Njoftim për shtyp mbi Auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Performanca e përdorimit të Internetit në Administratën Publike”

12.02.2020

Kontrolli i Lartë i Shtetit nisur nga roli i internetit në komunikim dhe shpërndarjen e informacionit për shërbimet ndaj:

- Qytetarëve G2C (Government to Citizen);
- Biznesit G2B (Government to Business);
- Administratës shtetërore G2G (Government to Government),

dhe në zbatim të Programit të Auditimit nr. 779/11, datë 24.10.2019, i ndryshuar, ka përfunduar auditimin e Teknologjisë së Informacionit me temë “Performanca e përdorimit të Internetit në Administratën Publike” përkatësisht në subjektet: “Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Bashkitë Fier, Korçë, Lezhë dhe Vlorë” për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2018 deri në 30.09.2019.

Ky projekt auditimi u krye me objektiv vlerësimin e situatës së përgjithshme në institucionet e sipërpërmendura dhe përcaktimin nëse performanca e përdorimit të internetit në administratën publike i shërben arritjes së objektivave në mënyrë efektive, duke përfshirë pajtueshmërinë me kërkesat ligjore dhe rregullative, konfidencialitetin, integritetin si dhe disponueshmërinë e vazhdimësinë e shërbimeve të ofruara.

Në përfundim të auditimit, u konstatuan një sërë parregullsish mbështetur në të cilat kemi arritur në konkluzionin se:

Identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimit të internetit dhe vazhdimësisë së ofrimit të këtij shërbimi është i pa pamjaftueshëm.

Mungesa e kontrolleve të nevojshme, nuk jep siguri të arsyeshme mbi mbrojtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit që realizojnë shërbimet kryesore të e-qeverisjes G2C (Government to Citizen), G2B (Government to Business) G2G (Government to Government).

Në gjykimin tonë, identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimit të internetit dhe vazhdimësisë së ofrimit të këtij shërbimi pa ndërprerje është i pa pamjaftueshëm.

Gjetjet më të rëndësishme të këtij Auditimit përmblidhen:

- Mungesa e akteve rregullatore në ofrimin e këtyre shërbimeve.
- Mos përcaktimin e nevojave, mbi përdorimin dhe mbikëqyrjen e shërbimit të internetit,
- Përdorimin pa ekonomicitet të fondeve për shërbimet e sipërcituara
- Aksesin e pakontrolluar brenda institucioneve dhe jashtë tyre.

Grupi i auditimit duke vlerësuar përdorimin e internetit si burim kryesor të qeverisjes elektronike ka propozuar rekomandimet përkatëse për përmirësimin e situatës dhe shfrytëzimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet institucioneve të qeverisjes qendrore, autoriteteve, agjencive dhe vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera në mënyrë që të arrihen standarde të njëjtë dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor, profesional, transparent dhe të përgjegjshëm.

Për përmirësimin e gjendjes në drejtim të rritjes së Performancën së Përdorimit të Internetit kemi përcjell rekomandime me karakter organizativ konkretisht për:

- Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Kulturës, 29 rekomandime.
- Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoritetin i Mediave Audiovizive, Autoritetin i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, 30 rekomandime.
- Bashkitë Fier, Korçë, Lezhë dhe Vlorë, 34 rekomandime.

Më konkretisht shkeljet e konstatuara evidentohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 177, datë 31.12.2019.

KONTROLLI I LARTË I SHTETIT