Zhvillohet Analiza e Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2018

12.02.2019

Në datën 4 shkurt 2019 u zhvillua analiza vjetore e Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit (DABSH). Në këtë analizë morën pjesë zv. Kryetari, znj. Lindita Lati dhe Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Manjola Naço. Drejtori i  Departamentit, z. Azmi Stringa mbajti fjalën hapëse ku paraqiti arritjet edhe problematikat kryesore të identifikuara gjatë auditimeve të realizuara gjatë vitit 2018, rekomandimet e lëna dhe shkallën e ndjekjes së tyre.

Për vitin 2018, grupet e auditimit të këtij departamenti kanë ushtruar auditime në 24 subjekte, nga të cilat 23 auditime sipas planit vjetor dhe 1 auditim i trashëguar ne proces nga plani i vitit të mëparshëm. Sipas natyrës së auditimeve, në 10 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë të aktivitetit, në 4 subjekte janë kryer auditime tematike të përputhshmërisë së aktivitetit, në 8 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë dhe në 2 subjekte janë kryer auditime të përputhshmërisë dhe financiar të aktivitetit. Në përfundim të auditimeve, në zbatim të standardeve të auditimit financiar dhe auditimit të përputhshmërisë, pas auditimit të pasqyrave financiare dhe përputhshmërinë e përdorimit të fondeve publike janë dhënë sipas rastit,  opinione për auditimet financiare dhe veçmas opinione për auditimet e përputhshmërisë. Gjatë vitit 2018 u vu në fokus dhe realizimi i auditimeve financiare me asistencën e specialistëve të NIK-ut polak, kjo dhe në kuadër të projektit të binjakëzimit i financuar me fondet IPA 2013. Auditimet financiare pilot të zgjedhura ishin subjektet ISSH dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (aparati). Në MFE opinioni ka rezultuar i kundërt si për pasqyrat financiare ashtu edhe për përputhshmërinë e aktivitetit me kuadrin ligjor; dhe në ISSH opinioni ka rezultuar i kualifikuar për përputhshmërinë dhe refuzim opinioni për pasqyrat financiare.  Në total, janë dhënë opinione në  12 auditime, ku bazuar në evidencat e auditimit dhe gjykimin profesional të grupeve të auditimit sipas llojit janë dhënë 4 opinione të kualifikuara, 8 opinione të kundërt, 1 refuzim opinioni dhe 1 opinion i pakualifikuar. Për vitin 2018 në auditimet e kryera janë lënë gjithsej 519 rekomandime për përmirësimin e gjendjes dhe problematikave të konstatuara, krahasuar me 409 rekomandime që ishin dhënë një vit më parë. Për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore janë bërë 18 rekomandime, 249 masa organizative, masat për shpërblim dëmi ekonomik të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën 2,287,634 mijë lekë, 14 masa administrative, 138 masa disiplinore dhe masat për eliminimin e efekteve negative të shkaktuara, të konstatuara gjatë auditimeve të vitit 2018 janë në shumën159,805,535 mijë lekë, dhe 2 indicie për kallëzim penal.

ami

DABSH është përgjegjës për përgatitjen e raportit “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2017”, ku për herë të parë është formuluar dhe opinioni i pavarur i KLSH bazuar në standardet ndërkombëtare të auditimit. Në përfundim të auditimit, rezultoi se për disa zëra buxhetorë, përfshirë nivelin e deficitit dhe borxhit publik, për shkak të rëndësisë dhe përhapjes së çështjeve të përmendura në këtë raport, ka devijime materiale (sasiore dhe cilësore) në drejtim të hartimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Procesi i ekzekutimit të buxhetit të shtetit nëpërmjet sistemit të thesarit nga të gjitha hallkat, rezulton me thyerje të përhapura të zbatimit të kontrolleve dhe masave parandaluese, detektuese, dhe korrigjuese që do të garantonin disiplinimin fiskal të sektorit publik. Procesi i buxhetimit, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të tij rezulton të jetë akomodues dhe legjitimues ndaj shkeljeve të disiplinës fiskale nga entet publike, duke mundësuar marrjen e angazhimeve financiare pa fonde në dispozicion si dhe krijimin e detyrimeve të prapambetura. Detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskal, treguesin e deficitit, dhe treguesin e borxhit publik, duke mos dhënë një pamje të drejtë të aktivitetit financiar publik për vitin 2017. KLSH ka konstatuar që shumë nga masat dhe përmirësimet e akteve ligjore dhe nënligjore të hartuara me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura, eliminimin e mundësive për mos raportimin në kohë të shpenzimeve, dhe marrjen e angazhimeve financiare pa fonde buxhetore, në bashkëpunim dhe me FMN, kanë rezultuar joefikase dhe të pazbatuara. Masat administrative për disiplinimin e menaxhimit financiar publik, të përcaktuara në ligj, kanë qenë në disproporcion me numrin e shkeljeve të kryera nga entet publike.

Në vijim, takimin e përshëndeti zv. Kryetari, znj. Lindita Lati, ku theksoi rëndësinë dhe kontributin e DABSH në përmbushjen e misionit të KLSH gjatë vitit 2018 dhe në vijim. Drejtori Përgjithshëm, Zj. Manjola Naço, në fjalën e saj tha që viti 2018 ka qenë një vit në të cilin standardi i punës është rritur ndjeshëm dhe si rrjedhojë kjo përbën një sfidë për vitin 2019 duke e vënë DABSH përpara përgjegjësisë për të ruajtur minimalisht të njëjtin standard pune dhe rezultatesh. Për të bërë të mundur këtë, duhet një angazhim maksimal i audituesve të Departamentit, ku secili të kontribuojë me rezultate dhe jo të bazohemi në punën e një grupi të vogël audituesish. Mbështetur në sa më sipër, Drejtori Departamentit theksoi që pesha që Departamenti ka mbajtur dhe pritet të mbajë me auditimet e tij është në disproporcion me kapacitet e nevojshme dhe të përshtatshme njerëzore.

Më pas analiza vjetore vijoj me prezantimin nga audituesit e disa prej auditimeve kryesore të kryera nga DABSH gjatë vitit 2018. Nga këto prezantime dolën dhe disa nga problemet kryesore të konstatuara nga KLSH në menaxhimin e financave publike, si më poshtë.
 
1. KLSH ka konstatuar që ndryshimet me akte normative gjatë vitit buxhetor shkaktojnë mungesë të kredibilitetit të buxhetit dhe evidentojnë nevojën për përmirësim të ndjeshëm të procesit të planifikimit.
2. Planifikimi optimist i të ardhurave ka lejuar planifikim më të madh të shpenzimeve brenda limiteve të deficitit të vendosura me ligj. Mos realizimi i të ardhurave, veçanërisht atyre tatimore dhe vendore, ka ndikuar në rritjen e stokut të rimbursimit të TVSH për t’u shlyer dhe krijimin e detyrimeve të prapambetura, të pa raportuara në treguesit fiskalë në kushtet e limiteve të deficit të raportuar afër 2%.
2. U konstatua se nuk zbatohet parimi i regjistrimit të shpenzimeve në çastin e ndodhjes së tyre, por ato regjistrohen në momentin e pagesës, duke mos pasqyruar gjendjen reale te shpenzimeve dhe deficitit buxhetor sipas treguesve fiskalë të konsoliduar të Buxhetit të Shtetit. Nga auditimet u konstatuan 23,701 raste faturash të dorëzuara në Thesar jashtë afatit 30 ditor nga njësitë publike.
3. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor shkon për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të viteve të kaluara duke mos prodhuar rritje reale të buxhetit, por pagesa për shërbime dhe të mira që janë realizuar në vitet e mëparshme buxhetore.
4. Vendimet gjyqësore të gjykatave vendase dhe ato të lidhura me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar apo Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut përbëjnë risk real për nevojat për financim si pasojë e provigjionimit të dobët dhe mungesës së shkëmbimit të informacionit ndërmjet strukturave përkatëse shtetërore. Vendimet gjyqësore për largim nga puna vazhdojnë të krijojnë efekte negative për Buxhetin e shtetit, (mbi  2 miliard lekë çdo vit), duke mos marrë masat e duhura nga institucionet buxhetore për sistemimin e gjyq-fituesve pavarësisht vendeve vakante dhe lejuar akumulimin e pagave të pagueshme për çdo pozicion pune.
5. Kuadri i kontabilitetit të financave publike dhe raportimit financiar është i paplotësuar prej vitesh duke cënuar kështu vërtetësinë, plotësinë dhe transparencën e pasqyrave financiare.
6. Koncensionet/PPP konstatohet se nuk janë të integruara në procesin e menaxhimit të investimeve publike pasi nuk ka strategji të qartë për përdorimin e këtyre instrumenteve për financimin e nevojave për të mira dhe shërbime. Gjithashtu, KLSH identifikon mungesë të theksuar të monitorimit të portofolit të  PPP-ve ekzistuese, të analizës mbi implikimet e mundshme të ndryshimeve dinamike të faktorëve makroekonomikë dhe efektin e pritshëm mbi treguesit fiskalë. Nga auditimi në FSDKSH, mos-reflektimi i rekomandimeve të lëna nga KLSH në auditivet e mëparshme, ka pasoja të konsiderueshme në buxhetin e shtetit si rrjedhojë e kontratës së Check-up, kur numri i përfituesve vijon në ulje nga viti në vit. Kosto e pajustifikuar nga fillimi i kontratës vlerësohet në vlerë 182 milionë lekë dhe pagesa e pajustifikuar e TVSH nga fillimi i kontratës në vlerë 413.7 milionë lekë.
7. Huadhënia dhe mbështetja buxhetore për sektorin energjetik dhe ujësjellësat është ende një nga problemet që riskon Buxhetin e Shtetit duke detyruar transferta si pasojë e performancës së dobët të sipërmarrjeve të sektorit me kapital shtetëror. KLSH ka konstatuar krijim të detyrimeve të reja në shumën 5,391 milionë lekë të subjekteve nën-huamarrëse në kuadër të marrëveshjeve të nën-huasë përgjatë vitit 2017, si pasojë e mos shlyerjes së detyrimeve përkatëse.
8. Financimi nga Buxheti i Shtetit për të balancuar skemën e sigurimeve shoqërore dhe skemën e sigurimit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor paraqitet në nivele të larta dhe riskon në vijimësi me anë të transfertave për balancimin e pagesave si pasojë e deficitit specifik. Skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor është vlerësuar në menaxhim të dobët si pasojë e administrimit jo efektiv të fondeve në dispozicion.
9. Administrimi i borxhit tatimor paraqitet në dobësi të theksuara duke pasqyruar ulje vetëm si pasojë e amnistive dhe jo veprimeve konkrete, duke krijuar probleme në drejtim të shkallës së efektshmërisë së operacioneve të ekzekutuara. Sipas KLSH rritja e borxhit tatimor me rreth 10.5 miliardë lekë (10% e stokut të tij në fund të periudhës raportuese) dhe atij doganor me rreth 1 miliardë lekë (4.1% e stokut të tij në fund të periudhës raportuese), gjatë vitit kur është zbatuar amnistia fiskale, tregon që këto amnisti, të cilat duhet të ndodhin shumë rrallë, duhet të jenë të mirë menduara dhe patjetër të shoqërohen me marrjen e masave konkrete në drejtim të mbledhjes së borxhit nga organet tatimore dhe miradministrimin e skemës së tatimeve, për të qenë efikase.

Gjatë analizës u diskutuan dhe objektivat për të vitin 2019, që duhet të jenë në vëmendje të çdo audituesi:
- Përgatitja e Udhëzimit të Auditimit të Zbatimit të Buxhetit të Shtetit në bashkëpunim me departamente të tjera të KLSH.
- Përmirësimi i proceseve që lidhen me planifikimin e auditimit deri në përgatitjen e Programit të Auditimit, nëpërmjet vlerësimit të riskut dhe të sistemeve të kontrollit të brendshëm si pikënisje për përzgjedhjen e llojit të procedurave të testimit.
- Përmirësimi i cilësisë dhe plotësisë së letrave të punës, duke filluar nga zgjedhja e kampionit, deri ne dokumentimin e testimeve të kryera dhe gjetjet e evidentuara.
- Rritje profesionale e audituesve nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencës nga audituesit me përvojë, nxitja e punës në grup, llogaridhënies, dhe pjesëmarrjes në trajnimet e organizuara  nga KLSH.
- Kryerja e detyrave me integritet, profesionalizëm dhe transparencë.