Drejtoria e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë zhvillon analizën vjetore të punës për vitin 2018

01.02.2019

Në datën  31 janar 2019, Drejtoria e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë(DKBMJ) zhvilloi analizën vjetore të punës për vitin 2018.
Në analizën e kësaj Drejtorie morën pjesë punonjësit e DKBMJ, Zv/Kryetari i KLSH-së, zj.Lindita Milo (Lati); Sekretari i Përgjithshëm, zj.Luljeta Nano dhe Drejtori i Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm në KLSH, z.Artur Hasanbelliu.

komun1

Një panoramë të përgjithshme të punës së Drejtorisë e bëri zj.Irena Islami, Drejtore e DKBMJ. Zonja Islami iu referua fillimisht implementimit të “Strategjisë së komunikimit të KLSH-së 2017-2019”, nëpërmjet monitorimit të implementimit të kësaj strategjie, i cili është realizuar nga DKBMJ në bashkëpunim me departamentet e auditimit. Plani i Veprimit thekson rolin fondamental të KLSH për të përcjellë më fort dhe qartë mesazhet kryesore të auditimeve dhe të propozimeve të KLSH-së për përmirësimin e administrimit të Buxhetit të Shtetit  në mediat tradicionale, në gazetat dhe revistat kryesore.
Më poshtë do të japim rezultatet e monitorimit të implementimit të strategjisë së komunikimit për periudhën raportuese sipas objektivave :
Objektivi Nr. 1: Rritja e profilit publik të KLSH-së dhe e të kuptuarit të misionit, vizionit dhe rolit të tij në shoqëri, për të forcuar besimin e qytetarëve tek institucioni.
Statusi i implementimit (Realizuar)
Aktualisht Drejtoria e Komunikimit dhe Marrëdhënieve nga Jashtë për vitin 2018 ka rritur profilin publik të KLSH. Ka përgatitur dhe botuar 17 botime (17 fletëpalosje dhe 2 katalogë),  Gjithashtu ka përcjell më fort mesazhet kryesore të auditimeve në media, gazeta dhe revistat kryesore. Ndër aktivitetet më të rëndësishme të organizuara janë analiza vjetore, Konferencat Shkencore dhe Organizimi i Muajit të hapur. Të gjitha njoftimet dhe botimet janë publikuar dhe janë të aksesueshme për publikun.
Objektivi Nr. 2: Shtimi i mjeteve të komunikimit të jashtëm të KLSH-së me qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit me qëllim rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të publikut.
Statusi i implementimit (Realizuar)
Drejtoria e Komunikimit dhe Marrëdhënieve nga Jashtë për vitin 2018 ka caktuar koordinatorët për marrëdhëniet me publikun dhe qytetarin pranë çdo departamenti auditimi. Në mënyrë të veçantë faqja zyrtare e KLSH-së ka zhvilluar objektiva të qarta, ofron informacion të mjaftueshëm, përmban informacion të saktë aktual, e mirë dizenjuar duke marrë në konsideratë standarde dhe siguron akses për një numër të madh të mundshëm të përdoruesve. Gjithashtu në vazhdimësi në bashkëpunim me departamentet e auditimit përgatiten Buletinët statistikore tre mujorë dhe publikohen në faqen zyrtare. Një aktivitet i rëndësishëm i zhvilluar gjatë muajit të hapur ka qenë dhe organizimi i leksioneve të hapura me studentë  dhe publikun ku është prezantuar puna e KLSH, misioni, vizioni etj.

Objektivi Nr. 3: Promovimi i rezultateve të auditimit të KLSH për të transmetuar tek opinioni publik rezultatet dhe dobitë e institucionit në përmirësimin e qeverisjes, përmes luftës kundër korrupsionit.
Statusi i implementimit (Realizuar)
Për herë të parë gjatë këtij viti KLSH ka caktuar një grup drejtuesi/audituesish “përcjellës së autorizuar” të mesazhit të institucionit në publik. Këtu përmendim ftesën në RTSH të Drejtoreshës së Përgjithshme të KLSH dhe Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Performancës në TV si Top Channel dhe Ora News. Në kuadër të Memorandiumit të mirëkuptimit me  USAID për projektin “Transparenca në sistemin shëndetësor në Shqipëri” janë realizuar një sërë trajnimesh dhe takimesh bashkëpunuese rreth produkteve të projektit.
Objektivi Nr. 4: Shtimi i komunikimit dhe ndërveprimit të KLSH-së me qytetarin, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në aktivitetet dhe tryezat e rrumbullakëta.
Statusi i implementimit (Realizuar)
Për këtë objektiv Drejtoria e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë ka zhvilluar dhe ka punuar për dritare të reja komunikimi. Në faqen zyrtare të KLSH gjenden 4 nyje të reja komunikuese me publikun dhe stafin e KLSH-së. Vendosja dhe zhvillimi i instrumentave ICT si më poshtë:
• Mekanizimi i Ankesave
• Red Flags
• Data Mining
• Open Data
Objektivi Nr. 5: Konsolidimi i pjesëmarrjes së audituesve në opinion-dhënien në median e shkruar dhe kalimi gradual drejt dhënies së opinionit në emisionet televizive.
Statusi i implementimit (Pjesërisht)
Koordinatorët e marrëdhënieve me publikun dhe qytetarin pranë secilit departament auditimi kanë përcjellë rezultatet e auditimeve në media. Përgatisin materialet e auditimit për në web dhe trajtojnë letrat dhe ankesat e qytetarëve në departamentet përkatëse.


Pas analizës së monitorimit të strategjisë, zj.Islami u përqëndrua tek komunikimi dhe transparenca. Gjatë vitit 2018, shtypi i shkruar ka pasqyruar  raportet dhe deklaratat tona për shtyp me një numër prej 786 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike. Në fund të vitit 2018 ne kemi qenë të pranishëm me rreth 60 kronika më shumë se vitin e kaluar. Transparenca e veprimtarisë së KLSH-së po rritet nga viti në vit dhe ne jemi gjithnjë e më të hapur e bashkëpunues me median.

komun2


 
Në këtë drejtim ka ndikuar dukshëm edhe prezenca e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, shkrimet e të cilëve i janë paraqitur të përmbledhura publikut në 11 volume (periudha 2013-2018), si edhe botimet e KLSH-së, të cilat në fund të vitit 2018 arritën  në 100 tituj. Vetëm gjatë vitit 2018 janë publikuar 17 botime.

komun3

Gjatë shtatë viteve të fundit KLSH ka nënshkruar  57 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 30 me OJF, 17 me institucione homologe dhe të tjerat me institucione shtetërore dhe Universitete Publike.

komun4


KLSH organizoi Muajin e Hapur për Qytetarët për të tretin vit radhazi, në datat 25 Tetor -14 Dhjetor 2018. Nisur tre vite më parë si një Jave e Hapur për KLSH, në dy vitet e fundit është kthyer në traditën e Muajit të Hapur për qytetaret mbështetur dhe në Strategjinë e Komunikimit të KLSH 2017-2019. Gjatë muajit të hapur u zhvilluan  54 aktivitete të ndryshme.
KLSH gjatë vitit 2018 ka forcuar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë. Me synimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të KLSH me Kuvendin e Shqipërisë , Kryetari i KLSH ka miratuar me shkresën nr. 34/39, datë 30.06.2018 “Udhëzuesin për institucionalizimin e marrëdhënieve të KLSH-së me Parlamentin”, dokument i cili përbën një platformë udhërrëfyese për sigurimin e vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira midis dy institucioneve.
Për një monitorim sa më efektiv të veprimtarisë së institucioneve kushtetuese Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në janar 2019 Manualin e monitorimit vjetor dhe periodik të këtyre institucioneve.
Intensifikimit dhe thellimit të bashkëpunimit të KLSH me Kuvendin i ka shërbyer edhe organizimi nga KLSH dhe SIGMA në datën 4 qershor 2018 i takimit sensibilizues “Zhvillimi i Marrëdhënieve Efektive të punës ndërmjet KLSH dhe Parlamentit”, në të cilin morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Kuvendit.
Gjatë vitit 2018, KLSH ka vijuar traditën e mirë të zhvillimit të Konferencave Shkencore. Konferenca VI-të Shkencore e KLSH-së në bashkëpunim me SAI-n e Kuvajtit, u zhvillua në datat 9-11 prill 2018 në Kuvajt. Konferenca kishte si temë kryesore “Auditimi me Bazë Risku”. Në datën 14 dhjetor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) organizuan në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit Konferencën Kombëtare me temë: “Për një autoritet Kombëtar anti-korrupsion të gjithëpranuar dhe mirëvendosur në sistemin e qeverisjes”.

Më pas e mori fjalën zj.Alma Shehu, e cila u përqendrua në një nga veprimtaritë kryesore të Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, organizimi i aktiviteteve në bashkëpunim me SAI-t dhe institucionet e tjera homologe, brenda dhe jashtë vendit.
138 nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë vitit 2018 morën pjesë në 51 aktivitete të zhvilluara jashtë vendit, si trajnime, workshope, konferenca, grupe pune të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t, internshipe në Gjykatën Europiane të Audituesve dhe fellowship-e në Zyrën e Kontrollorit të Përgjithshëm të GAO-s.
Zonja Shehu u shpreh edhe në lidhje me projektin e binjakëzimit, “Forcimi i kapaciteteve të Auditimit të Jashtëm”, i cili u financua nga BE. Gjatë 28 muajve të implementimit të projektit të binjakëzimit janë zhvilluar 99 misione, në të cilat u përfshinë  65 ekspertë polakë, kroatë, holandezë, estonezë dhe portugezë me një numër total 1053 ditë/ njerëz. Në takimet, trajnimet e zhvilluara me ekspertët dhe vizitat studimore u përfshinë rreth 100 drejtues dhe auditues të KLSH dhe për periudhën mars 2016-30 prill 2018 u realizuan 1980 ditë/njerëz (trajnime, misione, auditime pilot, vizita studimore, etj).
Në përfundim të diskutimeve, zj.Islami bëri analizën SWOT dhe nga kjo analizë u evidentuan, pikat e forta, pikat e dobëta, oportunitetet dhe kërcënimet. Bazuar në këtë analizë u përcaktuan edhe sfidat për 2019 :
• Implementimi i plotë i strategjisë së komunikimit brenda vitit 2019 dhe në këtë kuadër hapja e faqes facebook për institucionin;
• Rritja e prezencës  së audituesve të KLSH-së në median vizive;
• Përfshirja më e madhe e emrave të njohur dhe me peshë në fushën e ekonomisë dhe të auditimit në Revistën kërkimore-shkencore “Auditimi Publik”, botim i KLSH-së;
• Përcjelljen e të gjithë raporteve të auditimeve të performancës  dhe auditimeve IT tek komisionet përkatëse të Kuvendit;
• Përfshija e përfaqësuesve të OJF-ve në auditime konkrete, për fusha në të cilat ata kanë ekspertizë të kualifikuar;
• Aplikime për projekte të reja, duke shfrytëzuar eksperiencën e fituar nga projekti IPA 2013;
• Rritja cilësore e botimeve të Kolanës së KLSH-së, etj.
Zonja Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme, në fjalën e saj vlerësoi menaxhimin e mirë të punës nga DKBMJ dhe u përqendrua veçanërisht në implementim e projektit IPA dhe në detyrën që ka struktura e IPA në KLSH për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të dala nga projekti.
Takimin e mbylli zj.Lindita Milo, Zv/Kryetare e KLSH-së, e cila vlerësoi bashkëpunimin e KLSH-së me ECA dhe GAO-n, marrëdhëniet me shoqërinë civile, si edhe konsolidimin e kapaciteteve audituese të institucionit, nëpërmjet vijimit të bashkëpunimit me SAI-t homologe dhe aplikimit për projekte të reja me BE-në, USAID, PNUD, etj.