Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit raporton në Kuvend veprimtarinë vjetore të KLSH për vitin 2020


Tiranë, 24.06.2021

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu prezantoi sot përpara deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë raportin vjetor të veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2020.

Gjatë fjalës së tij, z. Shehu theksoi se rezultatet e auditimeve të kryera gjatë vitit 2020, kanë evidentuar problematikat e menaxhimit të fondeve, aseteve dhe pasurisë publike, si dhe përgjegjësitë përkatëse nga zyrtarët e çdo niveli të qeverisjes qendrore, vendore dhe enteve në varësi të tyre.

Kreu i KLSH-së në raportimin e tij para ligjvënësve shqiptarë nënvizoi se “auditimet e kryera nga KLSH kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit ekonomik dhe financiar në 91 subjekte si institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj”.

Në qendër të punës së KLSH, ka qenë dhënia e rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes së institucioneve të audituara nëpërmjet masave organizative, si dhe identifikimi i shkeljeve me pasoja dëm ekonomik dhe parregullsi apo paligjshmëri me efekte negative në financat publike.

Menaxhimi i financave publike dhe problemet me prokurimet

Në raportin vjetor të KLSH-së ajo që evidentohet për vitin 2020 është keqmenaxhimi i financave publike duke këshilluar që të mbahet nën kontroll monitori i treguesve fiskalë dhe makro-ekonomikë. Në këtë linjë, ajo çka vërehet nga raporti i KLSH-së është problemi i raportimit të detyrimeve të prapambetura, të cilat në vlerësimin e tij, rezultuan të paktën 24.4 miliardë lekë nga rreth 17 miliardë lekë sipas raportimeve të MFE, përfshirë këtu dhe diferencat në raportimin e detyrimit për stokun e TVSH-së së rimbursueshme, i cili në vlerësimin e KLSH-së rezultoi 14.8 miliardë lekë, nga 11.2 miliardë lekë të raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Po kështu sa i takon të ardhurave të papërdorura dhe të trashëguara për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga auditimi u konstatua një deviacion në raportim prej 5.2 miliardë lekë, ku devijimi më i madh i takon të dhënave të Bashkisë Tiranë.

Kreu i KLSH-së theksoi se institucioni që ai drejton ka punuar në sinkron dhe në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian për auditimin e jashtëm të sektorit publik të viteve të fundit ka synuar rritjen e përqindjes së numrit të auditimeve të performancës ndaj auditimeve gjithsej. Kështu gjatë vitit 2020 janë kryer dhe evaduar 9 auditime performance të kryera në 28 subjekte, të cilat përfaqësojnë 12.5 % të auditimeve gjithsej, kundrejt 11.4 % në vitin 2019. Lidhur me vëmendjen që institucioni ka në luftën kundër korrupsionit sa i përket kallëzimeve penale dhe proceseve gjyqësore, rezultoi se gjatë vitit 2020 KLSH ka dërguar në organin e prokurorisë 8 referime penale, për 12 drejtues të nivelit të lartë, të mesëm dhe specialist. Gjatë kësaj periudhe KLSH është angazhuar në 95 procese gjyqësore, nga të cilat 24 procese gjyqësore me karakter penal, 59 procese gjyqësore me karakter administrativ dhe 14 procese gjyqësore me karakter civil.

Në kuadër të proceseve gjyqësore, KLSH ka insistuar në mënyrë proaktive dhe sistematike në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve, arkëtimit të dëmit dhe parandalimit të efekteve negative financiare. Vlen të theksohet se gjatë vitit 2020 janë të shumta vendimet gjyqësore të cilat konfirmojnë rekomandimet e lëna nga KLSH në subjektet e audituar. Për rrjedhojë, gjykatat e shkallës së parë në 21 vendime të dhëna kanë konfirmuar rekomandimet e gjetura nga KLSH në auditimet e zhvilluara, nga të cilat, deri tani 4 prej tyre kanë marre formën e prerë dhe janë konfirmuar nga Gjykatat e Apelit.

Z. Shehu në përfundim të fjalës së tij, iu përgjigj edhe pyetjeve të bëra nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me numrin e auditimeve të kryera gjatë vitit 2020 dhe për rastet që janë kallëzuar në prokurori si dhe bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese të vendit.