Njoftim për shtyp mbi auditimin e ushtruar në Bashkinë Tepelenë

Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 363/1,datë 06.04.2021, të miratuar nga Kryetari i KLSH, ushtroi auditimin “Financiar dhe të Përputhshmërisë” në subjektin Bashkia Tepelenë, për veprimtarinë nga data 01.01.2019 deri më 31.12.2020.

Nga auditimi, u dha Opinion i Kualifikuar për Pasqyrat Financiare dhe për Përputhshmërinë, si dhe u lanë rekomandimet dhe masat përkatëse, konkretisht 13 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi dhe 7 masa për eleminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të fondeve publike. Disa nga konstatimet kryesore janë vendosur më poshtë:

-     Nga auditimi i komponentëve dhe implementimit të parimeve të MFK-së, u konstatua se raporti për funksionimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, për të dy vitet e audituara nuk është dërguar në përputhje me kriteret e Ligjit nr.10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar.

-     Për vitin 2019, buxheti është realizuar në total në masën 96,2% ose nga 335,977 mijë lekë të programuara, është realizuar 323,300 mijë lekë. Zëri investime, llogaria ekonomike 231, është realizuar në masën 86,7% ose nga 37,613 mijë lekë të programuar, realizuar në masën 32,616 mijë lekë nga të cilat nga të ardhurat e veta në vlerën 3,443 mijë lekë ose 10,5% të totalit të investimeve.

-     Për vitin 2020, buxheti është realizuar në total në masën 81.32% ose nga 401,283 mijë të programuara, realizuar 326,235 mijë lekë. Zëri investime, llogaria ekonomike 231, është realizuar në masën 18.2% ose nga 84,585 mijë lekë të programuar, realizuar në masën 15,421 mijë lekë të gjitha nga fondet e deleguara.

-     Nga auditimi mbi programimin e buxheteve vjetore si dhe analiza mbi gjendjen financiare të Bashkisë Tepelenë, u konstatua se shpenzimet nuk kanë qenë të balancuara me të ardhurat dhe gjendja financiare vlerësohet “me probleme pasi detyrimet janë mbi 15% të shpenzimeve të programuara.

-     Për vitin 2019të ardhurat nga 42,099,000 lekë të planifikuara janë realizuar 35,707,696 lekë, pra me një mosrealizim në shumën 6,391,304 lekë ose 15.2% dhe për vitin 2020, të ardhurat nga 42,500,000 lekë të planifikuara janë realizuar 37,591,480 lekë, pra me një mosrealizim në shumën 4,908,520 lekë ose 11.6%.

-     Nga verifikimi i taksave vendore për subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe derivatet e tyre, u konstatua se 3 subjekte e ushtrojnë aktivitetin të papajisur me autorizimet përkatëse, ndërsa 2 subjekte kanë bërë pagesa të pjesshme, të cilat do t’i shlyejnë me këste për një periudhë 5 vjeçare. Pagesat e pakryera deri në momentin e auditimit dhe vlerat debitore, në vlerën 4,400,000 lekë përbëjnë dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë Tepelenë.

-     Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Pastrimi i rezervuarit dhe rehabilitimi i kanalit ujitës Dukaj”, me vlerë të kontratës 11,966,064 lekë, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në vlerën 393,306 lekë pa T.V.Sh.

-     Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Rehabilitimi i kanalit ujitës Dukaj (pastrimi i rezervuarit)”, me vlerë të kontratës 20,899,027 lekë, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera në vlerën 141,651 lekë pa T.V.Sh.

-     Nga verifikimi i kontratave të qirasë për terrenet shtetërore, u konstatua se nuk është arkëtuar vlera 1,570,006 lekë.

-     Nga verifikimi i kontratave të qirasë për tokë bujqësore, u konstatua se nuk është arkëtuar vlera prej 289,600 lekë.

-     Nga auditimi i pagesave të taksës së ndikimit në infrastrukturë për objektet e legalizuara, u konstatua se nuk e kanë paguar këtë taksë 8 persona, në vlerën prej 120,915 lekë.

-     Numri i debitorëve nga biznesi në fund të vitit 2019 ishte 197 subjekte në vlerën 10,341,288 lekë, ndërsa në fund të vitit 2020 ishte 247 subjekte në vlerën 13,364,487 lekë. Kamatëvonesa për këtë shumë detyrimesh është në vlerën 2,926,822 lekë.

-     Nga auditimi i pagesave të kryera nga institucionet që operojnë në Bashkinë Tepelenë, u konstatuan detyrime të pa vjela nga 4 institucione, në vlerën 499,741 lekë.

-     Nga auditimi i pagesave për taksën e tokës bujqësore, u konstatua se nuk e kanë paguar taksën e tokës gjithsej 2,292 familje, për një vlerë totale 10,468,765 lekë.

-     Në fushën e ndërtimit, 3 nga subjektet e pajisura me leje ndërtimi nga Bashkia Tepelenë nuk kanë paguar detyrimet vendore në vlerën totale 75,360 lekë.

-     Nga subjektet të cilët zbatojnë investimet e ndryshme në territorin e Bashkisë Tepelenë, rezultoi një vlerë debitore prej 1,981,440 lekë.

-     Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile me objekt “Rehabilitimi i kanalit ujitës Dukaj (pastrimi i rezervuarit), Bashkia Tepelenë, me vlerë 20,899,027 lekë, rezultoi se është bërë çmontimi dhe largimi i një tubacioni me vlerë të situacionuar 2,296,800 lekë pa T.V.Sh. Çmontimi dhe largimi i këtij tubacioni, pas konstatimit si i amortizuar, i bllokuar dhe jashtë funksionit, ishte i panevojshëm, pasi vlera e skrapit, nëse do të ishte shitur, është më e vogël se shpenzimet e kryera dhe për pasojë është rritur kostoja e objektit me vlerën 2,296,800 lekë.

-     Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës me objekt “Pastrimi i rezervuarit dhe rehabilitimi i kanalit ujitës Dukaj, Bashkia Tepelenë”,me vlerë 11,966,064 lekë, rezultoi se punimet kanë përfunduar 34 ditë jashtë afatit kontraktual, duke përfshirë edhe amendimin e kontratës, i cili ka bërë shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve me 45 ditë. Nga auditimi i dokumentacionit, rezulton se nuk janë mbajtur penalitete për vonesa në përfundimin e punimeve në masën 481,562 lekë (0.004 x 34 ditë x 3,540,900 lekë (pjesa e mbetur e kontratës, deri në përfundim të afatit kontraktual të punimeve).

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit doli me Opinion të Kualifikuar për Pasqyrat Financiare dhe për Përputhshmërinë, dhe rekomandoi 13 masa organizative, 3 masa për shpërblim dëmi dhe 7 masa për eleminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet të fondeve publike, me Vendimin nr. 159, datë 13.10.2021, të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti përfundimtar i auditimit