KLSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

 Në datën 2 qershor 2016, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes KLSH-së dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, znj.Pranvera Strakosha.
Marrëveshja vjen në kuadër të angazhimit të dy institucioneve për të bashkëpunuar në rritjen respektive të kapaciteteve dhe njohurive profesionale. Ky bashkëpunim thekson faktin që për Kontrollin e Lartë të Shtetit, shtimi i cilësisë së punës audituese është thelbësor dhe për Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, dhënia e asistencës teknike për përmirësimin e funksionimit të institucioneve që përfshihen në fushën e shërbimit civil paraqet një interes të veçantë.

klsh_1_2697_0

Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj e vlerësoi këtë marrëveshje si të një lloji të veçantë, për shkak të natyrës së saj, si një sinergjizim mes dy institucioneve të pavarura dhe të depolitizuara, të cilat mbulojnë fusha me risk të lartë të veprimtarisë shtetërore. Në këtë prizëm, kryetari Leskaj nënvizoi se kjo sinergji mes dy institucioneve do të reflektohet në vendimet e KLSH-së, ku do të parashikohet një pikë e veçantë për t’i përcjellë fakte dhe rekomandime Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për çështje që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e shërbimit civil, në kompetencë e vlerësim terësisht të Komisionit dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Znj.Strakosha.

Në përfundim, z.Leskaj u shpreh se marrëveshjet e këtij formati, larg klisheve të deritanishme, mes institucioneve të pavarura, do të sjellin produkte konkrete dhe do të funksionojnë mbi bazën e reciprocitetit, duke i shërbyer transparencës, llogaridhënies dhe mirë qeverisjes në sektorin publik.

klsh_2_2698_0

Nga ana e saj, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, znj. Strakosha e konsideroi marrëveshjen e bashkëpunimit me KLSH-në të një rëndësie të veçantë për institucionin që ajo drejton. Duke vlerësuar punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, znj.Strakosha vuri në dukje se raportet e KLSH-së kanë shërbyer, në disa raste, si udhërrëfyes dhe kanë sjellë rezultate për punën e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Në këtë kuadër, Znj.Strakosha theksoi se rekomandimet përkatëse të KLSH-së do të verifikohen brenda 30 ditëve. Në përfundim të fjalës së saj, znj. Strakosha nënvizoi se marrëveshja do të kontribuojë në forcimin e shtetit ligjor.
Në këtë takim merrnin pjesë drejtues e zyrtarë të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe drejtues e auditues të KLSH-së.