Presidenti i Byrosë Shtetërore të Auditimit të Kuvajtit zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri

Më datat 6-7 Mars 2017, Presidenti i Byrosë Shtetërore të Auditimit (SBA) të Kuvajtit, z. Adel  Abdulaziz Al-Saraawi,  zhvilloi një vizitë pune dy ditore në Shqipëri. Delegacioni i kryesuar nga z.Al-Saraawi përbëhej nga z. Ibrahim Abdullah Bukobar, Kryeauditues, Departamenti i Auditimit të Ministrive; znj. Fatma Yousef Al-Qattan, Specialiste mbi Organizmat Ndërkombëtare; znj. Fatma Abdullah Al-Abduljalil, Audituese e Asociuar, Departamenti i Shoqërive Publike dhe znj. Shiekha Khalid Al-Zair, Audituese e Asociuar, Departamenti i Punësimit.
Gjatë takimeve të zhvilluara në ambientet e KLSH-së përgjatë dy ditëve, u bë një prezantim i dy institucioneve respektive, me qëllimin identifikimin e fushave dhe interesave të përbashkëta për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Byrosë Shtetërore të Auditimit të Kuvajtit, bazuar në një plan pune me një kalendar aktivitetesh.

kuvait1

Kryetari i KLSH-se z. Leskaj vuri në dukje dobishmërinë që do të sjellë zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Byronë Shtetërore të Auditimit të Kuvajtit, i cili përfaqëson një institucion modern dhe inovativ, jo vetëm në ARABOSAI por edhe në komunitetin e INTOSAI-t.  “SAB i Kuvajtit renditet ndër SAI-t e pakta që realizon auditimet të llojit “para-faktit” (ex-ante audit), si dhe ka mbi 20 vjet që kryen auditime të performancës në një numër të konsiderueshëm ne nivel vjetor. Në kuadrin e bashkëpunimeve institucionale me vendet e rajonit, me Gjykatën Europiane të Audituesve, me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së (GAO) dhe aktualisht me SAB e Kuvajtit, KLSH plotësoi gjeografinë e bashkëpunimeve institucionale, të cilat përbëjnë shtyllat e modernizmit të KLSH-së”.

kuvait2

Kreu i KLSH-së theksoi se Kuvajti është një vend mik i Shqipërisë, i cila ka mbështetur me donacione dhe projekte madhore zhvillimin e shumë sferave të ekonomisë shqiptare. Në frymën e këtij bashkëpunimi, Kryetari Leskaj shprehu angazhimin maksimal të KLSH-së për ripërtëritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit duke e konkretizuar përmes auditimeve të përbashkëta, vizitave të ndërsjellta të audituesve shqiptarë dhe atyre kuvajtianë, workshop-eve, si dhe në organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore. “Mbështetja e Kuvajtit është  e rëndësishme për Shqipërinë dhe ne si Kontroll i Lartë i Shtetit shohim një aspekt tjetër të këtij bashkëpunimi, përpos atij financiar, atë të ndërveprimit institucional përmes auditimeve të përbashkëta, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale”, u shpreh Kryetar i KLSH, z.Bujar Leskaj.
Nga ana e tij, Presidenti i Byrosë së Auditimit të Kuvajtit, z. Adel Abdulaziz Al-Saraawi, falënderoi Kryetarin e KLSH-së për ftesën dhe pritjen miqësore, duke vlerësuar rolin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në përmirësimin e menaxhimit financiar në Shqipëri si dhe reformat institucionale të ndërmarra nga KLSH, të cilat, theksoi ai, reflektohen dhe tek prezenca aktive e audituesve të KLSH-së në grupet e punës së INTOSAI-t. “Kemi respekt për punën Tuaj dhe kemi ardhur me aspirata të reja për të ngritur në një stad të ri bashkëpunimin mes KLSH-së dhe SBA-së”.
Presidenti Al-Saraawi prezantoi një plan pune ku do të bazohet marrëveshja e bashkëpunimit me KLSH-në duke theksuar se Byroja Shtetërore e Audiitimit është e përkushtuar për të çelur një horizont të ri ndërveprim mes dy institucioneve, duke u fokusuar në fushat e menaxhimit të riskut, zbatimit të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t, auditimit të sektorit të hidrokarbureve, transparencës dhe integritetit, kontrollit të brendshëm dhe auditimit mjedisor.
Presidenti Al-Saraawi shprehu një interes të veçantë për Konferencën Shkencore të KLSH, të cilën e konsideroi si një forum të rëndësishëm në funksion të kërkimit shkencor në fushën e auditimit dhe më gjerë dhe mbështeti propozimin e z.Leskaj për organizimin e një konferencë të përbashkët shkencore, një pikë kjo e cila u pasqyrua edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit.
Në kuadër të vizitës në Shqipëri, në ditën e parë të vizitës më datë 6 mars, delegacioni i Kryesuar nga Presidenti i SAI-t të Kuvajtit zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani me Kryetarin e Kuvendit, SH.T.Z. Ilir Meta në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhe me deputetë të Parlamentit.

kuvait3

Gjatë takimi me delegacionin kuvajtian, Kreu i Shtetit, SH.T.Z. Bujar Nishani u shpreh se Kuvajti dhe Shqipëria kanë një miqësi të veçantë. “Kuvajti ka tek Shqipëria një mik të përhershëm dhe ne jemi përgjegjës për të zhvilluar më tej këtë marrëdhënie. Vendi ynë ka dinamikë në zhvillimin ekonomik dhe roli i SAI-ve është me shumë rëndësi për mirëadministrimin e fondeve publike”, përfundoi z.Nishani.
Nga ana e tij, Presidenti Al-Saraawi falënderoi Presidentin për pritjen duke theksuar se së bashku me z.Leskaj do të punojnë për të konkretizuar marrëveshjen e bashkëpunimit, për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën në menaxhimin financiar.
Gjatë takimit me SH.T.Z.Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit, Presidenti i Byrosë shtetërore të Auditimit të Kuvajtit, Zoti Saraawi, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të SAI-ve me parlamentin sepse Kuvendi është institucioni tek i cili SAI-t raportojnë por edhe institucioni që e mbështet veprimtarinë e SAI-ve, me qëllim përmiresimin e qeverisjes.

kuvait4

Zoti Meta vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme me shtetin e Kuvajtit, të cilat i cilësoi si marrëdhënie vëllazërore. Zoti Meta konfirmoi qe ai personalisht dhe institucioni që drejton janë mbështetës të fuqishëm të marrëdhënieve shumë të mira me shtetin e Kuvajtit dhe cilësoi në këtë drejtim vizitat e shumta të personaliteteve të rëndësishme të Kuvajtit në Shqipëri.

kuvait5

Në përfundim të takimeve dy ditore, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Presidenti i SAB, z. Adel  Abdulaziz Al-Saraawi nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit, duke përcaktuar edhe një kalendar të aktiviteteve për periudhën 2017-2021, bazuar në planin e punës të përditësuar gjatë ditëve të qendrimit ne Shqiperi.
Delegacioni gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri zhvilloi një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.