KLSH merr pjesë në 10-vjetorin e themelimit të SAI-t të Serbisë

09.06.2017

Në datën 7 qershor, u organizua në Beograd ceremonia e 10 vjetorit të themelimit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Serbisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga 18  Institucione Supreme të Auditimit të EUROSAI-t përfshirë përfaqësues të Gjykatës Europiane të Audituesve, të Programit SIGMA dhe përfaqësues të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare si dhe zyrtarë të Parlamentit dhe qeverisë serbe. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga Kryetari, z.Bujar Leskaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Njësive Vendore, z.Xhafer Xhoxhaj dhe Kryeaudituesi, z.Fatmir Zilja.

10 vjetori i sai serb 1

Në çeljen e ceremonisë, Presidenti i SAI-t të Serbisë, z.Radoslav Sretenoviç theksoi se jubileu i dhjetëvjetorit Institucionit Suprem të Auditimit të Serbisë shënon një moment reflektimi për të bërë një bilanc të arritjeve dhe sfidave të institucionit në forcimin e auditimit të jashtëm publik në Serbi.   "Në të kaluarën, Institucioni Shtetëror i Auditimit të Serbisë ka bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e metodologjisë dhe kemi përmirësuar strukturën e raporteve tona. Ne jemi duke u përpjekur për t’i paraqitur në mënyrë më aktive konkluzionet dhe gjetjet e auditimit tek Parlamenti, tek subjekti i auditur, tek mediat dhe publiku”. Në përfundim të fjalës së tij, z. Sretenoviç falënderoi të pranishmit për prezencën, duke e konsideruar këtë aktivitet si një pikëtakim të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, veçanërisht mes SAI-ve të rajonit.

10 vjetori i sai serb 2

Presidenti i SAI-t Serb, z.Radoslav Sretenoviç ka marrë pjesë në ceremoninë e 90 vjetorit të krijimit të KLSH-së dhe të tilla evente janë tepër produktive për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira, në shembullin e motos së INTOSAI-t “Experientia Mutua Omnibus Prodest”.