Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në workshop-in mbi auditimin financiar të SAI-ve të Rajonit

Në datat 3-5 shtator 2017, audituesit e KLSH-së z. Jonid Hoxhaj, z. Koço Sokoli, z. Klarenc Xhaferraj, z. Jovan Plaku, z. Skënder Hajdari dhe z. Dorel Balliu, morën pjesë në workshop-in e parë për auditimin Financiar të zhvilluar në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, të organizuar nga ekspertët e SNAO Suedi, z. Tomas Janhed dhe z. Anders Herjevik si dhe moderatori i zhvillimit të punimeve z. Hazim Sabanoviç.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të SAI-ve nga 7 vende, konkretisht nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia dhe Serbia.
Tema e Workshop-it ishte “Auditimi Finaciar”, i cili u përqendrua kryesisht në fazën e planifikimit (njohja me subjektin, vlerësimi i riskut dhe materialiteti). Të gjithë hapat e këtij Workshop-i ishin të lidhura me ISSAI-t përkatës dhe programi i zhvillimit të tij ishte organizuar në disa etapa.
Trajnimi u hap nga moderatori i zhvillimit të punimeve z. Hazim Sabanoviç.
Në ditën e parë të punimeve u trajtua tema “Qëllimi, mandati i auditimit dhe njohja me subjektin e auditimit”.

Secili nga përfaqësuesit e SAI-ve të vendeve pjesëmarrëse paraqitën prezantimet e përgatitura.
Tema “Mandati dhe qëllimi” u prezantua nga z. Skënder Hajdari. Ai i njohu pjesëmarrësit me një panoramë të përgjithshme të institucionit tonë lidhur me qëllimin dhe fushat në të cilat KLSH shtrin aktivitetin e tij auditues, në përputhje me ISSAI 1200, 1210 dhe 1250.
“Njohja me subjektin” u prezantua nga z. Jonild Hoxhaj. Kjo temë u përqendrua në njohjen me strukturën e subjektit, llogaritë, transaksionet, IT si dhe problemet e shkuara ose aktuale. Gjithashtu, u theksua rëndësia që ka natyra e subjektit, objektivat dhe strategjitë, kuadri i raportimit financiar dhe politikat e zgjedhjes dhe zbatimit të llogarive.
Në ditën e dytë pjesëmarrësit trajtuan konceptin e“Materialitetit” (ISSAI 1320) si dhe “Vlerësimin e Riskut dhe përgjigjen ndaj vleresimit të tij” (ISSAI 1330).
Tema e parë u prezantua nga z. Jovan Plaku. “Materialiteti” u shpjegua si në fazën e planifikimit të auditimit, ashtu edhe në atë të kryerjes së auditimit, në lidhje me praktikat e KLSH-së për materialitetin sasior dhe cilësor. Përpos kësaj, u mor edhe shembulli praktik i amortizimit gjatë një auditimi financiar.

“Vlerësimi i riskut dhe përgjigja ndaj vlerësimit të tij” u paraqit nga z. Jonild Hoxhaj, i cili i njohu pjesëmarrësit me identifikimin e riskut të auditimit dhe procedurat që ndiqen nga SAI shqiptar për vlerësimin e tij. Gjithashtu, në këtë prezantim u paraqit Modeli i Sigurisë që KLSH-ja përdor për të vlerësuar besueshmërinë dhe mjetet me anë të të cilave arrihet: sistemet e kontrollit dhe testet thelbësore, i cili u diskutua gjerësisht nga të pranishmit.
Në vijim, përgjatë ditës së tretë, u bë një përmbledhje nga përfaqësuesit e SNAO-s dhe koordinatorit të këtij trajnimi.

Gjatë të gjithë zhvillimit të aktivitetit, pas prezantimeve të materialeve përkatëse, u zhvilluan bashkëbisedime dhe diskutime të ndryshme, me pyetje–përgjigje, në varësi të çështjes që trajtohej. Gjithashtu, edhe për temat që paraqitën kolegët pati pyetje dhe diskutime në lidhje me praktikat e përdorura nga KLSH-ja, të cilat u trajtuan me profesionalizëm.
Nga ana e koordinatorit të këtij trajnimi z. Hazim Sabanoviç, u bë një pasqyrim i përgjithshëm i mënyrës se si SAI të vendeve pjesëmarrëse kryenin, “Vlerësimin e riskut dhe përgjigja ndaj vlerësimit të tij”, duke vënë theksin në mënyrën e vlerësimit si dhe duke bërë krahasimin e tabelave të paraqitura nga secili përfaqësues.

Ishte me interes fakti se koeficienti i vendosur nga pjesëmarrësit ishte në shifra të ndryshme por në thelb përfundimi për të arritur në vlerësimin e riskut ishte i njëjtë.

Në përfundim të aktivitetit, me qëllim vazhdimin e trajtimit të problematikave në auditimin financiar dhe të një përqasjeje më praktike dhe shkëmbimin e eksperiencave reciproke, nga organizatorët u kërkua që kjo seri Workshop-esh të vazhdojë me të njëjtët përfaqësues në të gjitha vendet pjesëmarrëse.