KLSH merr pjesë në Konferencën për Biodiversitetin dhe takimin e 17-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit në Luksemburg

30.10.2019

Në datat 22 - 24 tetor 2019 në Luksemburg, u zhvillua konferenca për Biodiversitetin, organizuar nga  Auditori i Përgjithshëm i Estonisë, Kryetari i Grupit të Punës të EUROSAI për Auditimin e Mjedisit (WGEA) dhe Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA). Fokusi i kësaj Konference ishin aspekte të ndryshme të biodiversitetit dhe kryesisht shqetësimi për shkatërrimin e tij.  Ky shqetësim është pasqyruar së fundmi edhe nga platforma ndër-qeveritare e politikës shkencore IPBES në raportin e saj global të vlerësimit, ku theksohet e ardhmja e zymtë e Evropës në këtë çështje. Ruajtja dhe përdorimi i biodiversitetit duhet të mirë menaxhohet në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i kontributeve të natyrës tek njerëzit dhe  ruajtja e vlerave të saj. Konferenca e përbashkët u zhvillua me qëllim ofrimin e një mundësie  për të mësuar rreth trendeve të fundit të politikave evropiane mbi biodiversitetin, si dhe mbi mundësitë dhe sfidat e auditimit për biodiversitetin.

KLSH u ërfaqësua në këtë takim nga Z. Alfred Cako, Kryeauditues dhe audituesit Znj. Eva Kasmi dhe Znj. Eneida Seraj.

foto eca

foto eca 1

Gjatë tre ditëve të zhvillimit të punimeve të konferencës, pati prezantime nga përfaqësues të SAI-ve të ndryshme, diskutime në grup, si dhe shkëmbime nga eksperiencat më të mira.

Në ditën e parë, fjalën e hapjes e mbajtën Z. Klaus-Heiner Lehne, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Z. Janar Holm, Kryetar i EUROSAI WGEA, Auditor i Përgjithshëm i Estonisë ku pasi shprehën falenderimet e tyre, vunë theksin mbi problematikat kryesore dhe ndikimet negative në biodiversitet. Nga diskutimet e ditës së parë rëndësia u vu në statusin dhe kërcënimet kryesore për biodiversitetin, politikat, rezultatet dhe strategjitë përkatëse në Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimi i situatës në Evropë në tërësi.

Në ditën e dytë u zhvilluan prezantime nga SAI të ndryshëm pjesëmarrës në konferencë ku shërbyen si shkëmbim eksperiencash mbi auditime të ndryshme të kyera rreth çështjes. Përfaqësuesit e KLSH-së sollën si praktikë të mirë auditimin e performancës mbi Zonat e Mbrojtura Detare, auditim ky paralel i kryer gjatë vitit 2018 midis SAI-ve Qipro, Maltë, Greqi, Portugali dhe Spanjë. Gjatë këtij prezantimi pjesëmarrësit u njohën me situatën e përgjithshme dhe mangësitë për sa i përket menaxhimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri, si dhe sfidat që hasen në mirë menaxhimin e tyre. Gjatë prezantimeve, SAI-t pjesëmarrëse, zhvilluan bisedime në formën e pyetjeve edhe mbi përfitimet e tyre nga këto auditime bashkëpunuese.

Në ditën e tretë dhe të fundit, diskutimet u fokusuan mbi menaxhimin e mbetjeve, ndryshimet klimaterike, si dhe mbi principin “Ndotësi paguan”. Gjithashtu, u zhvilluan edhe punime në grup në formën e brainstorming mbi masat e nevojshme për zbatimin e Strategjisë së EUROSAI WGEA 2020-2023.