Trajnime nga institucionet nderkombetare

Përfaqësues të KLSH ndjekin webinarin me temë "Raportimi jo-financiar (NFR) dhe raportimi i integruar (IR) në Sektorin Publik".

Në datën 30 shtator 2020, Konfederata Evropiane e Instituteve të Auditimit të Brendshëm (ECIIA) dhe EUROSAI organizuan  webinar-in me temë , "Raportimi jo-financiar (NFR) dhe raportimi i integruar (IR) në Sektorin Publik". Për Kontrollin e Lartë të Shtetit ky webinar u ndoq nga Specialiste në Sektorin e Komunkimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Alma Shehu.

Raportimi jo-financiar i një kompanie ose institucioni  është procesi i mbledhjes dhe publikimit të të dhënave mbi politikat që ata zbatojnë në lidhje me:

- mbrojtjen e mjedisit;
- përgjegjësitë  sociale dhe trajtimin e punonjësve;
- respektimin e të drejtave të njeriut;
- luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar;
- diversitetin në institucion për sa i përket moshës, gjinisë, nivelit arsimor dhe profesional.

Raportimi jo financiar tashmë kuptohet si pjesë e pandashme e raportimit të  integruar, i cili është një komunikim konciz se si strategjitë, menaxhimi dhe performanca e një institucioni  çojnë në krijimin e vlerës së shtuar  për një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë  duke i shërbyer kështu rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
Në këtë webinar referuan Presidenti i ECIIA,  z. Malvyn Neate, Drejtuese e Grupit të Punës së EUROSAI- ECIIA për Auditimin e Brendshëm dhe Riskun, znj. Soledad Llamas, Profesori i Universitetit të Valencias, Dr.  Vicente Montesinos Julve, Profesori i Universitetit Babes- Bolyai në Rumani, znj. Adriana Tiron –Tudor dhe përfaqësuesi i SAI-t të Holandës z. Martin Dees.

Në fokus të webinarit ishte implementimi konkret i Direktivës së BE 014/95/ EU “Publikimi i informacionit jofinanciar”, e cila kërkon që kompanitë e mëdha  dhe institucionet të bëjnë publike  informacione të caktuara për mënyrën se si operojnë dhe menaxhojnë sfidat sociale dhe mjedisore. Kjo i ndihmon investitorët, konsumatorët, opinionin publik, politikëbërësit dhe aktorët e tjerë të interesuar të vlerësojnë performancën jo financiare të tyre dhe i inkurajon ato të  zhvillojnë qasje më të përgjegjshme.

Në këtë kontekst fillimisht u prezantuan rezultatet e pyetësorit të përgatitur nga Grupi i  Punës së EUROSAI- ECIIA për Auditimin e Brendshëm dhe Riskun.  Kështu raportohet se SAI i Holandës, Belgjikës, Çekisë dhe Estonisë janë ndër SAI-et më me eksperiencë në hartimin e raporteve të integruara që përmbajnë informacion të detajuar jo financiar për  performancën e tyre. Si bazë për këto raport shërbejnë indikatorët e përcaktuar në  Iniciativën Globale për Raportim, Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm dhe Pakti i Kombeve të Bashkuara.

Në webinar u theksua se hartimi i raporteve të integruara që përfshijnë edhe të dhëna jo financiare nga Institucionet Supreme të Auditimit ka një sërë përfitimesh.  Këto raporte ndikojnë qenësisht në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës,  i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve me parlamentin dhe palët e tjera të interesit, si dhe përmirësojnë  e zgjerojnë format e  komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm. Sfidat me të cilat ndeshen institucionet për hartimin e raporteve të integruara lidhen kryesisht me kërkesat e ndryshme për institucione të ndryshme për raportimin jo financiar, përcaktimin e  materialitetit, dixhitalizimin, mungesën e standardeve të unifikuara, burimet e limituara financiare dhe mungesën  e sigurisë së arsyeshme për këtë lloj raportimi.