KLSH merr pjesë në takimin e VIII të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Alokimin e Fondeve për Katastrofat dhe Fatkeqësitë Natyrore

Në datën 22 nëntor, përmes platformës online, u zhvillua takimi i VIII i Grupit të Punës së EUROSAI-t për Alokimin e Fondeve për Katastrofat dhe Fatkeqësitë Natyrore, organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Ukrainës, në cilësinë e drejtuesit dhe sekretariatit të këtij grupi pune. Në fokus të këtij takimi ishin çështjet në lidhje me alokimin e fondeve shtetërore për tërmetet, pandeminë e COVID-2019 dhe në veçanti, mbi pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Takimi u çel me fjalën e z. Andrii Maisner, zv/Kryetari i Zyrës së Llogarive të Ukrainës, i cili bëri një prezantim të kontekstit të ri ku po operon kjo zyrë, përballë agresionit rus dhe pasojave në njerëz dhe në ekonomi që ky sulm ushtarak i ka shkaktuar Ukrainës. Në përfundim, z.Miasner falënderoi komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit për mbështetjen që i kanë ofruar Ukrainës në këtë periudhë të paprecedentë për vendin e tij.

Në këtë forum  morën pjesë rreth 15 SAI dhe u prezantuan praktikat më të mira në fushën e auditimit mbi alokimin e fondeve për katastrofat dhe fatkeqësitë natyrore, si :

- Përdorimi efektiv i fondeve për pandeminë e Covid-2019;

- Auditimi mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në Ukrainë si pasojë e agresionit ushtarak të Federatës Ruse;

- Auditimi mbi menaxhimin e fatkeqësive nga zjarret në pyje;

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si anëtar proaktiv i këtij grupi pune, kontribuoi në këtë forum duke u bërë pjesë e anketës për të propozuar rekomandime praktike në auditimin e fondeve të menaxhimit të katastrofave dhe fatkeqësive natyrore. Nga përfaqësuesit e KLSH-së u vu theksi te vëmendja që po i kushton KLSH këtyre çështjeve, përmes auditimeve që ka zhvilluar për tërmetin e rëndë të 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë e Covid—2019, për të cilat janë kryer auditime si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror.

 KLSH u përfaqësua në këtë takim nga audituesit znj.Redina Karapici, znj.Angjela Nesturi, znj.Anjeza Goci dhe z.Redi Ametllari.