECA. Ai do të përbëhet nga 1) Përshkrimi i Procesit të PPA II, 2) Gjetjet, Konkluzionet dhe Rekomandimet kryesore për secilin vend pjesëmarrës në këtë projekt. KLSH do të ketë të drejtën për të bërë komente apo sugjerime nëse e shikon të arsyeshme për pjesën e dytë të “Synthesis Report”. Pas hartimit final të “Synthesis Report” përgatitur nga  ECA dhe SNAO, ai do të publikohet në formë elektronike në fillim të Tetorit 2017 nën siglën e JWGAA (Joint Working Group on Audit Activities - Grupi i Përbashkët i Punës mbi Aktivitetet Audituese).

Ajo që shkruhet pa përpjekje në përgjithësi lexohet pa kënaqësi. Samuel Johnson