KLSH NË PANAIRIN E LIBRIT “TIRANA 2021”

Krahas dhjetëra shtëpive botuese dhe institucioneve të ndryshme pjesëmarrëse në Panairin e 24-t të Librit “Tirana 2021”, që u mbajt në Tiranë në datat 17-21 nëntor 2021, mori pjesë për herë të tetë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në serinë e botimeve të tij u paraqitën 110 tituj, të botuar ndër vite. Botimet e KLSH-së, krahas informimit të opinionit të gjerë publik, i ndihmojnë audituesit publikë për formimin e kapaciteteve të tyre, zbatimin rigoroz të standardeve të INTOSAI-t dhe shkëmbimin e eksperiencave të mira të punës, në bazë të motos së INTOSAI-t: “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”.

Interes shfaqi për vizitorët stenda në të cilën ishin ekspozuar botimet e KLSH-së, veçanërisht prezantimi për herë të parë i dy botimeve të vitit 2021, përkatësisht “Raporti Vjetor i Performancës i KLSH-së 2020” në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

KLSH vjen në këtë event kulturor në vijim të traditës së krijuar tashmë  me botime të cilat përfaqësojnë një gamë të pasur vlerash, punimesh, hulumtimesh, pasqyrim të veprimtarisë institucionale etj.

Këto botime i shërbejnë rritjes se transparencës dhe llogaridhënies, duke bërë një hap të rëndësishëm sasior dhe cilësor në kontributin për mirëqeverisjen përmes bërjes publike dhe transparente të të gjithë veprimtarisë së institucionit dhe rritjes së kapaciteteve në fushën e auditimit publik.