KLSH merr pjesë në seminarin e shtatë ndërkombëtar lidhur me Integritetin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

03.03.2020

Në seminarin e shtatë ndërkombëtar të organizuar nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë (SAO) lidhur me “Integritetin dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin publik” morën pjesë 19 përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit të 11 shteteve të ndryshme, kryesisht nga Europa Qëndrore dhe Lindore e nga vende të Afrikës. Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë, si një anëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit, që prej vitit 2014, nëpërmjet këtij seminari përhap kulturën e saj dhe ndan praktikat më të mira me vendet në zhvillim. Në këtë seminar, Kontrolli i Lartë i shtetit u përfaqësua nga znj. Elira Elezi (Departamenti i Metodologjisë, Standardeve dhe Sigurimit të Cilësisë) dhe znj. Erieta Këlliçi (Departamenti i Auditimit të Performancës).

hung1

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në të gjithë aparatin shtetëror, mbështetja në luftën kundër korrupsionit të institucioneve supreme të auditimit në vendet në zhvillim si dhe promovimi i shkëmbimit të eksperiencave dhe përvojave ndërkombëtare, bazuar në praktikat më të mira të SAI-ve, duke kontribuar kështu në objektivin global të qeverisjes së mirë dhe luftën kundër korrupsionit.

Në datën 24 shkurt 2020, në ditën e hapjes së Konferencës që u zhvillua në ambjentet e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë (Budapest), Presidenti i SAO Z. László Domokos u shpreh se, Hungaria po udhëheq rrugën drejt forcimit të mbrojtjes së institucioneve publike kundër korrupsionit. Ai shtoi se Asambleja Kombëtare, bazuar në propozimin e SAO-s, në korrik të vitit 2019 miratoi një projekt ligj që parashikon krijimin e një sistemi të kontrollit të brendshëm në ndërrmarrjet shtetërore. Ai theksoi se etika dhe integriteti  në nivelet drejtuese dhe lidership është një nga mjetet më të rëndësishme të vendosjes së integritetit organizativ.

Pas përfundimit të konferencës, pjesëmarrësit u transferuan në Szarvas, ku do të zhvillohej seminari për ditën në vazhdim. Gjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit u njohën me leksione dhe prezantime nga përfaqësues të SAO-s Hungarez. Lektorët u fokusuan në auditimin e integritetit në sektorin publik si dhe rolin e tij në luftën kundër korrupsionit. Në ditën e dytë, seminari u hap zyrtarisht me prezantimin e z. Gyula Pulay dhe Znj. Erzsébet Németh, Menaxherë të Lartë Mbikëqyrës të Projektit të Integritetit, të cilët theksuan se transparenca dhe përgjegjshmëria janë themelet bazë të strukturave shtetërore dhe njëkohësisht, shtylla të rëndësishme të zhvillimit të integritetit në administratën publike. Disa çështje të tjera që u diskutuan ishin thellimi i konceptit të inegritetit, morali, risqet e integritetit, dilemat që lidhen me etikën etj.

Në vazhdim të prezantimeve Znj. Bettina Martus, Menaxhere e Projektit të Integritetit të SAO të Hungarisë, shpjegoi historinë dhe metodologjinë e anketave dhe pyetësorëve të integritetit dhe njohu pjesëmarrësit me mënyrën si SAO e Hungarisë thjeshtoi dhe dixhitalizoi sondazhin përgjatë viteve 2018 dhe 2019. Risia më e rëndësishme metodologjike është fleta e punës “the worksheet”, e cila krijohet automatikisht për secilin institucion të audituar. Fleta e punës krijon një analizë të integritetit të bazuar në 8 fusha dhe demonstron kontrollet dhe zonat më me rrezik. Suksesi i kësaj metode të re tregohet nga rritja e treguesve (indikatorëve) dhe rritja e numrit të institucioneve pjesëmarrëse.

Gjatë ditës së tretë Z. Balint Vargha, Auditues në  Zyrën Shtetërore të Auditimit të Hungarisë, prezantoi leksionin e tij lidhur me sistemet e matjes së korrupsionit dhe përpilimin e pyetjeve të pyetësorit. Pjesëmarrësit u njohën me metodologjinë e anketimit mbi integritetin dhe gjithashtu praktikuan nëpërmjet punës në grup, elementët më të rëndësishëm të implementimit të një anketimi të suksesshëm si identifikimi i risqeve të korrupsionit në sferën publike, vlerësimin e kontrolleve të ndryshme të cilat mbrojnë nga korrupsioni, plotësimin e pyetësorëve të cilat janë bazat e anketimit si dhe vlerësimin dhe përdorimin e rezultateve të anketimit. Gjatë kësaj dite, vëmendja u fokusua në rezultatet e anketimit të integritetit të vitit 2019. Gjatë prezantimit të këtij anketimi, u krijua mundësia që të gjithë pjesëmarrësit të futeshin më në brendësi të sistemit online të vetëvlerësimit të SAO-s dhe të pyetësorit të integritetit. Prezantimet vazhduan me zhvillimin e kulturës së integritetit dhe përshkrimin e Strategjisë Anti Korrupsion të Hungarisë.  Z.Balint Vargha në prezantimin e tij theksoi se integriteti i një organizate është përgjegjësi e menaxherëve. Është gjithashtu esenciale që organizmat e sektorit publik të kenë një menaxhim të bazuar në analizën e riskut. Ai theksoi që SAI-et duhet të mbështesin menaxhimin e integritetit në organizmat e sektorit publik dhe detajoi zbatimin e instrumenteve të tilla si kontrollet e forta, të buta dhe të përgjithshme.

Në ditën e katërt, pjesëmarrësit u njohën me metodat e anketimit të ndërmarrjeve shtetërore, procesin e analizës së rrezikut të korrupsionit, vlerësimin e kontrolleve të integritetit dhe metodat e përdorura nga Hungaria për të forcuar integritetin e ndërmarrjeve shtetërore. Sensibilizimi dhe rritja e ndërgjegjësimit janë faza të rëndësishme të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve institucionale, duke i mundësuar secilit organ publik të kujdeset për integritetin e tij. Gjatë gjithë ditëve të seminarit, pjesëmarrësit u angazhuan disa herë edhe në grupe pune të veçanta, për tu familjarizuar më tepër me bazat teorike, metodologjinë, rezultatet më të fundit dhe eksperiencat e anketimit të integritetit, si dhe shkëmbyer përvojat në SAI-et e tyre respektive.

hung2

Në ditën e fundit të këtij seminari, pjesëmarrësit u testuan për zotërimin e njohurive të fituara gjatë këtyre ditëve. Secili nga pjesëmarrësit prezantoi një plan projekt të tij lidhur me auditimin e integritetit. Të gjithë pjesëmarrësit e përfunduan testin me sukses dhe në fund të seminarit, drejtuesit e projektit, z.Pulay dhe z.Vargha, pasi përmblodhën dhe vlerësuan arritjet e këtij seminari, shpërndanë për pjesëmarrësit çertifikatat përkatëse si dhe vlerësimet për çdo grup përfaqësuesish. Përveç kësaj, përmes një testimi që iu nënshtruan të gjithë pjesëmarrësit, që lidhej me një kuptim më të thellë të historisë, kulturës dhe traditave hungareze, përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit u renditën të parët me rezultatin më të lartë, duke u vlerësuar me një paketë “Hungaricum” e cila përmbante produkte simbolike të veçanta që lidheshin me kulturën Hungareze.