Përfaqësues të KLSH-së marrin pjesë në Konferencën “Bashkëpunimi me Parlamentin për të rritur impaktin e auditimit”

26.02.2020

Në datat 20-21 shkurt 2020, në Przno, Mali i Zi,  SIGMA dhe SAI i Malit të ZI organizuan Konferencën “Bashkëpunimi me Parlamentin për të rritur impaktin e auditimit”.  Kjo konferencë u organizua në kuadër të planit të aktiviteteve 2018-2020 të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidatëve e kandidate potenciale të BE-së dhe Gjykatës Evropiane të Audituesve. Përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit  dhe parlamentarë të Malit të Zi, Shqipërisë, Turqisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje- Hercegovinës diskutuan rreth zhvillimit  të marrëdhënieve midis SAI-eve dhe Parlamenteve me fokusin kryesor tek zhvillimi i seancave dëgjimore të cilat përqendrohen tek gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve dhe procedurat e follow up.

Në këtë aktivitet KLSH u përfaqësua nga Drejtori i Departamentit të Strategjisë dhe Metodologjisë, Standardeve dhe Kontrollit të Cilësisë, z. Gjovalin Preci dhe Specialiste e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Alma Shehu.

konf parlamenti1

Konferenca ishte interaktive dhe deputetë të Parlamentit të Suedisë e Letonisë, si dhe përfaqësueses së Gjykatës së Llogarive të Landit të Baden Würtenbergut në Gjermani  paraqitën praktikat efektive të vendeve respektive lidhur me:

- mënyrën se si  zhvillohen seancat dëgjimore në Parlament,  si dhe përfshirjen dhe rolin konkret të SAI në këto dëgjesa;
- faktorët kryesorë që ndikojnë në realizimin e seancave dëgjimore të suksesshme dhe efektive dhe sfidat  me të cilat këto vende ende përballen;
- mënyrën se si janë  institucionalizuar marrëdhëniet e SAI-t me Parlamentin.

Përfaqësuesi i Gjykatës Evropiane të Audituesve paraqiti  eksperiencën e kësaj gjykate duke vlerësuar si tepër të suksesshëm sistemin e  raportuesve pranë komisioneve të ndryshme në Parlamentin Evropian dhe bëri një prezantim të përfitimeve, risqeve dhe sfidat që paraqet ky sistem.

Përfaqësues nga parlamentet dhe SAI- et e vendeve të Ballkanit prezantuan  shkurtimisht procedurat për përcjelljen tek komisionet e dedikuara ose  tek komisionet e tjera parlamentare  të raporteve të auditimit, sfidat me të cilat ndeshen gjatë zhvillimit të dëgjesave  të cilat përdoren më shumë politikisht sesa i shërbejnë forcimit të rolit të SAI-t dhe implementimit të rekomandimeve të tij.

Drejtori i Departamentit të Strategjisë dhe Metodologjisë, Standardeve dhe Kontrollit të Cilësisë, z. Gjovalin Preçi prezantoi eksperiencën e KLSH në marrëdhënien me Parlamentin duke vënë theksin tek përpjekjet e vazhdueshme  të KLSH-së për intensifikimin cilësor të kësaj marrëdhënie. Prej disa vitesh KLSH  i ka kërkuar Kuvendit të shqyrtojë propozimin e tij  për krijimin e një nënkomiteti i cili do të shqyrtojë raportet e KLSH-së. Krijimi i këtij nënkomiteti do ti shërbente jo vetëm informimit të Kuvendit lidhur me auditimet e ushtruara nga KLSH, por nëpërmjet mbikëqyrjes parlamentare synohet rritja  e trysnisë ndaj institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore për zbatimin e rekomandimeve.
Gjithashtu me vendimin e Kryetarit të KLSH nr. 34/39, datë 30.06.2018 është miratuar Udhëzuesi për Institucionalizimin e Marrëdhënieve me Parlamentin, në të cilin janë përcaktuar qartë hapat për një marrëdhënie efektive të KLSH-së me

Parlamentin ku theksi është venë tek:
- hartimi i marrëveshje të gjerë kuadër e cila do të përfshijë jo vetëm fuqizimin e ndjekjes parlamentare për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së por edhe një axhendë konkrete për zbatimin e rekomandimeve kryesore të KLSH-së ndër vite;
- zgjerimin e marrëdhënieve edhe me Komisione të tjera parlamentare të cilat janë të interesuara për raporte të veçanta auditimi;
- përdorimin e punimeve të Kuvendit për inicimin e auditimeve me rëndësi të veçantë për opinionin publik;
- organizimin njëherë në vit të një tryeze të rrumbullakët me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për ti informuar ata mbi veprimtarinë konkrete të KLSH.

Gjithashtu z. Preçi theksoi se në kuadër të transparencës dhe intensifikimit të marrëdhënieve me Kuvendin, këtij të fundit vetëm gjatë vitit 2019 KLSH i ka përcjellë 131 vendime dhe raporte auditimi. 

konf parlamenti2

Pjesëmarrësit në këtë konferencë patën mundësinë që të diskutojnë në grupe të vogla dhe të paraqesin propozime dhe ide konkrete për aktivitete që kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet SAI-ve dhe Parlamenteve, rritjen e ndikimit të punës audituese  dhe mbikëqyrjen financiare të Parlamenteve mbi qeveritë.