Mbi auditimin e ushtruar në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN)

21.02.2020

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 1442/2 prot. datë 29.01.2019, ka përfunduar  auditimin “Mbi Përputhshmërinë” në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) Tiranë,  për veprimtarinë nga data  01.09.2016 deri në datën 31.12.2018. Gjetjet e këtij auditimi janë evidentuar më hollësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 32, datë 30.07.2019.

Në këtë auditim u konstatuan shkelje në veprimtarinë institucionale të AKBN-së në fushën Hidroenergjetike, sa i përket, ndjekjes së kontratat e lidhura nga Shteti Shqiptar në fushën hidroenergjetike, masave të marra, zbatimin e akteve ligjore e rregullatore në fuqi që rregullojnë veprimtarinë institucionale, të cilat kanë sjellë ndikime të konsiderueshme në financat publike me një vlerë financiare prej rreth 15,178 milionë lekë (afërsisht 123 milionë euro), për të cilat KLSH me shkresën nr. 1442/23 datë 18.11.2019, ka depozituar indicie për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë:
- Nga auditimi me zgjedhje i 14 dosjeve të HEC-eve të cilët kanë përfunduar  punimet, janë lidhur me rrjetin energjetik dhe janë futur në fazën e prodhimit rezultoi se, vlera e penaliteteve të llogaritura dhe më pas propozuar nga AKBN drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) në rolin e Autoritetit Kontraktues, për moszbatim të kushteve të kontratës prej shoqërive zhvilluese, për të cilat nuk disponoheshin aktet administrativë për arkëtimin e tyre, vetëm për rastet e shqyrtuara, shkon në rreth 2,025,281 mijë lekë.
Në dosjet e audituara rezultuan gjithashtu problematika sa i përket paisjes me Leje ndërtimi të shoqërive zhvilluese për kryerjen e punimeve të ndërtimit dhe mungesë e masave të marra nga Autoriteti Kontraktues në këtë drejtim.

Veç sa më sipër, përfundimi i veprave thuajse në të gjitha rastet është kryer jashtë afatit të përfundimit të punimeve.  
Nuk gjendet situacioni përfundimtar i punimeve të kryera, e për rrjedhojë mungon dhe mundësia për të krahasuar vlerën e shpenzimeve të kryera, me ato të parashikuara në preventiva, për të bërë të mundshëm njoftimin/korrigjimin eventual të taksave e të detyrimeve të tjera të cilat vendosen në përqindje ndaj tyre si taksa e ndikimit në infrastrukturë etj. nga organet përkatëse. 
Mungon llogaritja e penalitetit për mosrealizimin e prodhimit sipas detyrimit kontraktual për periudhën përpara daljes së VKM-së Nr. 332 datë 06.06.2018 ndërkohë që pas këtij vendimi janë thelluar më tej paqartësitë mbi llogaritjen. Kërkesave të AKBN-së për të qartësuar mënyrën e aplikimit të penaliteteve Autoritetit Kontraktues nuk rezultoi tu ketë dhënë përgjigje shteruese, megjithëse ndryshimet ligjore janë propozuar nga vet ky autoritet.
Përgjithësisht nuk gjendet “Testimi” i kryer nga vet Koncesionari dhe rezultatet e tij. Mos realizimi sipas detyrimit kontraktual, i këtij procesi, sjell si pasojë kalimin në fazën e prodhimit të shoqërive koncesionare të cilat kanë detyrime të pashlyera ndaj shtetit (penalitete, taksa për marrjen e Lejeve apo ndryshimin e tyre etj), shmang kontrollin e cilësisë së realizimit të veprës në raport me detyrimet kontraktuale, etj.

Përgjithësisht në dosjet e HEC-eve mungonte sigurimi i kontratës/kontratave, sigurimi i punimeve, pajisjeve etj, dokumentacione këto të detyrueshme referuar “kontratës tip” të lidhur.
Nuk gjendeshin raportimet me shkrim që duhet të bëra Koncesionari pranë AK çdo tre muaj, për realizimin e programit të investimeve dhe në asnjë rast nuk u konstatua të jetë propozuar, ose mbajtur qëndrim (sanksione) ndaj shoqërive të cilat nuk përmbushin detyrimin kontraktual mbi raportimin periodik të ecurisë së kontratës referuar “Kontratës së Koncesionit”.
Përgjithësisht dosjet e HEC-ve, nuk janë inventarizuar e arkivuar dhe dokumentacioni që përmbajnë është kryesisht fotokopje, çka ul shkallën e besueshmërisë së përfundimeve dalë nga të dhënat e dosjeve dhe bie në kundërshtim me përcaktimet e parashikuara në ligjin nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”.

- Në 11 raste të trajtuara nga grupi i auditimit, vlera e investimeve të situacionuara të Hec-eve, në mungesë apo tejkalim të lejes përkatëse nga organet kompetente për kryerje të punimeve të ndërtimit, sipas akteve ligjore në fuqi, ka ndikuar/mund të ketë ndikuar në përfitimin e padrejtë të TVSH-së, e cila për rastet e trajtuar llogaritet në vlerën rreth 13,112,040 mijë lekë. Nuk evidentohen bashkëveprime për këto raste me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, megjithëse AKBN dhe DPT prej muajin Nëntor 2015 kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe janë angazhuar për shkëmbimin e informacioneve të ndërsjellta si dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.

- Moslidhja e kontratave shtesë nga MIE, për projektet e zbatimit  vlerësuar pozitivisht nga grupi i Oponencës Teknike (OT) dhe miratuar prej saj, të cilat paraqiten me rritje të prodhimit vjetor të energjisë krahasuar me kontratën bazë, ka bërë që, mbajtja e Fee-së vjetore në favor të shtetit të jetë më e ulët se ajo që duhej në fakt. Të paktën në 23 kontrata në prodhim të plotë, të cilat kanë rritje të energjisë vjetore në projekzbatim krahasuar me kontratën bazë, efekti financiar për Fee-në e prodhimit të munguar në buxhetin e shtetit llogaritet në vlerën rreth 22,820 mijë lekë.

- Në procedurat e kryerjes së Oponencave Teknike (OT) pranë AKBN, për vlerësimin e projekteve të veprave hidroenergjetike rezultuan problematika të cilat konsistojnë kryesisht në:
Kryerjen e oponencës teknike në afate të tejzgjatura të cilat në pjesën dërrmuese të tyre shkojnë nga 100 në 463 ditë, duke tejkaluar maksimalisht afatet e përcaktuara në rregulloren e posaçme.
Për rastet e audituara Raportet e Oponencës paraqiten me mangësi sa i përket paraqitjes së vlerave gjithsej të preventivit, zërit “Makineri dhe paisje” si dhe në disa raste nuk evidentohej nëse TVSH ishte e përfshirë në këto vlera.  Dërgimi i projekteve drejt Autoritetit Kontraktues të zbatimit kryhej në periudha të zgjatura të cilat nuk justifikohen me dokumentacionin përkatës.
Për periudhën objekt auditimi janë evidentuar llogaritje të pasakta të tarifave të oponencës për projektet e vlerësuara në vlerën rreth 5,567 mijë lekë, ndërkohë që mungon llogaritja dhe pagesa për katër raste për vlerën  rreth 1,617 mijë lekë.

Për përmirësimin e performancës së veprimtarisë së AKBN në vijim KLSH i ka përcjell institucionit 21 rekomandime për zbatim nga këto; 1 masë propozimi për ndryshime apo përmirësime në legjislacionin në fuqi, 12 masa  për përmirësimin e veprimtarisë së institucionit me karakter organizativ, 3 masa për shpërblim dëmi ekonomik, 3 masa për shpërblim dëmi ekonomik deri në verifikimin e plotë të situatës si dhe 2 masa për  menaxhim jo efektiv fondesh buxhetore.