KLSH ka depozituar Indicie për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje sipas shkeljeve të Konstatuara nga auditimi i kryer në drejtorinë rajonale të Aluizni-t, Lushnje

03.08.2018

Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Lushnje ka kryer legalizime të jashtëligjshme për objektet informale të cilat kanë shkelur brezin mbrojtës të vijës hekurudhore , distancat nga rrugët e kategorisë B, brigjet e lumit, përroit dhe kanaleve kulluese, nuk ka skualifikuar 222 objekte të cilat nuk plotësojnë kriteret për kualifikim, si dhe ka shmangur procedurat ligjore për v ërtetimin për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke krijuar një mungesë të ardhurash ne buxhetin e shtetit në vlerën 221,8 milion lekë, detyrim që duhet shlyer për kalimin në pronësi të parcelave ndërtimore nga subjektet përfituese të lejeve të legalizimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në zbatim të programit të auditimit nr.278/1, datë 01.03.2018, ka audituar Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Lushnje për periudhën Shtator 2015 deri më Dhjetor 2017 .

 

Nga ky auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH me Vendimin nr.64, datë 30.06.2018 të Kryetarit, ku janë gjetjet dhe rekomandimet për përmirësimin e gjendjes, ka dërguar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje, për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve dhe ish-punonjësve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Lushnje :

- N uk kanë skualifikuar 222 objekte të ndërtuara pranë trasesë hekurudhore, pranë lumenjve dhe rrugëve nacionale, në kundërshtim me ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar dhe VKM 280, datë 01.04.2015 Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, i ndryshuar.

- Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Lushnje nga 20407 objekte të vetëdeklaruara nga poseduesit, kanë dalë nga arkiva për legalizim 5600 dosje dhe për 14807 dosje nuk është kryer asnjë veprim. Pra, deri më datë 31.12.2017 Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Lushnje nuk ka filluar akoma procesin e legalizimit për 72% të objekteve.

-Për periudhën e auditimit 2015-2017 janë legalizuar gjithsej 2033 objekte, në një afat kohor prej 3 vjetësh, me një mesatare vjetore 700 objekte në vit ose përafërsisht 33% në vit dhe duhen të paktën mbi 20 vjet që procesi i legalizimit të përfundojë në këtë qytet.

- Nuk janë kompensuar ish pronarët për vlerën 8,688,163 lekë për sipërfaqen 17331m 2 ose 90% mbetur pa kompensuar, pavarësisht faktit se procedurat për paisjen me lejen e legalizimit kanë përfunduar.

- Kanë marrë vendime “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal” , në kushtet kur në dosje mungojnë v ërtetimet për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 21,826 mijë lekë nga 1017 objekte .

- Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Lushnje, nuk ka arkëtuar , për 304 objekte, vlerën prej 204,536,950 lekë si detyrim që duhet shlyer për kalimin në pronësi të parcelave ndërtimore nga subjektet përfituese të lejeve të legalizimit.

- Në 10 raste , nga dokumentacioni i vënë në dispozicion nuk rezulton të jenë shlyer detyrimet për p enalitetet për legalizimin e shtesave të subjekteve ndërtuese në vlerën 2% të çmimit minimal fiskal për çdo m² sipërfaqe banimi dhe në vlerën 5% të çmimit minimal fiskal për veprimtari socio-ekonomike sipas nenit 43 të Ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Mos-shlyerja e penaliteteve për sipërfaqet shtesë të ndërtuara nga subjektet ka shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 4,489,274 lekë.

-Në 11 raste, kanë kryer legalizime të ndërtimeve informale të cilat nuk duhet të legalizoheshin sepse cënojnë dhe shkelin distancën prej 20 m nga kufiri rrugor i rrugëve të kategorisë B të përcaktuara në nenin 2, pika a/ii të VKM Nr. 280, datë 1.4.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, të ndryshuar.

-Në 3 raste janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga brigjet e lumit, përroit, ku sipas dokumentacionit shkresor dhe dixhital, rezulton se objektet ndodhen në një distancë më pak se 100 metra, veprime këto në kundërshtim me ligjin Nr. 8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore” dhe ligjin Nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.

- Në 9 raste janë legalizuar objekte të cilat nuk duhet të legalizoheshin sepse cënojnë dhe shkelin brezin mbrojtës të vijës hekurudhore të përcaktuar në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë” dhe ligjin nr.142/2016 “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

- Në 3 raste janë legalizuar objekte nuk ishin ndërtuar deri më datë 27.06.2014, objekte të cilat duhet të ishin përjashtuar nga legalizimi, sipas fushës së zbatimit të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, të përcaktuar në nenin 2 “Ky ligj zbatohet për ndërtimet pa leje të ndërtuara deri më 27.06.2014”.

-Në 6 raste , janë kryer legalizime të objekteve mbi dhe pranë kanaleve kulluese dhe brezit mbrojtës të tyre, në kundërshtim me Ligjin nr.8093, datë 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, i ndryshuar dhe VKM nr.280, datë 01.04.2015 “ Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar ndërtime pa leje, shtesa anësore dhe /ose në lartësi në ndërtimet me leje”, i ndryshuar.

KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 9 punonjës : E.Q me detyrë Drejtor, M.S, I.B. me detyrë përgjegjës sektori, B.L., R.G., G.N., E.Xh., O.K., A. Rr. me detyrë specialistë.

Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si dhe çështje/probleme të tjera të trajtuara në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimin e Kryetarit të KLSH nr.64, datë 30.06.2018, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 15, gërma “gj” të Ligjit nr.154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” , është dërguar për indicie penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje Raporti Përfundimtar i Auditimit të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Lushnje dhe Vendimi i Kryetarit të KLSH nr.64, datë 30.06.2018 .

Shënim: Në faqen e WEB-it të KLSH-së ndodhet vendimi i Kryetarit të KLSH-së nr.64, datë 30/06/2018, lidhur me këtë auditim.