Takimi i personave të kontaktit të SAI-ve të Bashkimit Europian

16.04.2019

Më datat 8 – 10 prill 2019, në Bukuresht, Rumani u zhvillua Takimi i rradhës i Personave të Kontaktit të SAI-ve të Bashkimit Evropian. Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë aktivitet u përfaqësua nga z. Enea Caushaj, z. Delor Prosi dhe z. Reinis Xhelili.
  
Gjatë ditës së parë të takimit u zhvillua takimi i personave të kontaktit të Rrjetit të SAI-ve të vendeve kandidate dhe parakandidate të Bashkimit Evropian. Pas fjalës përshëndetëse të rastit nga mikpritësi i këtij takimi z. Dragos Budulak, zyrtar i Gjykatës Rumune të Llogarive, fjalën e mori z. Drashko Novakoviç, i SAI-t të Malit të Zi, që gjithashtu ishte caktuar edhe si moderator i këtij takimi. Tema e parë që ishte vendosur në rend diskutimi ishte adoptimi i axhendës dhe më pas aprovimi i minutave të takimit të mbajtur në Maltë, më 9 maj 2018.

dolor1

Menjëherë pas këtyre formaliteteve nisi sesioni i parë i takimit që ishte një raportim mbi aktivitetet e mbyllura të Planit të Punës së Rrjetit të SAI-ve. Ky sesion u çel nga njëri prej përfaqësuesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Reinis Xhelili, i cili bëri nje prezantim të shkurtër lidhur me aktivitetin me temë “Teknologjia e Informacionit – Mbështetje IT në proceset e auditimit dhe softwerët e auditimit” të zhvilluar në Tiranë gjatë muajit Nëntor të vitit 2018. Për organizimin e këtij aktiviteti shprehën falenderimet e tyre edhe përfaqësuesit e SAI-ve pjesëmarrëse në takim, disa prej të cilëve kishin pasur mundësi ta ndiqnin personalisht aktivitetin e zhvilluar në Tiranë.

Në vazhdim u bë një përmbledhje e 4 workshop-eve që zhvillohen çdo vit rreth Auditimit Financiar. Ajo që spikati ishte propozimi për t’i shtuar kësaj pakete edhe një workshop tjetër gjatë vitit 2019, duke e çuar kështu në 5 numrin e workshop-eve të zhvilluara gjatë këtij viti vetëm për Auditimet Financiare. Megjithatë një vendim lidhur me këtë pikë do të merret vetëm pasi të diskutohet nga të gjitha SAI-t pjesë të rrjetit dhe të gjitha këto institucione të dërgojnë komentet e tyre. Më pas u zhvillua një prezantim nga përfaqësuesit e SIGMA-s lidhur me temën “Praktika e raportimit me qëllim rritjen e impaktit”.

Dy sesionet e tjera të axhendës së këtij aktiviteti përqëndroheshin rreth statusit të aktiviteteve të Planit të Punës së Rrjetit, të planifikuara për tu zhvilluar gjatë vitit 2019 dhe rishikimit të aktiviteteve të parashikuara për tu zhvilluar gjatë periudhës 2019 – 2020. Ndër aktivitetet e parashikuara për tu zhvilluar gjatë vitit 2020 është edhe një aktivitet i paramenduar për tu zhvilluar në Shqipëri dhe i organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Megjithatë datat fikse për zhvillimin e këtij aktiviteti do të konkretizohen në muajt pasardhës.

Me përfundimin e këtij takimi ju hap rrugë zhvillimit të aktivitetit kryesor, Takimit të rradhës të Personave të Kontaktit të SAI-ve të Bashkimit Evropian. Ky aktivitet filloi me koktejin e mirëseardhjes të mbajtur menjëherë pas përfundimit të takimit të rrjetit të SAI-ve të vendeve kandidate dhe parakandidate në BE dhe kishte një kohëzgjatje prej 2 ditësh.
 

dolor2

Më datë 9 Prill aktiviteti u çel me temën “Përgatitja e Takimit të Contact Committee për vitin 2019.” Takimi i rradhës i komitetit të kontaktit është planifikuar të zhvillohet në Poloni dhe përfaqësuesi i NIK-ut Polak bëri një përmbledhje të përgatitjeve të ndërrmara nga zyra e tij për zhvillimin e këtij aktiviteti.

Tema e dytë e këtij takimi ishte mbi raportimin e aktiviteteve të zhvilluara nga Contact Committee. Mes prezantimeve të tjera gjatë këtij sesioni, edhe z. Drashko Novakoviç, përfaqësues i SAI-t të Malit të Zi, bëri një përmbledhje të pikave që u diskutuan në takimin e ditës pararendëse, atë të personave të kontaktit të SAI-ve të rrjetit të vendeve kandidate dhe parakandidate të BE.

Më datë 10 Prill takimi filloi me temën “Përgatitja e vendimmarrjes së Contact Committee” dhe në fund një minutazh ishte ruajtur për diskutimin e problematikave që nuk ishin parashikuar në axhendë, apo që kishin dalë nga diskutimet e dy ditëve të fundit. Pas një përmbledhje të diskutimeve dhe vendimeve të marra gjatë takimit iu dha fund zyrtarisht ditës së tretë të punimeve dhe gjithë aktivitetit.

Së fundmi ishte parashikuar nga organizatorët edhe një vizitë e delegacioneve në Pallatin e Parlamentit të Republikës së Rumanisë. Kjo godinë renditet e dyta në botë për nga madhësia, pas Pentagonit.