Raporti Vjetor i Performances KLSH 2018

Është gjerësisht e argumentuar dhe pranuar se roli i institucioneve të auditimit të jashtëm publik nuk qëndron thjeshtë tek mbikëqyrja e mënyrës se si janë përdorur fondet publike, por konsiderohen si institucione që vendosin standardet dhe ndihmojnë për zbatimin e reformave për mirëqeverisjen e parasë së taksapaguesve.

Kjo ka qenë filozofia e funksionimit institucional dhe të realizimit të aktivitetit auditues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përmbushje të kërkesave të standardeve ndërkombëtare dhe të praktikave më të mira të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Por jo vetëm si pjesë integrale e reformës së menaxhimit të financave publike, KLSH ka ndërvepruar në mënyrë proaktive me të gjithë palët e interesit, si dhe me mbikëqyrësit kombëtarë e ndërkombëtarë, për realizimin e angazhimeve institucionale.

P ikërisht, është kjo filozofi, që ka mundësuar përmirësimin e vazhdueshëm të performancës dhe rritjen e impaktit të aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për një qeverisje më të përgjegjshme dhe transparente, për vendimmarrje më të mirë të legjislativit duke qenë një burim profesional, i pavarur dhe i besueshëm informacioni, duke sjellë në këtë mënyrë vlerë të shtuar për jetën e qytetarëve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, vitet e fundit ka aplikuar kornizën e matjes së performacës, si një instrument që siguron jo vetëm transparencën por dhe që pasqyron shkallën e përgjegjshmërisë mbi identifikimin e aspekteve të funksionimit institucional dhe të aktivitetit auditues që duhen përmirësuar. Vlerësimi mbi baza vullnetare i performancës institucionale duke përdorur Standardet Ndërkombëtare të SAI-ve dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të fushës, përbën një filozofi të konsoliduar të funksionimit të institucionit në rrugëtimin e tij drejt modernizimit dhe përmbushjes së objektivave strategjikë të zhvillimit. Treguesit e agreguar sipas fushave identifikojnë faktin se KLSH ka një perfomancë mbi nivelin mesatar dhe konkretisht për tre nga 5 fusha vlerësimi është 3 (nga 4) dhe për dy fusha vlerësimin 4 (niveli i pikëzimit varion nga 0 në 4).

Përsosja dhe konsolidimi metodologjik, ka qenë në thelb të zhvillimeve institucionale, të cilat janë pasqyruar tek tipologjia e aktivitetit auditues përgjatë vitit 2018. Rritja sasiore dhe përmirësimi cilësor i auditimeve financiare dhe të performancës, fokusi në auditimin e sistemeve dhe vlerësimi i sistemeve të informacionit në zbatim të standardeve ndërkombëtare respektive të institucioneve supreme të auditimit, përbëjnë zbatimin konkret të Strategjisë së Zhvillimit 20182022 të KLSH-së.

Për 7 vitet 2012-2018 rezulton se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së është kërkuar për t’u zhdëmtuar 100.5 lekë, ose 4,8 herë më shumë, se sa është kërkuar në periudhën 10 vjeçare 2002-2011 (21.1 lekë).

Pavarësisht zhvillimeve domethënëse të institucionit të auditimit të jashtëm publik për forcimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë, qeverinë, shoqërinë civile, dhe median, niveli i zbatimit të rekomandimeve vazhdon të jetë një sfidë e vazhdueshme jo vetëm për KLSH-në, por për të gjithë faktorët dhe aktorët që kanë përgjegjësinë për përdorimin me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të parasë publike.

Për më tepër, sfidat për realizimin e proceseve integruese dhe angazhimeve të Axhendës së vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së, kërkojnë bashkëpunim efektiv me të gjithë palët e interesit me objektiv mirëqeverisjen.

Në këtë kontekst, KLSH ka mirë përcaktuar objektivat dhe instrumentet e zhvillimit profesional dhe institucional për t’u përballur me sfidat e rritjes në të gjithë dimensionet bazuar në eksperiencat pozitive dhe jo pozitive të akumuluara. Arritjet e realizuara në rrugëtimin e modernizimit nga institucioni i auditimit të jashtëm publik shqiptar duhet të konsiderohen si e mirë publike, të cilat duhen të konsolidohen më tej duke ruajtur dhe përsosur praktikat më të mira të tij.

Botimi - Raporti Vjetor i Performancës, KLSH 2018 (shqip)

Botimi - ALSAI Performance Report 2018 (anglisht)