Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilloi një vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Qipros

Në datën 27 mars 2017, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Bujar Leskaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Qipros, ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij, z. Odysseas Michaelides.

Kryetari i KLSH-së, Dr.Bujar Leskaj dhe Presidenti i SAI-t të Qipros, Dr. Odysseas Michaelides, bënë nga një prezantim të SAI-ve respektive lidhur me mandatin e tyre të auditimit, pavarësinë e SAI- ve, strukturën organizative, ligjin në të cilin mbështetet funksionimi i SAI-ve në secilin prej të dy vendeve si edhe nenet e Kushtetutës që lidhen me funksionimin e SAI-ve.

Grupet e Punës së INTOSAI-t dhe EUROSAI-t kanë shërbyer si pikëtakime të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës së Auditimit të Republikës së Qipros. Një bashkëpunim i frytshëm ka rezultuar përmes Grupit të Punës të EUROSAI-t mbi Auditimin e Mjedisit, ku gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, në Nikosia u zhvillua takimi paraprak për auditimin e përbashkët të zonave të mbrojtura detare, në të cilin morën pjesë dy përfaqësues të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kryetari i KLSH-së evidentoi frymën e bashkëpunimit  mes KLSH-së dhe SAI-t të Qipros, e cila  motivohet dhe gjen shumë gjëra të përbashkëta edhe nga të qenit vende të mesdheut. Zhvillimi i mëtejshëm i kësaj marrëdhënie premton rezultate pozitive për zhvillimin reciprok të të dy SAI-ve, bazuar në moton e INTOSAI “Experientia mutua omnibus podest”.
Diskutime midis Kryetarit të KLSH-së dhe Audituesit të Përgjithshëm të Qipros u fokusuan në institucionalizimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit në fushën e auditimeve të performancës dhe në veçanti në temat mbi mbrojtjen e mjedisit.

klshqipro

Marrëveshja e nënshkruar është me shumë vlera për KLSH-në dhe vjen pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et Europiane e më gjerë, të tilla si NIK-u Polak, Gjykata Austriake e Auditimit, Gjykata Turke e Llogarive, SAI-et e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe në nivel rajonal, me SAI-et e Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.

Zoti Odysseas Michaelides shoqëroj në këtë takim nga z. Kyriacos Kyriacou, zv/Auditor i Përgjithshëm, z. Yiangos Papakyriakou dhe z. Tomazos Georgiu, Drejtorë të Departamenteve të Auditimit, z. Andreas Hassapopoulos, Drejtor i Departamentit Teknik, z.Akis Hadjiossif, z.Akis Kikas dhe zj.Maria Pieri, Auditues të Lartë.

Zoti Bujar Leskaj shoqërohej në këtë vizitë nga znj.Lindita Lati, Drejtoreshë e Përgjithshme, znj.Albana Agolli, Drejtore e Departamentit të Auditimit të Institucioneve Qendrore dhe zj. Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.
Në përfundim të takimit, delegacioni i KLSH-së pati mundësinë të zhvillonte një vizitë kulturore në kryqeqytetin e Qipros, Nikosia.