Raport Përfundimtar i Auditimit me temë “Fondi Rezervë i Institutit të Sigurimeve Shoqërore”

Njoftim për shtyp        

Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Fondi Rezervë i Institutit Të Sigurimeve Shoqërore në subjektin Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit ka dalë në mesazhin e auditimit:

Menaxhimi i fondit rezervë, edhe pse një ndër objektivat prioritar të ISSH-së, nuk është përmbushur me efektivitet dhe eficiensë.

Qëllimi i krijimit të këtij fondi është sigurimi i një rezerve koherente për të përballuar përfitimet e skemës së sigurimeve shoqërore ne raste të jashtëzakonshme. Ulja e nivelit të sigurimit të skemës së pensioneve nëpërmjet fondit rezervë nga 3 muaj në 1 muaj jo vetëm cenon objektivin e këtij fondi, por cënon gjithashtu edhe parimin e sigurisë juridike për qytetarët, i cili është një parim kushtetues që shërben si bazë për funksionimin e shtetit të së drejtës, pasi riskon të drejtat e tyre në një masë më të madhe sesa përcaktimi ligjor i mëparshëm.

ISSH nuk ka kryer analiza të detajuara kosto/përfitim lidhur me alternativat e mundshme të investimit të fondit rezervë, të cilat do të mundësonin maksimizimin e përfitimeve financiare të gjeneruara nga investimi i këtij fondi dhe investimin e tij në mënyrë efektive.

Pas maturimit të instrumenteve financiare, bazuar në publikimet për alternativat investuese në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë në atë periudhë, ISSH ka ri investuar kryesisht në të njëjtat mjete, dhe vlera të njëjta, me përjashtim të atyre instrumenteve financiare që u shtohet edhe vlera për të cilën është bërë edhe rritja e normës së fondit rezervë.

Kështu, nuk evidentohet të jetë kryer një analizë apo përllogaritje nga ana e subjektit të audituar mbi përzgjedhjen e vlerës së instrumentit financiar të investuar në bono thesari apo obligacione.

Aktualisht, pas përmbushjes së objektivit ligjor për nivelin e sigurimit nëpërmjet fondit rezervë, ISSH nuk ka parashikuar asnjë objektiv për administrimin në vazhdim dhe investimin e këtij fondi me qëllim rritjen e tij. Pavarësisht përpjekjeve, ISSH nuk ka menaxhuar me efektivitet të gjitha problematikat që ndikuan sistemin e pensioneve dhe përfituesve të skemës gjatë periudhës së pandemisë.

ISSH nuk e ka përdorur fondin rezervë gjatë periudhës së pandemisë edhe pse doli në pah nevoja e përdorimit të këtij fondi si pasojë e uljes së të ardhurave nga kontributet. Gjithashtu, ISSH nuk ka përgatitur një plan masash që përcakton në mënyrë të detajuar menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme dhe përcaktimin e rasteve eksplicite të përdorimit të fondit rezervë.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 3 masa propozime për ndryshime apo përmirësime në legjislacionin në fuqi dhe 8 masa organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit  nr. 50, datë 21.04.2021.

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti Përfundimtar i Auditimit