Raport Përfundimtar i Auditimit në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit

Njoftim për shtyp

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI), sipas programit të auditimit nr.20/1, datë 26/01/2021, ushtroi auditimin e përputhshmërisë në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për periudhën 2016-2020.

Në përfundim të auditimit, grupi i auditimit  doli në një opinion të kualifikuar ku  rezultoi, ndër të tjera, se:

Janë zhvilluar procedura prokurimi, ku në 5 raste, konstatohen parregullsi në lidhje me hartimin e dokumentacionit të tenderimit, si dhe gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave në vlerën e përgjithshme 3,633,974, nga të cilat në 2 raste janë krijuar efekte negative në administrimin e fondeve publike në vlerën 2,398,064 lekë;

Institucioni(AKB) nuk ka patur performancë të mirë në zbatimin e projekteve IPA dhe nuk janë përthithur fondet me vlerë 356,698 euro nga tre projekte, kjo e mbartur dhe nga performanca jo e mirë e  administratës vitit 2016-2019;

Procedurat e tenderimit për ekspertizë të jashtme(për projekte të financuara nga BE), nuk janë zhvilluar në përputhje të plotë me rregullat e PRAG-ut (Guida praktike për procedurat kontraktues të jashtme të BE-së), etj;

- Aktiviteti i institucionit nuk ka qenë plotësisht efektiv në drejtim çështjeve që lidhen me planifikimin dhe realizimin e buxhetit, me  mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare, zbatimin e politikave e të strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare, në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre,  për bashkëpunimin me organet përkatëse për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimit të tyre, për monitorimin e respektimit të  kritereve ligjore  për kryerjen e veprimtarive turistike detare, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare, etj;

Me Vendimin nr.83, datë 12.07.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar, ku janë rekomanduar 3 masa për përmirësim ligjor me fokus mbrojtjen e bregdetit dhe aksesit të qytetarëve në plazhet e vendit, 33 masa organizative, 4 masa për shpërblim dëmi dhe 2 masa për eliminimin e efekteve negative financiare.

Për më hollësisht, mbi sa më lartë trajtuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport Përfundimtar i Auditimit