Presidenti i Republikes dekoron pesë përfaqësues të botës akademike dhe ekspertë të KLSH-së

23.06.2017

Fjala e Presidentit të Republikës në ceremoninë e dekorimit të 5 përfaqësuesve dhe ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit
Institucioni i Presidentit të Republikës, më 15 qershor ora 12.30

I nderuar Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Leskaj,
Të nderuar zonja dhe zotërinj auditues!
Të nderuar profesorë e studiues,

Fillimisht dëshiroj t’ju falënderoj për praninë tuaj në Institucionin më të lartë të shtetit!
Ndihem veçanërisht i privilegjuar që në cilësinë e Kreut të Shtetit, të organizojmë së bashku sot një ceremoni vërtet të thjeshtë, por kaq të veçantë për nga përmbajtja dhe thelbi i saj vlerësues.

Mes nesh kemi sot pesë personalitete, pesë shërbyes të denjë e shembullorë të shtetit, të cilët përveçse jetën ia kushtuan arsimit universitar, por janë shndërruar gjithashtu në pesë ekspertë që kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë cilësisht e me devotshmëri në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në këtë insitucion kaq dinjitoz e të rëndësishëm në mbarëvajtjen ekonomike dhe kontrollin financiar të shtetit shqiptar.
Po bëhet gati një shekull që u krijua ky mekanizëm i ri i administratës sonë, që sidomos pas viti 1990 është shndërruar tashmë, edhe në saje të punës, përkushtimin dhe paanshmërisë e profesionalizmit të drejtuesve të tij, në njërën nga shtyllat kryesore të sistemit shtetëror.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në tri dekadat e fundit është modernizuar vazhdimisht, ka rritur cilësinë e punës dhe sidomos paanshmërinë dhe pavarësinë e tij – ashtu siç duhet të jetë vërtet një institucion model kushtetues e bashkëkohor, – duke arritur në këto vitet e fundit parametra të duhur të standardeve evropiane.

Ky dikaster i pavarur i piramidës sonë adminsitrative ka marrë në ditët tona fizionominë e një mbikqyrësi të pagabuar të financave tona ende të brishta. Për këtë nivel të tij të konfirmuar dhe nga organizatat partnere ndërkombëtare, padyshim që barra e suksesit u përket tërësisht nëpunësve të tij të kualifikuar, që punuan aty apo bashkëpunuan me të për ta sjellë në ato maja.
Prandaj iu përgjigja menjëherë me shumë kënaqësi proprozimit të ardhur për këto vlerësime, sepse të vlerësosh me tituj nderi specialistë të vjetër të auditit shqiptar, para se të jetë një nderim për ata, është një krenari edhe për mua si Kreu i Shtetit.
Të  nderuara zonja dhe zotërinj!
Personalitetet që ne vlerësojmë sot  si maratonomakë modernë të betejave novatore për zhvillimin e ekonomisë, i kanë shembur muret e pengesave të çfarëdoshme me forcën e motos së famshme të Presidentit amerikan Kenedi: “Mos pyet se çfarë bëri Atdheu për ju, por çfarë bëtë ju për të”.

Profesor Skënder Osmani është një personalitet i njohur i shkencave natyrore, që ndoshta në fëmijërinë e tij të hershme në lagjet e kryeqytetit shqiptar nuk i pati ëndërruar kurrë fushat ku ai do të shkollohej në të ardhmen e tij.
Pasioni i tij drejt matematikës në vitin 1981 e shtyu të doktorohej në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega matematikë. Por para se ai të çertifikohej si shkencëtar me titull, ai qe bërë me kohë i tillë.

Ka botuar si autor kryesor apo bashkëautor më shumë se 50 tekste universitare dhe pasuniversitare. Ai ka qenë një ndër nismëtarët e krijimit të Departamentit të Informatikës dhe drejtues i “Konferencës Ndërkombëtare të Ujit”, mbajtur në vitin 1999, në Turqi.
Profesor Skënderi ka gjithashtu një kontribut të madh në Kontrollin e Lartë të Shtetit, nëpërmjet aktivizimit me punime konkrete në konferencat vjetore shkencore dhe punime interesante në revistën “Auditim Publik”, botim i KLSH-së.
Kur mëson për ritimin e vijueshëm të studimeve të tij përtej limitit moshor, fillon e beson vërtet se për të shkenca është rinia e tij e përjetshme.

Zonja dhe zotërinj,
Profesor Jorgji Bollano është një tjetër personalitet i shkencave ekonomike shqiptare. Ky pedagog i gdhendur në memorien e dhjetëra studentëve të ekonomikut, i ka studiuar financat shqiptare në tërësinë e tyre.

Aktualisht ai është Dekan në Fakultetin e Ekonomisë dhe Financës, të Universitetit “Marin Barleti”, anëtar i Komitetit Kombëtar të Drejtimit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit.

Profesor Bollano ka dhënë ndihmën e tij në ngritjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky patriark i palodhur i shkencave financiare shqiptare nuk ndalet asnjëherë për të ofruar konsulencën e tij në çdo aktivitet të zhvilluar nga ky insitucion. Që nga konferencat kombëtare e deri te artikujt me temë nga auditimi publik, profesor Bollano ka qenë i pamunguar.
Një fjalë e urtë gjermane thotë: “Bëhu specialist i madh në një fushë të vogël”. Nuk e di sa e vogël është fusha e kontabilitetit në shkencat ekonomike, por di me siguri se Profesor Bollano është një specialist i madh i kontabilitetit të vendit tonë.

Profesor Omer Stringa është një idhull i profesoratit të universitetit tonë. Pedagog karriere dhe aktivist politik e shoqëror qysh nga dhjetori i largët i vitit 1990, ai ka qenë edhe një studiues dhekontribues “par exellence” në shkencat ekonomike shqiptare.
Bir i një familjeje të dëgjuar të Elbasanit, pasi u diplomua për matematikë, ka dhënë mësim gjatë gjithë karrierës në Katedrën e Matematikës në Fakultetin Ekonomik, por nuk ka reshtur së dhëni edhe kontributet e tij të vyera në proceset demokratike të vendit tonë dhe për emancipimin e arsimit të lartë e shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Doktor i Shkencave në Fushën e Statistikës së Aplikuar, që prej vitit 1984. Ka mbajtuar detyra drejtuese në Departamentin e Statistikës, Matematikës dhe Informatikës së Zbatuar, në Fakultetin Ekonomik të UT por edhe si Dekan i Fakultetit të Ekonomisë.
Profesor Stringa ka ofruar një mbështetje themelore në ripërtëritjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit, përmes analizash të thella dhe drejtimit dhe konferencave të saj shkencore. Është evidentuar si një trajner me kulturë i zyrtarëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Po mbushen 50 vjet kur profesor Stringa  erdhi në Tiranë dhe iu fut studimit të shkencës. Të pakët janë në Universitetin e Tiranës ata që s’e pushuan kurrë karrierën si ai, që për studentët e Fakultetit Ekonomik do të qëndrojë përherë si shembull frymëzues.

Zoti Bashkim Spahia bën pjesë në ata specialistë aq të aftë në mjeshtërinë e tyre, sa ndoshta mund të jetë i vetmi që punoi 31 vite në KLSH. Për mëse tre dhjetëvjeçarë ngjiti shkallët e karrierës si auditues i lartë e drejtues departamenti.

Njerëz dhe profesionistë të tillë modelohen në kujtesën e atyre me të cilët patën marrëdhënie dhe kontakte, si garancia më e sigurtë se dikur ata do të jenë edhe më të shumtë për të mirën tonë.

Të nderuar të pranishëm!

I fundit jo për nga rëndësia por do të thosha për nga modestia që e karakterizon, është doktori i shkencave ekonomike zoti Bujar Leskaj, njëkohësisht edhe Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kryetari Leskaj ka një kontribut të pamohueshëm në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si dhe ka mundësuar me drejtimin e tij të pagabuar rritjen cilësore të KLSH-së për të qenë një nga institucionet model të shtetit shqiptar.

Ai ka arritur të thellojë më tej punën e KLSH në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve me pronën publike, por edhe duke sjellë një përmirësim të dukshëm e të prekshëm të metodologjisë së kontrollit, në sinergji të plotë me institucione të tjera shtetërore.
Mund të them me plot bindje se Kryetari Leskaj ka harmonizuar më të mirën e burimeve njerëzore të KLSH-së në partneritet të plotë me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së parametrave ekonomiko-financiarë.

Por veçanërisht zoti Leskaj ka mundësuar e shënuar një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet homologe jo vetëm të rajonit të Ballkanit, por edhe me ato të vendeve më të përparuara evropiane, duke përafruar standardet e punës e të shërbimit cilësor me ato të Bashkimit Evropian. – merita të pamohueshme që zotit Leskaj i janë njohur edhe ndërkombëtarisht.
Për disa minuta jam përpjekur të përshkruar shkurt trajektoren profesionale të 5 intelektualëve që historinë e tyre e lidhën me ekonominë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Këto simbole të Shkencave Financiare Shqiptare janë paskajshmërisht modestë për çfarë ata kanë bërë në jetën e tyre. Por do të ishte e padrejtë për mua si President i Republikës, që të mos shpalosja në emër të shtetit që më ka zgjedhur në këtë detyrë, vlerësimet më të sinqerta dhe falënderimet më të ngrohta për gjithshka që ata kanë përmbushur si personalitete të ndritura të ekonomisë sonë dhe qytetarë nga më të respektuarit që ka njohur ky vend.

Për më tepër që ju jeni mbikëqyrësit dhe rojtarët më të besueshëm e të pakompromentueshëm të financave dhe parave të taksapaguesve shqiptarë.
Ju faleminderit nga zemra në emër të Shtetit dhe qytetarëve shqiptarë!

Suksese në punën tuaj dhe në misionin tuaj institucional dhe qytetar njëkohësisht!

Ju faleminderit!


 

 

 

 

 

 

 

 

Presidenti i Republikës dekreton 5 përfaqësues dhe ekspertë të KLSH
I lumtur që vlerësoj 5 përfaqësues dhe ekspertë të KLSH, një nga shtyllat më rëndësishme të administratës shtetërore, simbol i paanësisë dhe pavarësisë së tij

Botuar në Gazetën Telegraf  22.06.2017


CV e Profesor Jorgji Bollano

CV e Profesor Omer Stringa

Cv e z. Bashkim Spahia

CV e Profesor Skënder Osmani