Raport Përfundimtar i Auditimit për veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin (MSHR) dhe Komisionit Shtetëror të Rindërtimit (KSHR)

Njoftim për Shtyp

Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore në Kontrollit e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 529/2 prot, datë 25.05.2021, të ndryshuar, auditoi veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin (MSHR) dhe Komisionit Shtetëror të Rindërtimit (KSHR), për periudhën 10.01.2020-30.04.2021.

Lidhur me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019, në përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: ndjekjes dhe bashkërendimit të punës për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; ndjekjes së zbatimit të përgjegjësive dhe të detyrave (të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore), për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë mbetur të pastrehë; ushtrimit të kompetencave në lidhje me raportimin dhe ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; bashkërendimit të punës me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit.

Në lidhje me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, në përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: dokumentimit të burimeve njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia; koordinimit, drejtimit dhe ndjekjes së veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; detajimit të nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; etj.

Në përfundim të auditimit, lidhur me veprimtarinë e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit rezultoi se, nuk është hartuar, miratuar dhe përcjellë për miratim në Këshillin e Ministrave (KM) Programi i Përgjithshëm i Rindërtimit, dokument mbi të cilin do të mbështetej procesi i rindërtimit.

Në vijim, nuk rezulton të jenë të dokumentuara monitorimet periodike të zbatimit të programit të rindërtimit dhe detyrave të caktuara për njësitë zbatuese, dhe as raportet e përgatitur nga KSHR për KM. Mangësi u konstatuan edhe në drejtim të aktivitetit të kryer nga Sekretariati Teknik i KSHR-së. Gjithashtu rezultoi se, janë pranuar, miratuar dhe dërguar për miratim tek KM projekte, jo në respektim të procedurave të përcaktuara për përfitimin nga grantet e rindërtimit pasi kërkesat për realizimin e këtyre projekteve nuk janë mbështetur në akt-ekspertiza apo projekt preventiv punimesh.

Në zbatim të Vendimit të Kryetarit nr. 155, datë 12.10.2021, me qëllim përballimin e pasojave të tërmeti të nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid-19, në përfundim të auditimit janë dhënë 18 masa organizative.

Për më hollësisht, mbi sa më lartë trajtuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raport Përfundimtar i Auditimit