Raport Përfundimtar i Auditimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave

Njoftim për shtyp 

Departamenti i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi auditim me temë “Mbi auditimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit” në subjektin Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit të TI në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave konstatoi se: Mungesa e akteve rregullatorë në drejtim të sistemeve të teknologjisë së informacionit kanë ndikuar në një zhvillim të pa monitoruar të aktivitetit institucional dhe pa deleguar përgjegjësitë individuale për veprimet e kryera.

Nisur nga vlerësimi i strategjisë institucionale, si dhe zhvillimet bashkëkohore në fushën e teknologjisë së informacionit, u konstatua se ka mos-përditësim apo mungesë të akteve rregullatorë në lidhje me krijimin, ruajtjen dhe arkivimin e dokumentit elektronik. Materializimi i këtij boshllëku ligjor, kërkon gjithë përfshirje dhe impenjimin e AKSHI-t, Këshillit të Ministrave dhe DPA-së, veprim i cili do të ndihmonte jo vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, por të gjithë administratën publike e cila ka implementuar sisteme të teknologjisë së informacionit dhe ka një bazë të dhënash, të cilat në të ardhmen do të jenë fond arkivor i DPA-së.

Siguria e Informacionit dhe perspektiva e DPA është e kompromentuar nga mungesa e investimeve në rrjetin network si dhe nga mos përfshirja e DPA në rrjetin GOV.

Nga analizimi i të dhënave me teknikat CAAT, rezultoi se sistemi nuk ka mekanizmat e nevojshme për kontrollin e input-it, duke rritur riskun e popullimit të sistemit me të dhëna të gabuara, e për pasojë nxjerrjen e raporteve të pasakta.

Kushtet fizike të Arkivave Vendore janë në një situatë të tillë që krijojnë risk të lartë për prishjen e dokumentacionit të ruajtur.

KLSH vlerëson se përdorimi i teknologjisë së informacionit do të ndikonte në përmirësimin e nivelit të sigurisë mbi dokumentacionin e arkivuar si dhe krijimin e kushteve më të përshtatshme për ruajtjen e tyre.

Për përmirësimin e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 23 Masa Organizative, me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 18, datë 16.02.2021. 

Për sa trajtuar më lart, në mënyrë të detajuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

Raporti Përfundimtar i Auditimit