Raport Përfundimtar i Auditimit me temë “Mbi auditimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit” në Bashkinë Shkodër

Njoftim për shtyp    

Departamenti i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Mbi auditimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit” në subjektin Bashkia Shkodër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit të TI në Bashkinë Shkodër konstatoi se: Mungesa e strategjisë në drejtim të teknologjisë së informacionit, mbart riskun e keq adresimit të burimeve të nevojshme për mbështetjen e veprimtarisë së bashkisë. Në gjykimin tonë, identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimeve dhe garantimin e sigurisë së të dhënave si dhe vazhdimësisë në ofrimin e shërbimit nëpërmjet teknologjisë së informacionit është i pa pamjaftueshëm. Në këtë drejtim, përdorimi i sistemeve në bashki mbart një risk të lartë në mbarëvajtjen e funksionaliteteve të ndërtuara në shërbim të qëllimit dhe objektivave institucionale.

Mungesa e akteve rregullatorë në drejtim të sistemeve të teknologjisë së informacionit kanë ndikuar në një zhvillim të pa monitoruar të aktivitetit institucional dhe pa deleguar përgjegjësitë individuale për veprimet e kryera.

Investimet në sistemet e informacionit nuk kanë zgjidhur përfundimisht problemet e sigurisë së informacionit si dhe sigurimin e vazhdueshmërisë së biznesit. Zhvillimi i shërbimeve dhe infrastrukturës duhet të mbështetet në praktikat më të mira si dhe në rekomandimet e AKSHIT.

Bashkia Shkodër nuk ndjek një politikë të përcaktuar për analizimin e gjurmëve të auditimit për veprimet që kryejnë përdoruesit në sisteme. Bashkia Shkodër nuk disponon një politikë/rregullore të dokumentuar dhe miratuar për procesin e menaxhimit të përdoruesve (krijimi, fshirja, ndryshimi i roleve/të drejtave, ndryshimi i fjalëkalimeve etj) për sistemet që disponon.

Zbatimi i rekomandimeve të këtij raporti si dhe mbështetja e zhvillimit të TI në bashki nga strukturat përfaqësuese dhe ekzekutive të bashkisë do të rris stabilitetin dhe do të sigurojë qeverisjen efektive në mbështetje të qytetarëve.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 21 Masa Organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 119, datë 17.09.2021.

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport Përfundimtar i Auditimit